Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, bëri sot një deklaratë publike ku kritikoi politikën financiare të qeverisë ndaj mbrojtjes sociale, duke nënvizuar se pensionet në Shqipëri mbeten më të ulëtat në rajon dhe se masa e indeksimit mujor arrin vetëm në rreth 9 euro.Përmes një video-mesazhi, Tabaku e cilësoi situatën si një dështim të drejtësisë sociale, duke u shprehur se vendi po përballet me “pensionet më të ulëta në rajon, në një Shqipëri që po plaket”. Ajo akuzoi ekzekutivin se po zbaton prioritete të gabuara buxhetore, ndërsa “një qeveri që gjen miliarda për një pakicë, ndërsa mbi 800 mijë pensionistë numërojnë lekët për të mbyllur muajin. Pas një jete pune, meritojnë dinjitet. Ky sistem u lë varfërinë!”.Sipas deputetes demokrate, shifrat reale rrëzojnë deklaratat zyrtare të autoriteteve. Ajo theksoi se sot “pensionet janë më të ulëta se pagat, ndërkohë që indeksimi është vetëm 9 euro në muaj, ndryshe nga gënjeshtra e qeverisë, nga retorika, nga propaganda e qeverisë”.Në analizën e saj krahasuese me vendet e rajonit, Tabaku solli në vëmendje diferencat e dukshme të pagesave mujore. Ajo nënvizoi se “jo rastësisht sot pensionet mesatare, ato të fshatit, janë pothuajse 125 euro”, shifër kjo që sipas saj mbetet “nën pensionin minimal të Kosovës që e ka 150 euro, po as edhe të Bosnjës që e ka 185 euro”.Sa u përket zonave urbane, ajo sqaroi se “pensioni mesatar i qytetit nga ana tjetër, që është mesatarisht 209 euro, është më pak se gjysma e minimumit të Malit të Zi. Ne nuk krahasohemi dot as me rajonin”.Duke ndalur te shkaqet strukturore të kësaj krize në skemën e sigurimeve shoqërore, Tabaku vuri gishtin te shkalla e lartë e informalitetit në tregun e punës dhe disbalanca e raportit kontribuues-përfitues, duke përfunduar se “një nga shkaqet e kësaj situate sigurisht që është informaliteti i lartë, pasi çdo pensionist për pensionin e vet të pleqërisë ka vetëm 1.36 kontribues”.

