Në Vlorë është zhvilluar edhe këtë të shtunë një protestë kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik në zonën historike të qytetit. Qindra qytetarë janë mbledhur përpara zonës ku do të ndërtohet muzeu, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve dhe rishikimin e vendndodhjes së tij. Protestuesit argumentojnë se ndërhyrja në këtë zonë cenon godinën historike të Muzeut Etnografik, si edhe vendin ku u formua Klubi Patriotik Labëria në vitin 1908.Lexo edhe:Syri TV/ Fermeri nga Daullasi: Kostot e larta vështirësojnë bujqësinë Ata kërkojnë që muzeu të ndërtohet në një tjetër zonë, duke theksuar se ndërtimi në këtë hapësirë historike ndryshon karakterin e saj dhe cenon objektet me rëndësi historike. Kundërshtimi i protestuesve, sipas tyre, nuk lidhet me historinë e komunitetit hebre. Ata kujtojnë se shqiptarët kanë treguar solidaritet ndaj hebrenjve, duke i strehuar dhe mbrojtur gjatë Holokaustit. Protestuesit shprehen se historia e komunitetit hebre duhet të kujtohet dhe të prezantohet, por kërkojnë që muzeu të ndërtohet në një hapësirë tjetër, duke mos prekur zonën historike të Vlorës. Muzeu Hebraik i Vlorës është një investim i AADF me vlerë 6.5 milionë dollarë. Protestuesit kërkojnë pezullimin e punimeve dhe rishikimin e vendndodhjes së muzeut.

