Pensionistët në Bashkinë e Përrenjasit thonë se të ardhurat që marrin nuk u mjaftojnë për të përballuar shpenzimet bazë për ushqime dhe ilaçe. Ata shprehen se rritja e çmimeve dhe pensionet e ulëta i kanë detyruar të kërkojnë ndihmë ekonomike edhe te fëmijët që jetojnë jashtë vendit.Lexo edhe:Si mund ta rrezikojë nostalgjia e gabuar një shoqëri Të zhgënjyer nga mbështetja e shtetit, pensionistët kërkojnë rritje të pensioneve dhe më shumë siguri për të përballuar jetesën. SYRI TV Në Bashkinë e Përrenjasit pensionistët vijojnë të mbeten shtresa më në nevojë, duke u përballur me vështirësi të shumta ekonomike dhe sociale. Pensionet nuk u mjaftojnë as për të mbuluar shpenzimet bazike për ushqime dhe ilaçe, ndërkohë që detyrimet ndaj shtetit janë një kosto shtesë për ta. Pensionistët thonë se gati 90% e tyre marrin pensione më të ulëta se 200 mijë lekë të vjetra dhe për të shtyrë muajin detyrohen t'u kërkojnë herë pas here të ardhura fëmijëve jashtë vendit. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe të ardhurat e ulëta i detyrojnë këta të fundit që prej kohësh të mos konsumojnë produkte mishi dhe shumica e të ardhurave të tyre shkon për ilaçe. Sipas tyre, shteti i ka lënë në mëshirë të fatit, ndonëse ndër vite kanë punuar dhe kanë dhënë kontribute. Mes çmimeve që rriten dhe pensioneve që mbeten të pamjaftueshme, pensionistët e Përrenjasit thonë se janë të zhgënjyer nga qeveria. Pas dekadash pune dhe kontributesh, ata kërkojnë jo thjesht bonuse sporadike, por një pension që t’u sigurojë dinjitetin dhe nevojat bazë të jetesës.
