SYRI TV Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme të shumta në qytetin e Elbasanit. Brenda vetëm 30 minutash, rrugët dhe trotuaret u mbuluan nga uji, gjashtë banesa në zonën 41 u përmbytën, ndërsa në lagjen “Skënderbej” uji pushtoi një garazh pallati ku ndodheshin disa automjete. Probleme janë evidentuar edhe në afërsi të urës së Shkumbinit dhe disa fshatra. Banorët thonë se përmbytjet janë të përsëritura dhe kërkojnë ndërhyrje emergjente.Lexo edhe:Horoskopi, 13 shtator/ Zbulo çfarë parashikojnë yjet për secilën shenjë Mjaftuan vetëm 30 min reshje të dendura shiu në qytetin e Elbasanit për të krijuar përmbytje në rrugën kryesore të qytetit. Në disa zona trotuaret dhe rrugët u mbuluan nga uji, duke krijuar vështirësi për qarkullimin e këmbësorëve dhe të automjeteve. Në afërsi të urës së Shkumbinit, si pasojë e reshjeve intensive, është çarë asfalti i rrugës dhe u bllokua përkohësisht qarkullimi i mjeteve. Problematika janë evidentuar edhe në fshatrat e Njësisë Administrative Shushicë, ku reshjet kanë krijuar vështirësi në funksionimin normal të kanaleve kulluese. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, 6 banesa në zonën 41 në qytetin e Elbasanit janë përmbytur. Banorët shprehen se 10 minuta reshje permbytën tërësisht banesat që ndodhen në katet e poshtme të pallateve. Ata shprehen se kjo është një situatë e përsëritur por askush nuk ka marrë asnjë masë apo t’i dëmshpërblejë, duke i lënë të jetojnë mes frikës se do të përmbyten sërish, ndaj kërkojnë ndihmë emergjente për të gjetur në strehë tjetër. Situata problematike u paraqit edhe në lagjen Skenderbej, ku një garazh pallati në të cilin ndodheshin disa automjete është përmbytur totalisht.

