Kategoria Superiore është rikthyer këtë fundjavë pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve. Këtë të shtunë janë zhvilluar 2 ndeshjet e para të javës së 6 ku janë regjistruar rezultate interesante që mund të sjellin ndryshime në klasifikim. Teuta mundi 2-0 Skënderbeun duke u konfirmuar si skuadra më në formë e kampionatit. Skuadra durrsake me 3 pikëshin e marrë në Niko Dovana ruan kreun e klasifikimit dhe tani pret me qetësi rezultatet e ndjekëseve të saj teksa sheh që ka shanset për të krijuar arratinë e parë.
Ndërsa Elbasani dhe Vora e mbyllën me barazimin 1-1, një rezultat që për momentin e sheh skuadrën verdheblu në vendin e katërt, ndërsa Vora ngjitet në të 7. Por që të dyja skuadrat do të jenë në pritje të rezultateve të ndeshjeve të rivalëve direkt të tyre.
Java e 6 do të mbyllet me 3 ndeshjet e tjera, ku padyshim sytë do të jenë te Derbi i Kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës. Po kështu shumë e rëndësishme është edhe ajo mes Vllaznisë dhe Dinamos, ndërsa Laçi do të presë kampionët në fuqi të Egnatias. Top Channel

