Lajme Zone
Super të pasurit paguajnë shumë pak taksa dhe më të penalizuarit janë të rinjtë…
EkonomiPamfleti

Super të pasurit paguajnë shumë pak taksa dhe më të penalizuarit janë të rinjtë…

David Card, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi në vitin 2021, i vëzhgon këto transformime nga Festivali Ndërkombëtar i Ekonomisë në Torino. Panorama që përshkruan ekonomisti kanadez nxjerr në pah një hendek të thellë mes brezave.

Foto Pamfleti / Fituesi i Nobelit në Ekonomi, David Card, paralajmëron se inteligjenca artificiale po pakëson punësimet dhe po shton shkurtimet e vendeve të punës. Sipas tij, pabarazia mes brezave po thellohet, ndërsa super të pasurit përfitojnë nga një sistem fiskal që nuk i taton në mënyrë proporcionale me pasurinë që zotërojnë. Tregu i punës po përballet me një tronditje të paprecedentë. Inteligjenca Artificiale po ndryshon bindjet dhe ekuilibrat e vendosur në ekonominë globale, duke krijuar fitues dhe humbës në një proces kompleks dhe larg interpretimeve të thjeshtuara.

David Card, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi në vitin 2021, i vëzhgon këto transformime nga Festivali Ndërkombëtar i Ekonomisë në Torino. Panorama që përshkruan ekonomisti kanadez nxjerr në pah një hendek të thellë mes brezave. David Card, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi (1921) / Sa herë shfaqet një teknologji e re, ka nga ata që përfitojnë dhe të tjerë që humbasin. Tashmë mund të vërehen profesione që po dëmtohen, paralajmëron Card. Për këtë arsye, nevojiten përgjigje të menjëhershme, edhe pse zgjidhjet nuk janë të thjeshta.

Vitet e fundit, narrativa për inteligjencën artificiale, e nxitur nga Silicon Valley, e paraqet këtë proces sikur askush të mos dalë i humbur. A është i saktë ky këndvështrim?

Historia tregon se çdo teknologji e re krijon fitues dhe humbës. Tashmë ka shembuj konkretë të profesioneve që po ngadalësohen ose po dëmtohen nga përhapja e modeleve të mëdha gjuhësore të inteligjencës artificiale. Në sektorët tradicionalë, punësimi i inxhinierëve të programeve kompjuterike ka shënuar rënie.

Numri i këtyre profesionistëve u dyfishua gjatë viteve 2010-2023, por sot rritja ka ngecur. Gjigantët e teknologjisë po punësojnë më pak specialistë të këtij profili, ndërsa kompani të mëdha si Uber dhe Amazon nuk po i përfshijnë më në stafet e tyre me ritmin e dikurshëm.

Çfarë do të thotë kjo për punonjësit e sektorit teknologjik?

Një i diplomuar që ka 8 vjet përvojë pune, dikur do të ishte në prag të promovimit në pozicion drejtues, me përgjegjësinë për të mbikëqyrur një ekip punonjësish të rinj. Sot, ky kalim në karrierë nuk ndodh më aq shpesh. Ata që kanë edhe 5 apo 10 vjet sa të dalin deri në pension në këtë sektor, kanë frikë mos humbin vendin e tyre të punës.

Këta janë ndër humbësit e këtij transformimi. Jashtë sektorëve tradicionalë të programimit mund të ketë një rritje të kufizuar të punësimit, por bilanci i përgjithshëm po shfaq një ngadalësim real.

Disa qeveri po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së të ardhurave bazë universale për të rivendosur ekuilibrin shoqëror në Evropë. A është kjo një mënyrë e realizueshme për të mbrojtur ata që mbeten prapa?

Problemi kryesor i të ardhurave bazë universale është kostoja e papërballueshme. Nëse Italia do t’i garantonte çdo qytetari të ardhura vjetore prej 20.000 eurosh, edhe nëse kjo do të konsiderohej një shumë modeste, qeveria do të falimentonte brenda një kohe shumë të shkurtër.

Edhe nëse këto të ardhura do t’i jepeshin vetëm një të tretës më të varfër të popullsisë, masa do të ishte e papërballueshme, duke pasur parasysh problemet e rënda buxhetore me të cilat përballen demokracitë e mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Në thelb, do të ishte një skemë e ngjashme me atë që zbatohet sot për të moshuarit.

A mund t’i përballojnë buxhetet publike një barrë të tillë?

Një e treta e popullsisë përfiton sot nga pensionet, me shuma që u afrohen këtyre niveleve. Qeveritë nuk mund t’a zgjerojnë të njëjtën skemë edhe për 30 për qind të tjerë. Institucionet e kanë të vështirë të zgjidhin problemin buxhetor që lidhet me të rinjtë në punë, të cilët financojnë pensionet e atyre që janë larguar nga tregu i punës.

Ndërkohë, çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm. Financimi i masave të tilla për të gjithë do të kërkonte burime të jashtëzakonshme dhe do të rrezikonte qëndrueshmërinë e financave publike.

Rrugët e Evropës janë bërë skenë e protestave të të rinjve, të cilët manifestojnë për klimën dhe kundër pabarazive strukturore. Si i vlerësoni këto tensione?

Sistemet e arsimit publik në vende si Franca vuajnë nga financimi i pamjaftueshëm, veçanërisht në zonat urbane të pafavorizuara dhe në periferi. Mes të rinjve është përhapur një pesimizëm i thellë për të ardhmen dhe pasojat e ndryshimeve klimatike, i ushqyer nga verërat gjithnjë e më të nxehta dhe fenomenet ekstreme.

Investimet e nevojshme për të përballuar krizën mjedisore janë të jashtëzakonshme. Pabarazitë po thellohen, por është e nevojshme të bëhet një dallim. Hendeku që lidhet me tregun e punës, nuk është rritur në mënyrë alarmante që nga fundi i viteve 1990.

Problemi kryesor qëndron te njerëzit jashtëzakonisht të pasur, të cilët zotërojnë një pjesë të madhe të fitimeve nga pasuria e akumuluar gjatë dy dekadave të fundit. Këta individë nuk i sigurojnë të ardhurat kryesisht nga pagat, por nga fitimet e bizneseve dhe investimet, duke shmangur një tatim proporcional me pasurinë që zotërojnë.

Ndërkohë, barra fiskale është veçanërisht e rëndë për të rinjtë, të cilët detyrohen të paguajnë rreth një të tretën e pagës së tyre në taksa mbi të ardhurat dhe kontribute të sigurimeve shoqërore për të financuar sistemin që mbështet të moshuarit.

Në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara po diskutohet vendosja e një takse mbi pasurinë për të korrigjuar këto shtrembërime. A mund të funksionojë kjo masë për të zvogëluar hendekun?

Shumica e ekonomistëve kanë dyshime të mëdha për këtë ide. Vende si Suedia e kanë provuar më parë tatimin mbi pasurinë, por më pas kanë arritur në përfundimin se nuk dha rezultatet e pritshme. Shtete të tjera e kanë rikthyer këtë propozim.

Në Kaliforni ka një nismë për ta zbatuar, por ajo duket e destinuar të dështojë, duke shkaktuar trazira dhe largim të kapitalit. Në shumë shtete amerikane, një pjesë e madhe e të ardhurave publike vjen nga tatimi mbi pagat e larta.

Nëse njerëzit që marrin paga të tilla nxiten të largohen, pasojat mund të jenë shkatërruese. Në Shtetet e Bashkuara, e djathta përfaqëson një kombinim të pazakontë të njerëzve shumë të pasur me qytetarë me të ardhura të ulëta, të tërhequr nga idetë populiste.

Pra pengesa është politike?

Figura politike pranë Donald Trump, e kanë bindur klasën punëtore se tatimi mbi pasurinë është një ide e keqe, duke e paraqitur atë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për interesat e saj. Për sa kohë që politikanë të këtij lloji do të kenë ndikim kaq të madh mbi elektoratin, një masë e tillë nuk do të gjejë mbështetjen e nevojshme për t’u zbatuar.

Miliarderëve u mungon një vizion i përbashkët për të ardhmen. Shumë prej tyre besojnë se mund të izolohen në pronat e tyre luksoze, duke shpërfillur shoqërinë, duke nxjerrë pasuri nga tregu dhe duke mos u shqetësuar për pasojat që veprimet e tyre kanë mbi pjesën tjetër të popullsisë.

Në këtë mënyrë, ata rrezikojnë të tërheqin edhe brezat e ardhshëm drejt një jete të izoluar, larg problemeve reale të shoqërisë.

Evropa duket e shtypur mes një Amerike gjithnjë e më izolacioniste dhe një Kine të orientuar drejt eksporteve masive. Çfarë të ardhmeje ka Bashkimi Evropian?

Presioni që Kina ushtron mbi ekonominë ndërkombëtare, vjen nga eksportet e saj të tepruara, të kombinuara me mungesën e importeve në përmasa të krahasueshme. Ky model agresiv ka goditur rëndë industrinë gjermane të automobilave muajt e fundit, ashtu siç kishin vepruar vetë gjermanët rreth 20 vjet më parë, duke dobësuar industrinë automobilistike italiane dhe britanike.

Sot, ekonomia globale dominohet nga teknologjia dhe Evropa po e ka të vështirë të përballojë konkurrencën. Të gjithë evropianët përdorin telefona inteligjentë dhe teknologji të bazuara te interneti në pothuajse çdo sektor, por ofruesit e këtyre shërbimeve janë kryesisht kompani amerikane.

Evropa nuk po përfiton sa duhet nga rritja ekonomike e krijuar prej platformave të mëdha dixhitale.

A i mungon Evropës kapitali njerëzor apo struktura e nevojshme për t’u rritur?

Qytete si Berlini, Londra dhe Parisi nxjerrin talente të jashtëzakonshme për tregun global. Sistemet e mira arsimore u mundësojnë të formojnë programues të nivelit të lartë. Por kontinenti nuk ka kompani me përmasat e Amazon, Uber apo Meta, të afta për ta shndërruar këtë potencial njerëzor në sukses ekonomik dhe për të dominuar tregjet.

Kështu, Evropa humbet mundësi të rëndësishme. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një izolim kulturor shqetësues.

Përse?

Shoqëria amerikane ka një problem themelor. Shumë qytetarë e kanë të vështirë ta shohin botën në tërësinë e saj dhe jetojnë të shkëputur nga zhvillimet globale. Shumë amerikanë nuk e dinë as ku ndodhet Brukseli, ndërsa vetëm një përqindje e vogël e popullsisë zotëron pasaportë.

Mungesa e vetëdijes për rolin e Shteteve të Bashkuara në botë ushqen prirje populiste të pakontrollueshme. Në këtë kontekst, mbetet të shihet nëse do të përmbushet profecia e Winston Churchillit, sipas së cilës amerikanët bëjnë gjënë e duhur vetëm pasi kanë shteruar të gjitha alternativat e tjera.

Rënia institucionale dhe mosbesimi ndaj qeverive janë bërë tema qendrore të debatit publik. A po përballet shoqëria jonë me një kërcënim të ngjashëm me Depresionin e Madh?

Depresioni i Madh, ishte një ngjarje me pasoja shkatërruese të jashtëzakonshme. Brenda pak vitesh, u zhduk 30 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mijëra kompani falimentuan dhe qytetarët humbën besimin te institucionet. S’besoj se situata e sotme mund të krahasohet me atë katastrofë.

Atëherë, me çfarë po përballemi?

Në Shtetet e Bashkuara, momenti i krizës më të thellë institucionale përkoi me Luftën e Vietnamit. Ishte një periudhë tronditëse, kur vendi kuptoi se po humbiste një konflikt në shkallë të gjerë, me 50.000 jetë të humbura. Kjo shkaktoi protesta të fuqishme dhe një rënie të thellë të besimit te institucionet.

Çfarë lloj rënieje po përjetojnë sot brezat e rinj?

Të rinjtë 18-vjeçarë nuk rrezikojnë të dërgohen në luftë në xhungël dhe të humbasin jetën, por përballen me një formë tjetër, më të lodhshme, atë të degradimit politik. Politika amerikane është e bllokuar, mosha mesatare e parlamentarëve është jashtë çdo norme dhe pushteti kontrollohet nga politikanë në të 80-at. Të moshuarit drejtojnë të gjithë aparatin qeverisës dhe përfitojnë nga një sistem i ndërtuar sipas nevojave të tyre.

Dhe cilat janë pasojat?

Kjo shkëputje mes brezave, ushqen në mënyrë të pashmangshme cinizmin e të rinjve, të cilët nuk ndihen të përfaqësuar nga një klasë drejtuese që ka kaluar prej kohësh moshën e pensionit.

Është pasqyrimi i një bote të ndërtuar në funksion të atyre që e kanë lënë tashmë tregun e punës. Ky është problemi që duhet të trajtojnë vendimmarrësit, nëse duan të shmangin thellimin e mëtejshëm të përçarjeve shoqërore./Pamfleti nga “La Stampa”të pasurit të rinjtë taksa Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Kursi i këmbimit 26 tetor, me sa shiten dhe blihen euro dhe dollari 26 Tetor 2026, 07:1507:15Ekonomi Euro mbetet pranë kufirit të 90 lekëve, me sa këmbehen sot monedhat e tjera 25 Tetor 2026, 08:1008:10Ekonomi Mbyllen sportelet fizike në QKB, regjistrimet vetëm online 24 Tetor 2026, 16:0516:05Ekonomi Qeveria mbush arkën, investimet mbeten në letër: 21 miliardë lekë të pashpenzuara në nëntë muaj! 24 Tetor 2026, 13:5813:58Ekonomi A ka ardhur koha për një kurs fiks euro–lek? 24 Tetor 2026, 11:4011:40Ekonomi Bojkoti në arsim dhe vala e dorëheqjeve, çfarë rrezikon funksionimi i shtetit? 24 Tetor 2026, 09:3309:33Ekonomi