Lajme Zone
Sulmi me dronë nga Iraku, Arabia Saudite mbyll tubacionin kryesor të naftës, goditen sërish tregjet globale
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Sulmi me dronë nga Iraku, Arabia Saudite mbyll tubacionin kryesor të naftës, goditen sërish tregjet globale

Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht tubacionin strategjik Lindje–Perëndim, pasi ai u godit nga dronë të nisur nga territori i Irakut. Sulmi ka shkaktuar dëme dhe disa persona janë plagosur, ndërsa autoritetet saudite kanë nisur vlerësimin e pasojave.

Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht tubacionin strategjik Lindje–Perëndim, pasi ai u godit nga dronë të nisur nga territori i Irakut. Sulmi ka shkaktuar dëme dhe disa persona janë plagosur, ndërsa autoritetet saudite kanë nisur vlerësimin e pasojave. Rijadi e ka marrë vendimin si masë paraprake, ndërsa Arabia Saudite ka deklaruar se, për momentin, nuk do të ndërmarrë hakmarrje ndaj Irakut. Ministria e Jashtme saudite tha se mbretëria do të mbështesë përpjekjet e qeverisë irakiane për të parandaluar sulme të tjera nga territori i saj.

Tubacioni Lindje–Perëndim, me gjatësi rreth 1,200 kilometra, është një prej infrastrukturave më të rëndësishme energjetike të Arabisë Saudite. Ai i mundëson vendit të transportojë naftën drejt porteve në Detin e Kuq dhe të anashkalojë Ngushticën e Hormuzit, një prej pikave më strategjike të transportit të naftës në botë.

Sipas të dhënave të cituara nga Reuters, tubacioni ka transportuar rreth 4–5% të furnizimit global me naftë, duke ngritur shqetësime për ndikimin që një ndërprerje e zgjatur mund të ketë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Iraku ka pranuar se sulmi me dronë e kishte origjinën në territorin e tij. Zyra e kryeministrit irakian njoftoi se komandanti i operacioneve në provincën Maysan ishte shkarkuar nga detyra pasi u konfirmua se sulmi ishte nisur nga kjo zonë, e cila kufizohet me Iranin. Autoritetet irakiane kanë nisur gjithashtu një hetim për ngjarjen.

Arabia Saudite ka paralajmëruar ndërkohë se rezervon të drejtën për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe objektet e saj strategjike, si dhe qytetarët dhe banorët e vendit.

Sulmi është dënuar edhe nga Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, i cili e cilësoi atë si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe kërcënim të papranueshëm ndaj sigurisë dhe infrastrukturës jetike të Arabisë Saudite. Top Channel