Kompania ukrainase e energjisë DTEK bëri të ditur se ushtria ruse kishte ndërmarrë një sulm masiv ndaj sektorit energjetik, duke goditur disa objekte të rëndësishme në rajonin lindor të Dnipropetrovskut. Sipas kompanisë, mbi 600 mijë banorë në zonat e Pavlohradit, Samarit, Kamianskes dhe Dnipros, përfshirë edhe qytetin e Dnipros, mbetën pa energji elektrike. Autoritetet njoftuan më vonë se furnizimi me energji po rikthehej gradualisht, shkruajnë mediat e huaja. LEXO edhe...Tigrat kthehen në Kazakistan pas 80 vitesh, por jo të gjithë i mirëpresin Presidenti Zelensky raportoi gjithashtu ndërprerje të shumta të energjisë në disa pjesë të vendit, përfshirë rajonin e Kharkivit, në verilindje, dhe atë të Zhytomyrit, në veriperëndim. Në këtë të fundit, sipas tij, 140 pallate banimi mbetën pa ngrohje si pasojë e sulmeve ruse. Ndërkohë, autoritetet lokale në Kharkiv njoftuan se rreth 250 mijë abonentë kishin mbetur pa energji elektrike, por furnizimi u rikthye më vonë. Me afrimin e dimrit, Rusia ka shtuar sërish sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke goditur objektet jetike të vendit. Kievi po përballet njëkohësisht me mungesë të raketave interceptuese për sistemet e mbrojtjes ajrore. Sipas Zelenskyyt, vetëm gjatë javës së fundit, forcat ruse kanë lëshuar drejt Ukrainës 115 raketa, afro 1 900 bomba ajrore të drejtuara dhe më shumë se 3 000 dronë sulmues. Një tjetër sulm me dronë në Komyshuvakha Të dielën në mëngjes, presidenti ukrainas njoftoi se Rusia kishte ndërmarrë një tjetër sulm me dronë në Komyshuvakha, pikërisht në zonën ku ekipet e emergjencës po vijonin kërkimet për personat e zhdukur pas bombardimit të së hënës, i cili shkaktoi të paktën 55 viktima. “Fatkeqësisht, mund të ketë ende njerëz nën rrënoja. Ky është një akt cinizmi dhe brutaliteti absolut”, shkroi Zelenskyy në një postim në rrjetin social X. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës deklaroi se forcat ruse kishin shënjestruar qëllimisht punonjësit e ekipeve të shpëtimit në vendngjarje. Megjithatë, sipas autoriteteve, nga ky sulm nuk pati persona të lënduar. Bombardimi i së hënës kishte goditur një shkollë, e cila, sipas autoriteteve ukrainase, përdorej për qëllime humanitare. Sulmi ndodhi pas një armëpushimi të kufizuar lokal mes Kievit dhe Moskës, i cili kishte mundësuar evakuimin e banorëve nga qyteti Oleshky, në rajonin jugor të Khersonit, që ndodhet nën pushtimin rus. Ndërkohë, një tjetër sulm rus goditi të dielën një zonë të banuar në qytetin e Dnipros, ku një person humbi jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur. Lajmi u bë i ditur nga Oleksandr Hanzha, kreu i administratës ushtarake rajonale, i cili njoftoi se nga goditja kishte shpërthyer një zjarr dhe të paktën një banesë private ishte shkatërruar. “Dyshohet se persona mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja”, deklaroi ai. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Kremlinin se po intensifikon sulmet me synimin për të shtuar presionin ndaj Ukrainës në prag të bisedimeve trepalëshe mes Kievit, Moskës dhe Uashingtonit, të cilat pritet të zhvillohen në Abu Dhabi. R.Xh/ReportTv.al lufta ne ukraine rusia sulmon ukrainen Rusi energjia elektrike infrastruktura Komento Komente Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap? Ramën 48.2% Veliajn 17.5% Asnjërin 34.4% Vota total: 2093 Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?
