Dëmtimet e degëve bankare dhe bankomatëve gjatë protestave kanë sjellë kufizime të përkohshme të disa shërbimeve, por kursimet e qytetarëve nuk rrezikohen. Banka e Shqipërisë ka dalë me një deklaratë këtë të hënë, më 19 tetor, duke garantuar se depozitat janë të mbrojtura dhe se sistemi i pagesave ka vijuar të funksionojë pa ndërprerje. Institucioni thekson se dëmet materiale të shkaktuara në disa banka nuk cenojnë qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe u kërkon qytetarëve të mos shqetësohen për paratë e tyre. “Banka e Shqipërisë thekson se depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta. Dëmtimet e një pjese të infrastrukturës fizike në disa degë të bankave nuk cenojnë sigurinë e depozitave të klientëve dhe as qëndrueshmërinë financiare të bankave. Qytetarët duhet të jenë të qetë se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve”, thuhet në deklaratë. LEXO EDHE:Protesta në Shqipëri, Albulena Haxhiu: VV nuk ka shtyrë askënd të përfshihet, dënojmë dhunën nga të dyja palët! Kërkesat të dëgjohen me maturi e jo me arrogancë Pavarësisht incidenteve, shërbimi i pagesave ka vijuar normalisht. Kufizimet në degë të caktuara, sipas Bankës së Shqipërisë, lidhen me nevojën për të garantuar sigurinë e klientëve dhe punonjësve. “Kufizimet e përkohshme të shërbimeve në degë të caktuara lidhen me nevojën për të mbrojtur sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve. Banka e Shqipërisë fton qytetarët dhe bizneset të ndjekin njoftimet zyrtare të bankave përkatëse dhe të përdorin sa më shumë kanalet alternative të shërbimit bankar”, sqaron institucioni. Banka e Shqipërisë kujton se pas çdo shërbimi bankar janë qytetarët që marrin pagat e pensionet, familjet që ruajnë kursimet dhe bizneset që duhet të vijojnë aktivitetin. "Sistemi bankar është një shtyllë me rëndësi thelbësore për ekonominë dhe jetën e qytetarëve. Pas çdo dege bankare, çdo pagese apo transaksioni qëndrojnë familje që administrojnë kursimet e tyre, qytetarë që marrin pagat dhe pensionet, biznese që paguajnë punonjësit dhe vijojnë aktivitetin e tyre, si dhe sipërmarrje që investojnë dhe krijojnë vende pune. Funksionimi normal i bankave është i lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve, vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik dhe besimin në të ardhmen" thekson BSH. Për këtë arsye, u bën thirrje protestuesve të mos dëmtojnë institucionet financiare. “Në detyrim ndaj këtij misioni, Banka e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, në ushtrimin e së drejtës së tyre për protestë paqësore, të respektojnë dhe të mbrojnë sigurinë e Bankës së Shqipërisë, të institucioneve bankare, ambienteve, infrastrukturës dhe punonjësve të tyre. Ruajtja e këtyre institucioneve do të thotë ruajtje e shërbimeve dhe e funksioneve që u përkasin dhe u shërbejnë të gjithëve”, theksohet në deklaratë. U.D/Shqiptarja.com TAG: protestat kunder qeverise bankat banka e Shqiperise Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
15 Tetor, 13:43
A i mbështesni protestat e dhunshme në vend? Po 18.9% Jo 77.6% Disi 3.5% Vota total: 6957 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 15 Tetor, 13:43 A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?

