Pamjet nga kamerat amatore tregojnë momentet kur ujërat e rrëmbyera të shkaktuar nga reshjet e dendura marrin përpara dhjetëra makina në rrugët e ishullit të Rodosit, një nga zonat më të goditura nga vala e motit të keq e quajtur “Agneta”, që ka sjellë probleme edhe në ishujt Samos, Kalymnos apo edhe në Greqinë qendrore. Gjatë gjithë natës në Arhangelos, në lindje të ishullit të Rodosit lumi doli nga shtrati pas rreth 17 orësh reshjesh të vazhdueshme, duke shkaktuar dëme të mëdha në rrugë dhe infrastrukturë.
Sipas informacioneve të deritanishme të paktën 60 automjete janë rrëmbyer ose dëmtuar nga ujërat, ndërsa dhjetëra shtëpi dhe biznese janë përmbytur. Në disa raste, banorët janë detyruar të ngjiten në çatitë e banesave të tyre, ndërsa zjarrfikësit kanë kryer dhjetëra operacione për evakuimin e personave të bllokuar.
Mbrojtja Civile ka dërguar here pas here mesazhe nga numri i emergjencës 112 gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, duke u kërkuar banorëve dhe turistëve të kufizojnë lëvizjet vetëm në rastet absolutisht të nevojshme. Gjithashtu shkollat në zonat më të prekura mbetën të mbyllura.
Qarkullimi I automjeteve është ndërprerë në disa pika edhe në jug të Rodosit. Autoritetet mbeten në gatishmëri, pasi reshje dhe stuhi të forta priten të vazhdojnë në Dodekanez gjatë ditës. Para 3 javësh në të njëjtën zonë, një tjetër stuhi me reshje dhe përmbytje shkaktoi vdekjen e një 62-vjeçari.
Sipas parashikimeve të sinoptikanëve stuhia “Agneta” nuk do largohet ende nga Greqia . Reshje dhe stuhi të forta priten në të njëjta zona në orët e pasdites dhe të natës , ndërsa sistemi zhvendoset drejt ishujve të detit Jon dhe Greqisë perëndimore. Të martën, moti i keq pritet të prekë edhe Maqedoninë Qendrore dhe Lindore, Trakën dhe ishujt e Egjeut Verior dhe Lindor. Top Channel

