Fëmijët dhe adoleshentët europianë janë në formën më të dobët fizike të pothuajse 60 viteve të fundit. Ky është përfundimi i një studimi të ri, i cili paralajmëron se përkeqësimi i gjendjes fizike mund të ketë pasoja afatgjata për shëndetin e tyre. Studimi, i kryer nga Universiteti i Zaragozës dhe i publikuar në revistën Sports Medicine-Open, analizoi ndryshimet në treguesit kryesorë të shëndetit fizik: forcën muskulore, fleksibilitetin, përbërjen trupore dhe aftësinë kardiorespiratore të 417 mijë e 362 fëmijëve dhe adoleshentëve, të moshës 6 deri në 16 vjeç, nga 20 vende europiane, për periudhën 1965-2023. Rezultatet tregojnë se forca muskulore e pjesës së sipërme të trupit është në rënie që prej viteve ’70, ndërsa forca e këmbëve ka ardhur duke u ulur që pas viteve ’80. Rënia më e theksuar është regjistruar te fleksibiliteti, i cili është përkeqësuar vazhdimisht, sidomos pas vitit 2000. Studiuesit evidentojnë gjithashtu rritje të yndyrës trupore te fëmijët. Për sa i përket aftësisë kardiorespiratore, aftësisë së zemrës, mushkërive dhe enëve të gjakut për të furnizuar në mënyrë efikase muskujt me oksigjen gjatë aktivitetit fizik të zgjatur, autorët vërejnë se, pas një rënieje afatgjatë, të dhënat më të fundit sugjerojnë se situata është stabilizuar mes viteve 2015 dhe 2023. Megjithatë, ata theksojnë se nivelet aktuale mbeten më të ulëta se ato të dekadave të mëparshme. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fëmijët duhet të kryejnë të paktën 60 minuta aktivitet fizik çdo ditë, por më shumë se 75% e adoleshentëve europianë nuk e përmbushin këtë rekomandim. Në nivel global, OBSH vlerëson se mungesa e aktivitetit fizik është përgjegjëse për: rreth 6% të barrës së sëmundjeve nga sëmundjet koronare të zemrës; 7% të rasteve me diabet të tipit 2; 10% të rasteve të kancerit të gjirit dhe 10% të rasteve të kancerit të zorrës së trashë. Ekspertët theksojnë se aktiviteti fizik në fëmijëri është vendimtar për shëndetin e zemrës, uljen e rrezikut për diabet dhe sëmundje të tjera kronike në moshë madhore, ndaj kërkojnë më shumë investime në nxitjen e lëvizjes dhe sportit që në moshë të hershme.
