Isabel Díaz Ayuso, e cila drejton qeverinë rajonale të Madridit, një nga 17 komunitetet autonome të Spanjës, është përfshirë në një skandal politik pas blerjes së një suite luksoz me vlerë 6.3 milionë euro. Prona u ble nga qeveria e saj me argumentin se do të shërbente si zyrë e përkohshme gjatë rikonstruksionit të selisë së administratës rajonale, por më pas doli se, sipas ligjit, mund të përdoret vetëm si banesë. Sipas mediave spanjolle, apartamenti ndodhet në lagjen luksoze Chamberí të Madridit dhe u ble në prill. Fillimisht, zëdhënësi i qeverisë rajonale tha se prona do të përdorej nga Ayuso gjatë rikonstruksionit të zyrave të saj në selinë e qeverisë rajonale, por nuk dha asnjë shpjegim për çmimin e apartamentit dhe as nëse ajo do të jetonte aty. Më vonë u zbulua se prona kishte kushtuar 6.3 milionë euro dhe se, sipas rregullave të urbanistikës, mund të përdoret vetëm si banesë, jo si zyrë. Po ashtu, u bë e ditur se në kërkesën drejtuar agjencisë imobiliare ishte specifikuar që prona të kishte një sipërfaqe nga 250 deri në 400 metra katrorë dhe një tarracë të madhe, një kriter që ngriti pikëpyetje për një ambient që do të përdorej si zyrë. LEXO edhe...Odiseja e dy dezertorëve rusë: Nga mbështetja e luftës te arratisja me kajak nëpër Detin të Zi Ayuso i hodhi poshtë zbulimet, duke i cilësuar si një "fushatë diskreditimi". Ajo këmbënguli se apartamenti nuk ishte blerë për të jetuar, por për zhvillimin e "takimeve institucionale", ndërsa deklaroi se nuk kishte "as idenë më të vogël" për blerjen. Më pas, qeveria rajonale njoftoi se prona do të nxirret në shitje dhe se të ardhurat do t'u dhurohen personave të prekur nga zjarret e kësaj vere pranë Madridit. Madje, Ayuso deklaroi para gazetarëve se për të çështja ishte e mbyllur, duke thënë: "Është në shitje, mirupafshim." Skandali ka marrë edhe më shumë vëmendje për shkak të partnerit të Ayusos, biznesmenit Alberto González Amador, i cili pritet të dalë në gjyq i akuzuar për evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh. Ai i mohon akuzat. Sipas Guardian, së fundmi ai ka nxjerrë në shitje dy apartamente ku ka jetuar me Ayuson. Ndërkohë, një gjykatë në Madrid po shqyrton pesë kallëzime që lidhen me blerjen e apartamentit luksoz, ndërsa opozita socialiste i ka cilësuar shpjegimet e Ayusos "të pamjaftueshme" dhe ka kërkuar dorëheqjen e saj. Edhe kreu i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, partisë së cilës i përket Ayuso, tha se autoritetet rajonale duhet të shpjegojnë pse u ble një pronë që nuk mund të përdorej si zyrë. Politologu Pablo Simón, nga Universiteti Carlos III i Madridit, tha se mungesa e shpjegimeve të qarta për blerjen e apartamentit, e kombinuar me hetimin gjyqësor, e ka vënë Ayuson në një pozitë të vështirë politikisht. Sipas tij, çështja i ka dëmtuar imazhin, pasi ka shkaktuar kritika si nga e majta ashtu edhe nga e djathta. Megjithatë, Simón vlerëson se skandali nuk ka gjasa ta pengojë Ayuson të fitojë një mandat tjetër në zgjedhjet rajonale të vitit të ardhshëm, por mund t'i kushtojë shumicën absolute dhe ta detyrojë të kërkojë mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë Vox për të mbetur në pushtet. U.D/ReportTv.al Isabel Díaz Ayuso spanje madrid Komento Komente Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë? Politika 30.3% Drejtësia 66.7% Nuk e di 3% Vota total: 700 Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë?

