Lajme Zone
SPAK, viktimë e “shahut” politik Rama-Berisha/ Pse “grindet” dhëndri me gratë e lagjes?
PolitikëPamfleti
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

SPAK, viktimë e “shahut” politik Rama-Berisha/ Pse “grindet” dhëndri me gratë e lagjes?

Skena e sotme para godinës së SPAK ishte një miniaturë e kësaj politike. Një qytetare iu drejtua Jamarbër Malltezit me pretendimin se ai i kishte marrë tokën e fisit. Pretendimi i saj mbetet për t’u provuar, mirëpo përgjigjja e Malltezit u dëgjua qartë: “mashtruese” dhe “ordinere”. Krahas fyerjeve drejtuar prokurorëve të SPAK-ut dhe gjyqtarëve të GJKKO-së, dhëndri i Berishës ka nisur të sherroset edhe me gratë e lagjes së SPAK-ut.

Foto ilustruese/ Berishët sulmojnë SPAK-un, ndërsa drejtësia i trajton me një durim që ua shton arrogancën. Nga shahu Rama-Berisha te sherri i Malltezit me gratë e lagjes Lojtari që e ndien se pozicioni po i dobësohet nuk sulmon gjithmonë figurën kundërshtare. Nganjëherë i hidhet arbitrit, kundërshton orën, ngre zërin dhe përpiqet ta bindë publikun se humbja nuk po vjen nga loja e tij, por nga tavolina. Kjo është strategjia që Sali Berisha dhe rrethi i tij familjar po përdorin prej kohësh kundër SPAK-ut dhe GJKKO-së.

Skena e sotme para godinës së SPAK ishte një miniaturë e kësaj politike. Një qytetare iu drejtua Jamarbër Malltezit me pretendimin se ai i kishte marrë tokën e fisit. Pretendimi i saj mbetet për t’u provuar, mirëpo përgjigjja e Malltezit u dëgjua qartë: “mashtruese” dhe “ordinere”. Krahas fyerjeve drejtuar prokurorëve të SPAK-ut dhe gjyqtarëve të GJKKO-së, dhëndri i Berishës ka nisur të sherroset edhe me gratë e lagjes së SPAK-ut. Malltezi nuk është një qytetar pa zë, i shtypur në ndonjë qoshe të sistemit. Ai ka parti, televizion, studio, mikrofonë, shërbëtorë dhe një makineri të tërë politike që e paraqet çdo veprim të drejtësisë ndaj tij si komplot kombëtar. SPAK e ka dërguar për gjykim për korrupsion dhe pastrim parash në dosjen “Partizani”, ndërsa prokuroria pretendon se ai përfitoi miliona euro nga një sipërmarrje ndërtimi falë vendimeve të padrejta të qeverisë së drejtuar nga vjehrri i tij. Sali Berisha akuzohet në të njëjtën çështje për korrupsion pasiv. Të dy i mohojnë akuzat dhe gjykata ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar mbi fajësinë. Këto janë koordinatat e dosjes, jo propaganda e njërës palë. SPAK i ka bërë publike akuzat dhe dërgimin e çështjes për gjykim.

Megjithatë, familja Berisha flet sikur SPAK-u t’u ketë hyrë natën në shtëpi pa dosje, pa avokatë dhe pa gjykatë. Malltezi e ka quajtur prokurorin e çështjes “lolo të Dumanit”, ka akuzuar prokurorët për falsifikime dhe ka shpallur se “drejtësia bie erë”. Nuk kemi të bëjmë me kritikë juridike të ftohtë. Është një fushatë sistematike për t’ia hequr gjykatës autoritetin përpara se ajo të flasë. Nëse vendimi u leverdis, do ta shpallin fitore të ligjit. Nëse nuk u leverdis, publikut i është përgatitur që më parë shpjegimi: prokurorët qenkan politikë, gjyqtarët të kapur dhe dosja e porositur. Britma, në këtë skemë, ka tri funksione. Ajo tremb arbitrin, mban të ndezur militantin dhe zhvendos vëmendjen nga dokumentet te viktimizimi. Në vend që debati të qëndrojë te privatizimi, vendimet qeveritare, lejet, përfitimet dhe qarkullimi i parave, ai zhvendoset te Edi Rama, Xhorxh Sorros, Altin Dumani, Irena Gjoka dhe çdo armik tjetër që mund të prodhojë fabrika e përditshme e propagandës. Dosja humbet mes tymit. Dhëndri shndërrohet në disident. Familja që ka sunduar politikën shqiptare për më shumë se tri dekada paraqitet si një grup i pambrojtur përballë shtetit.

Pikërisht këtu merr kuptim teza se Berishët janë ndër më të përkëdhelurit e drejtësisë që sulmojnë. Malltezi qëndroi rreth një muaj në burg dhe më pas mori një masë më të butë. Ka ushtruar ankim pas ankimi për pasuritë e sekuestruara, ka folur pa pengesë në media dhe ka sulmuar publikisht prokurorët e gjyqtarët që merren me çështjen e tij. Berisha kaloi nga masa e sigurisë në liri, drejton partinë, kandidon, organizon protesta dhe përgatitet të udhëtojë në SHBA. Procesi u ka garantuar hapësirë të bollshme për mbrojtje; propaganda e tyre përshkruan një regjim që gjoja nuk u lë as frymë.

Përkëdhelja nuk matet vetëm me numrin e netëve në qeli. Ajo duket te bindja se një familje politike duhet të ketë një standard tjetër nga qytetarët e zakonshëm; se prokurori duhet të kërkojë leje përpara se të prekë dhëndrin dhe gjykata duhet të shpjegojë pse guxon të shqyrtojë pasurinë e tij. Kur drejtësia prek kundërshtarin, quhet reformë. Kur mbërrin te dera e familjes, shpallet grusht shteti.

Në këtë pikë shfaqet edhe figura tjetër e shahut: Edi Rama. Marrëveshjet politike, sidoqoftë, nuk shkruhen gjithmonë në letër. Nganjëherë dallohen nga pozicioni ku secili lojtar kujdeset që tjetri të mos dalë nga fusha.

Rama përfiton nga një opozitë e drejtuar nga Berisha, sepse Berisha e mban të bashkuar bërthamën e PD-së, por njëkohësisht ia vështirëson zgjerimin përtej saj. Berisha përfiton nga Rama, sepse një pushtet i gjatë dhe arrogant i jep armikun ideal për të justifikuar qëndrimin e tij të përjetshëm në krye. Njëri administron qeverinë, tjetri administron zemërimin. Njëri fiton zgjedhjet, tjetri siguron monopolin e vendit të dytë. Lufta mes tyre mund të jetë e vërtetë në retorikë dhe, njëherësh, funksionale për të dy në rezultat. Protesta e Flamingo-ve e dëshmoi qartë aleancën mes tyre.

Ky është pakti që nuk ka nevojë për firmë. Rama nuk ka përballë një opozitë që rrezikon seriozisht sistemin e tij; Berisha nuk lejon të lindë një opozitë që rrezikon seriozisht sistemin e Ramës. Deri tani loja është zhvilluar për kontrollin e vendit të dytë. Sfida e madhe për Berishën nis tani, kur duhet të provojë se kërkon pushtetin dhe jo vetëm pronësinë mbi opozitën.

Heqja e ndalimit amerikan të hyrjes dhe udhëtimi i paralajmëruar në Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë familjes Berisha një injeksion të fortë politik. Berisha ka marrë vizë dhe është ftuar nga International Democracy Union të jetë pjesë e delegacionit të saj në aktivitetin republikan të 9 dhe 10 shtatorit në Dallas. Ftesa dhe viza janë zhvillime të rëndësishme, por nuk përbëjnë certifikatë pafajësie për dosjen “Partizani” dhe as mandat amerikan për t’u bërë kryeministër. Ftesa vjen nga IDU-ja, ndërsa agjenda e udhëtimit është njoftuar nga vetë Berisha.

Fotografia amerikane do të përdoret në Tiranë si simbol rehabilitimi. Berishët do të përpiqen ta shesin hyrjen në SHBA si rrëzim të çdo akuze, sikur oficeri konsullor të kishte shqyrtuar dosjen penale dhe të kishte dhënë vendim në vend të GJKKO-së. Kjo është letra e tyre më e fortë propagandistike për betejën e ardhshme: jo thjesht “u kthye Berisha”, por “Perëndimi e pranoi sërish Berishën”. Distanca mes këtyre dy pohimeve është e madhe dhe aty do të luhet një pjesë e rëndësishme e mashtrimit politik.

Ndërkombëtarët mund të takojnë Berishën, të komunikojnë me të dhe ta njohin si drejtues të opozitës. Një parti e familjarizuar, ku interesat politike dhe mbrojtja e familjes ndërthuren në çdo krizë, do ta ketë shumë të vështirë të paraqitet si alternativë moderne europiane. Askush në Uashington apo Bruksel nuk mund ta zëvendësojë votën e shqiptarëve, por asnjë fotografi në Dallas nuk e fshin pyetjen që qëndron në Tiranë: përse një parti e tërë duhet të dridhet sa herë drejtësia prek dhëndrin e kryetarit?

Jamarbër Malltezi është katrori më i dobët në tabelën e Berishës. Jo sepse është shpallur fajtor; këtë duhet ta vendosë gjykata; por sepse mishëron konfliktin që PD-ja nuk arrin ta fshehë: pretendon se lufton oligarkinë, ndërsa mobilizohet për pasurinë e familjes dhe ndërton kulla me bekimin e Ramës; kërkon drejtësi të pavarur, ndërsa fyen prokurorin që heton familjen; kërkon respekt për qytetarët, shan me fjalë të ndyra një grua te dera e SPAK-ut.

Një opozitë shtetformuese do t’i kërkonte Malltezit të përballej me dosjen, të kursente partinë dhe të respektonte institucionet deri në fund të procesit. PD-ja e sotme ka zgjedhur rrugën e kundërt: e ka kthyer partinë në mburojë të familjes dhe familjen në qendër të betejës politike duke sulmuar kështu pa kushte, cdo zë kundër Berishëve. Kështu, çdo goditje ndaj dhëndrit shpallet goditje ndaj opozitës, çdo sekuestro ndaj tij paraqitet si sulm ndaj pluralizmit dhe çdo pyetje mbi pasurinë e tij trajtohet si shërbim ndaj Ramës.

Në fundlojen e vitit 2029, Berisha mund të hyjë me vizë amerikane, me parti të kontrolluar dhe me një elektorat besnik. Do t’i duhet diçka që nuk blihet me ftesa dhe nuk prodhohet nga britmat: besueshmëria se pushtetin e kërkon për të ndryshuar shtetin, jo për të mbrojtur familjen.

Në shah, mbreti mbrohet me çdo figurë të tabelës. Në republikë, askush nuk lind mbret dhe asnjë parti nuk duhet të shndërrohet në gardën personale të dhëndrit. SPAK-u dhe GJKKO-ja kanë vetëm një përgjigje të denjë ndaj presionit: të mos luajnë sipas zhurmës së Berishëve, por sipas provave, me të njëjtin standard dhe deri në fund. /Pamfletipse “grindet” dhëndri me gratë e lagjes? rama-berisha malltezi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Dmitry Medvedev kërcënon Gjermaninë me “goditje direkte”, në shënjestër fabrikat e armëve dhe Berlini 2 Shtator 2026, 14:1414:14Politike Presidenti Begaj pret ambasadoren e re të BE: Anëtarësimi, prioritet kombëtar! 2 Shtator 2026, 14:0114:01Politike Vijon ‘fshesa’ në Bashkinë e Tiranës, Veliaj shkarkon nga detyra nënkryetarin Blendi Sulaj 2 Shtator 2026, 13:5213:52Politike Çfarë po ‘gatuhet’ në takimin e Ramës me ministrat dhe drejtuesit politik? Zv/ministrat largohen nga mbledhja 2 Shtator 2026, 13:4713:47Politike “Gjoba, arma e fundit”, Rama paralajmëron inspektorët: Jo shantazh ndaj bizneseve, kontrollet rutinë të bëhen me paralajmërim 2 Shtator 2026, 13:3313:33Politike 'Fshesa' e Erion Veliajt në bashkinë e Tiranës, me vulën e Edi Ramës apo kundër tij? 2 Shtator 2026, 13:1613:16Politike