Pasuri me vlerë rreth 9 milionë euro janë vendosur nën sekuestro nga SPAK në kuadër të dosjes së trafikut ndërkombëtar të kokainës, që lidhet me organizatën kriminale të drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela. Mes pasurive të sekuestruara janë resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj, një vilë në Dhërmi, agroturizmi “Solis Farm” në Baldushk, 25 automjete dhe disa prona të tjera në Tiranë e zona të ndryshme të vendit.
Në kuadër të hetimeve, Franc Çopjas iu sekuestruan 100% e kuotave të kompanisë “Check Company” dhe 25 automjete, me vlerë rreth 70 milionë lekë. Ndërsa Fadil Ballës iu vendosën nën sekuestro resorti “Ajman Park”, ku janë investuar rreth 463 milionë lekë, si dhe një vilë dykatëshe në kompleksin “Ionian Olea” në Dhërmi, me vlerë tregu 1 milion euro. Sekuestrime u kryen edhe ndaj Albin dhe Riza Çelës, të cilëve iu vunë nën sekuestro prona, toka, kapanone industriale dhe ndërtesa tregtare.
SPAK njoftoi gjithashtu sekuestrimin e të gjitha kuotave të agroturizmit “Solis Farm” në Baldushk, së bashku me dy prona, godinën e restorantit dhe pajisjet e saj. Në total, operacioni përfshiu edhe 130 mijë euro cash, automjete të tjera dhe sende me vlerë. Sekuestrimet lidhen me hetimet për trafikun e 61 tonëve kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës, ndërsa çështja ka përfunduar për gjykim me 16 të pandehur.

