Lajme Zone
SPAK i sekuestron telefonin sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes
PolitikëJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

SPAK i sekuestron telefonin sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar edhe telefonin e Ardit Hysës, ish-drejtorit juridik të shoqërisë shtetërore KAYO dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar edhe telefonin e Ardit Hysës, ish-drejtorit juridik të shoqërisë shtetërore KAYO dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes.

Burime mediatike bëjnë me dije se sekuestrimi i pajisjes së Hysës është kryer në kuadër të hetimeve që SPAK po zhvillon për çështjen KAYO, e cila lidhet me mënyrën e administrimit të fondeve dhe pasurive të ushtrisë, si dhe marrëdhëniet e shoqërisë shtetërore me subjekte private.

Sipas të njëjtave burime, krahas telefonit të Hysës, gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar edhe pajisje të tjera elektronike dhe materiale dokumentare. Mes personave të tjerë, SPAK ka sekuestruar telefona të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Aleks Marku, drejtorit të KAYO-s, Ardi Veliu, dhe biznesmenit Ron Yeffet. Gjithashtu, janë marrë edhe disa kamera sigurie.

Hetimi i SPAK lidhet me dyshime për mënyrën se si janë administruar asetet dhe fondet e sektorit të mbrojtjes, si dhe me marrëdhëniet e KAYO-s me kompani private. Në kuadër të këtij procedimi, më 2 tetor janë kryer kontrolle në vilën e Ron Yeffet në periferi të Tiranës, në zyrat e KAYO-s dhe TIMAK, si dhe në ambiente të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar telefona, kompjuterë, dokumente, kontrata dhe materiale të tjera që pritet t'i nënshtrohen verifikimit nga hetuesit.

Hetimi mësohet se është zgjeruar pas denoncimeve publike të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ka ngritur akuza dhe dyshime lidhur me aktivitetin e KAYO-s dhe marrëdhëniet e saj me bizneset private.

Për momentin, sekuestrimi i telefonit nuk do të thotë se ndaj Hysës është ngritur akuzë apo se ai është marrë i pandehur. Pajisjet e sekuestruara pritet të analizohen në kuadër të hetimit për të përcaktuar nëse përmbajnë komunikime apo të dhëna me interes për procedimin penal.