Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Kosovës që të angazhohet në punën e Kuvendit dhe të propozojë sa më shpejt kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit. Kurti tha se institucionet duhet të nisin punën dhe se nuk duhet të humbet kohë me procedura apo përplasje politike. “Është e domosdoshme që të punojmë e të mos humbim kohë me procedura e me ndërskamca”, deklaroi Kurti. Ai ftoi PDK-në që të propozojë kandidatin e saj për postin e nënkryetarit të Kuvendit dhe të marrë pjesë aktive edhe në punën e komisioneve parlamentare. “E ftoj Partinë Demokratike të Kosovës që të vijë sa më shpejt ta propozojë edhe ajo kandidatin për nënkryetar të Kuvendit dhe të punojmë bashkë me komisionin parlamentar”, u shpreh kryeministri i Kosovës. Kurti theksoi gjithashtu se institucionet shtetërore nuk i përkasin vetëm partisë që drejton qeverinë, por edhe opozitës.
“Qeveria është udhëhequr nga Vetëvendosje, ndërkohë në anën tjetër shteti dhe Republika nuk janë të qeverisë, ato janë edhe të opozitës, e cila do të jetë aktive në Kuvend”, deklaroi ai.
Thirrja e Kurtit vjen në kuadër të përpjekjeve për funksionalizimin e plotë të Kuvendit dhe nisjen e punës së institucioneve të reja pas zgjedhjes së qeverisë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

