Lajme Zone
Sot, tre dhelpra dhe një pulë do të vendosin çfarë të gatuajnë për darkë
PolitikëPamfleti

Sot, tre dhelpra dhe një pulë do të vendosin çfarë të gatuajnë për darkë

Tre dhelpra dhe një pulë ulen në të njëjtën tryezë për të vendosur çfarë do të gatuajnë për darkë. Kjo është metafora e hidhur e një rendi ndërkombëtar që rrezikon të humbasë kuptimin e vet moral.

Presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping pozojnë për fotografi përpara banketit të mirëseardhjes në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Shenzhen, provinca Guangdong, në jug të Kinës, më 18 nëntor 2026. Foto: Iori Sagisawa/Pool përmes REUTERS. / Bota e vitit 2026 po përballet me një paradoks të frikshëm: njerëzimi ka arritur nivele të paprecedenta zhvillimi teknologjik, por politika ndërkombëtare rrezikon të rikthehet te logjika primitive e sundimit të më të fortit. Kur fati i kombeve diskutohet nga fuqitë e mëdha, pa garanci se zëri i popujve do të dëgjohet, diplomacia rrezikon të shndërrohet në një emër elegant për imponimin. Ka diçka thellësisht shqetësuese, madje poshtëruese për qytetërimin modern, në spektaklin e fuqisë që po na ofrohet në vitin 2026. Në një epokë kur inteligjenca artificiale po ndryshon kufijtë e dijes njerëzore, kur shkenca po sfidon të pamundurën dhe kur demokracia duhej të ishte konsoliduar si arritja më e rëndësishme politike e njerëzimit, bota vazhdon të kërkojë shpëtimin te marrëveshjet mes njerëzve të fuqishëm.

Tre dhelpra dhe një pulë ulen në të njëjtën tryezë për të vendosur çfarë do të gatuajnë për darkë. Kjo është metafora e hidhur e një rendi ndërkombëtar që rrezikon të humbasë kuptimin e vet moral.

Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping përfaqësojnë tri qendra të jashtëzakonshme pushteti, por edhe tri mënyra të ndryshme të ushtrimit të tij. Nuk janë politikisht të njëjtë dhe as sistemet që drejtojnë nuk mund të barazohen mekanikisht. Megjithatë, ajo që duhet të shqetësojë çdo qytetar të lirë nuk është vetëm dallimi mes tyre, por mundësia që marrëdhëniet ndërkombëtare të reduktohen në një pazar mes fuqive, ku sovraniteti, e drejta dhe dinjiteti njerëzor bëhen variabla të negociueshëm.

Putin ka treguar me pushtimin e Ukrainës se çfarë ndodh kur një udhëheqës e trajton historinë si pronë të tij dhe kufijtë e shteteve si pengesa që mund të zhvendosen me tanke.

Xi Jinping drejton një sistem ku Partia Komuniste mban monopolin politik dhe ku stabiliteti shtetëror vendoset mbi pluralizmin demokratik. Trump, ndërkohë, vepron brenda institucioneve të një demokracie kushtetuese, por retorika e tij transaksionale ndaj aleancave dhe institucioneve ndërkombëtare ngre një pyetje thelbësore: a mund të mbrohet një rend i bazuar në rregulla kur vetë fuqia që ka qenë garantuesja kryesore e tij fillon t'i trajtojë këto rregulla si instrumente negociimi?

Kjo nuk është një akuzë se të tre përfaqësojnë të njëjtin autoritarizëm. Është paralajmërimi se autoritarizmi mund të fitojë terren kur demokracitë fillojnë ta imitojnë.

Sepse autoritarizmi nuk rikthehet gjithmonë me uniforma ushtarake, tanke apo grushte shteti. Ndonjëherë vjen i veshur me kostum diplomatik, me flamuj kombëtarë në sfond, me buzëqeshje për kamerat dhe me deklarata për paqen. Ai fillon në çastin kur fuqia konsiderohet burim legjitimiteti dhe jo objekt kufizimi nga ligji.

Historia ka treguar se paqja e negociuar mbi kokat e popujve mund të prodhojë heshtje, por jo domosdoshmërisht drejtësi. Dhe heshtja e imponuar nuk është paqe. Është vetëm një konflikt që pret momentin për të shpërthyer.

Në vitin 2026 duhet të kishim kapërcyer përfundimisht idenë se disa burra të moshuar, e theksoj këtë, të ulur në një sallë të mbyllur, mund të përcaktojnë fatin e miliarda njerëzve. Por ja ku jemi, duke diskutuar sërish për sfera influence, interesa strategjike, territore, burime energjetike dhe garanci sigurie, sikur njerëzit që jetojnë në ato territore të ishin thjesht shënime në fund të një dokumenti diplomatik.

Dhe pikërisht këtu qëndron skandali moral i kohës sonë: nuk është se njerëzimi nuk e njeh rrezikun e autoritarizmit. E njeh shumë mirë. E ka studiuar, e ka dokumentuar, i ka numëruar viktimat dhe i ka ngritur monumente kujtese. Por vazhdon të thet prej tij sa herë që demokracia duket e ngadaltë, kompromisi i lodhshëm dhe ligji ndërkombëtar i papërshtatshëm për ambiciet e të fortëve.

Ne nuk po rrezikojmë të kthehemi në shekullin XX sepse kemi harruar historinë. Po rrezikojmë të kthehemi atje sepse kemi filluar të besojmë se historia nuk mund të përsëritet më.

Por ka edhe një hipokrizi tjetër që duhet thënë pa dorashka.

Bota demokratike flet vazhdimisht për vlera universale, ndërsa shpesh i zbaton ato në mënyrë selektive. Sovraniteti është i shenjtë kur na intereson, por bëhet çështje negociatash kur pengon interesat strategjike. Të drejtat e njeriut shpallen të panegociueshme në deklarata, por në praktikë jo rrallë përfjnë në fund të agjendës, pas energjisë, tregtisë dhe sigurisë.

Kjo kontradiktë është ushqimi më i mirë për autoritarizmin. Sepse kur demokracitë nuk arrijnë t'i mbrojnë me koherencë parimet e tyre, autokratët fitojnë argumentin më të rrezikshëm: se në fund të fundit, gjithçka është vetëm çështje force.

Dhe çfarë mbetet atëherë nga Kombet e Bashkuara? Çfarë mbetet nga e drejta ndërkombëtare? Çfarë vlere ka sovraniteti i një shteti të vogël nëse siguria e tij mund të diskutohet si pjesë e një marrëveshjeje mes fuqive të mëdha?

Për ne shqiptarët, këto nuk janë pyetje akademike. Kosova është prova se çështjet e sovranitetit, vetëvendosjes dhe sigurisë nuk mund të shkëputen nga historia konkrete e popujve. Ballkani e njeh shumë mirë çmimin e nacionalizmit agresiv, të politikës së forcës dhe të marrëveshjeve që synojnë stabilitetin pa zgjidhur padrejtësitë. Një Europë që humbet peshën e saj diplomatike dhe një rend ndërkombëtar që toleron sferat e influencës do të krijonin pasiguri të reja edhe në rajonin tonë.

Natyrisht, diplomacia mes fuqive të mëdha është e domosdoshme. Askush me përgjegjësi politike nuk duhet të kërkojë që Uashingtoni, Moska dhe Pekini të ndërpresin komunikimin. Në një botë me armë bërthamore, mungesa e dialogut mund të jetë katastrofike.

Por dialogu nuk është sinonim i drejtësisë. Dhe një marrëveshje mes të fortëve nuk bëhet automatikisht legjitime vetëm sepse nënshkruhet në një tryezë luksoze. Paqja nuk mund të jetë privilegji i atyre që kanë forcën ta imponojnë. Ajo duhet të jetë e drejta e atyre që do të jetojnë me pasojat e saj.

Në fund, shqetësimi më i madh nuk është çfarë do të vendosin Trump, Putin dhe Xi. Por se si arritëm deri këtu. Si është e mundur që, pas dy luftërave botërore, pas Holokaustit, pas Gulagut, pas diktaturave, pas gjenocideve dhe pas dekadash përpjekjesh për të ndërtuar institucione ndërkombëtare, njerëzimi ende e konsideron përqendrimin ekstrem të pushtetit si një rrugë të mundshme drejt stabilitetit?

Ndoshta sepse kemi ngatërruar rendin me nënshtrimin. Ndoshta sepse kemi filluar të admirojmë vendosmërinë më shumë se përgjegjshmërinë. Ndoshta sepse lideri që nuk pranon kundërshtim duket më efikas sesa institucioni që kërkon debat.

Por pikërisht kjo është gënjeshtra më e vjetër e autoritarizmit: premtimi se liria është një luks i panevojshëm dhe se siguria mund të blihet duke hequr dorë prej saj.

Demokracia është e ngadaltë, e zhurmshme, shpesh zhgënjyese dhe jo rrallë e paaftë të prodhojë zgjidhje të shpejta. Por alternativa e pushtetit të pakufizuar nuk është efikasiteti. Është arbitrariteti. Është një botë ku ligji vlen deri në çastin kur bëhet pengesë për të fortin.

Sot, në Shenzhen, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës kanë nisur një takim të paprecedentë. Ende nuk dihet çfarë marrëveshjesh mund të dalin prej tij. Dhe do të ishte e padrejtë të dënohej paraprakisht çdo përpjekje për dialog. Por do të ishte po aq e papërgjegjshme të ngatërrohej fotografia e tre presidentëve me garancinë e një rendi më të drejtë.

Sepse qytetërimi nuk matet me madhësinë e ushtrive, me numrin e raketave apo me fuqinë e ekonomive. Matet me aftësinë për t'i vendosur kufij pushtetit, veçanërisht kur ai është aq i madh sa duket i pakufizueshëm.

Dhe nëse viti 2026 do të mbahet mend si momenti kur bota pranoi sërish se të fortët kanë të drejtë të vendosin për të dobëtit, atëherë problemi nuk do të jetë vetëm te tre burrat që u ulën në tryezë.

Problemi do të jetë te të gjithë ata që e panë tryezën, e kuptuan lojën dhe vendosën të heshtin.

Sepse kur tre dhelpra vendosin çfarë do të gatuajnë për darkë, nuk është demokraci t'i japësh pulës të drejtën të zgjedhë salcën./Pamfleti tre dhelpra një pulë darka gjergj zefi 5 Komente a askushi 19 Nëntor 2026, 12:27 Sepse autoritarizmi fillon në çastin kur fuqia konsiderohet burim legjitimiteti dhe jo objekt kufizimi nga ligji!!!! Bota demokratike flet vazhdimisht për vlera universale, ndërsa shpesh i zbaton ato në mënyrë selektive. Sovraniteti është i shenjtë kur na intereson, por bëhet çështje negociatash kur pengon interesat strategjike. Të drejtat e njeriut shpallen të panegociueshme në deklarata, por në praktikë jo rrallë përfjnë në fund të agjendës, pas energjisë, tregtisë dhe sigurisë. BRAVO PER SHKRIMIN !!! PAMJA E RE E FAQES SH ME E MIRE, GEZUAR Përgjigjjuni p papare 19 Nëntor 2026, 13:13 Tre Dhelpra dhe një pulë vendosin çfarë do hanë për darkë! I madh je Gjergj! Proverbiale! Titull për anekdotë! Përgjigjjuni F Feti Dema 19 Nëntor 2026, 14:37 Gjergj! Ju me të drejtë e theksoni se takimi tre palësh është gjë e mirë. Por prap me të drejtë jeni skeptik për vendimarrjet. Të kthehemi te vëndi jonë i vogël dhe te kombi jonë i madh. Çdo vendimarrje e trepalshit nuk mund të jetë më i keq se çdo marrëveshje tre palëshe, apo shumë palëshe e marë në kancelaeutë europiane për shqiptarët. Autoritarimin e tre të mëdhenjëvve dhe çdo vendimarrje mbi shqiptarët , mund ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet. Sikur mos të mjaftonin ajo se çfarë ta bën tjetri, sot jemi në kushtet kur: Atyre që ju kemi shkuar pas si dele,e kanë nxjer vatanin në treg. Si një rrobë te gabi. Kanë instaluar një regjim që ka degraduar deri në regjim policor. Autoritarizmi i dhleprës, çakallit, ujkut dhe kafshëve të tjera grabitqare legjitimohet me parimin: darvinian, më i forti ha më të dobtin. Luani më i forti në pyll. Por tigri ,leopardi, ujku, kanë pjesën e tyre në refenenë kafshërore. Shteti është më i fortë kur Presidenti- Kryeministri - dhe Asanbleja, funksionojnë dhe ligjërojnë mbi disa parime morale, të dobishme për nënshtetasit dhe kombin. Ku jemi? Presidenti si kukull, Kryeministri si pazarxhi. Kuvëndi më së shumti si noter i pazareve kryeministrore. Një pjesë e popullit , është i traumatizuar . Morali i fabulës së asnbleistëve te ferma e kafshëve ëshë se: gomari vendimet qoftë edhe shakatë e Luanit i kuptonte me shumë vonesë dhe i përcillte me hingëllim shurdhuese. Kasta 35 vjeçare e kanë trajtuar popullin shqiptar si pa memorje, të pa aftë, të trashë dhe se herë pas here, mjafton ti fusësh ndonji shufër bythëve që ta shikoj rrugën, të nxitoi dhe ta çoj barrën atje ku Ali Baba me shumë hajdut, ju ka caktuar destinacionin. Ka mbret që synon ta zgjeroj mbretërinë, ka regjim totalitar që shikon ta ruaj apo ta mbroi regjimin she sovranitetin. Por regjimi i sotëm që po përcjellim, është mostër. Përgjigjjuni X XinTrapPutqeni 19 Nëntor 2026, 15:25 SAKTE!! Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Çfarë fshihet pas gjestit të rrallë të Xi Jinping? 18 Nëntor 2026, 12:3012:30Editorial Pse Trump nuk e donte Samitin e NATO-s në Tiranë? 17 Nëntor 2026, 11:0211:02Editorial Diplomacia e “rosës së çalë” 16 Nëntor 2026, 10:2810:28Editorial Tryeza Shenzhenit dhe doktrina e karrigës bosh 15 Nëntor 2026, 12:4512:45Editorial Erion Veliaj dhe mallkimi i pastorit gjerman 14 Nëntor 2026, 10:5710:57Editorial Çfarë fshihet pas kolapsit global të Microsoft? 13 Nëntor 2026, 11:3711:37Editorial