Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot, më 27 korrik, në seancë plenare publike, e cila do të nisë në orën 10:00. Paralelisht me zhvillimin e saj, është paralajmëruar një protestë para godinës së Parlamentit, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë të njëjtat masa sigurie si në seancën e së enjtes. Që prej orës 08:30 janë mbledhur protestuesit e parë.
Perimetri i sigurisë do të jetë i pandryshuar, me prani të shtuar të forcave të policisë në zonën përreth Kuvendit, për të garantuar mbarëvajtjen e seancës dhe tubimit të paralajmëruar.
Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, raporton se në orën 09:00 Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të zhvillojë një mbledhje në selinë blu për të vendosur qëndrimin që do të mbajë në seancën plenare.
Sakaq deputetët e PS kanë mbërritur në Kuvend. Burime bëjnë me dije se mund të kemi dy seanca sot. Pasi të njoftohet nga Peleshi, do të mblidhen në Kuvend komisionet parlamentare për ta shqyrtuar dhe më pas Kuvendi mblidhet për ta miratuar.
Zyrtarisht, rendi i ditës përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, njoftimet dhe projektvendimin për ndryshimin e vendimit nr. 87/2026, që lidhet me caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse gjatë seancës do të futet për miratim edhe marrëveshja mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, çështje që pritet të jetë edhe arsyeja kryesore e mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së përpara nisjes së seancës. Top Channel

