Pothuajse gjysma e njerëzve që jetojnë në Francë, Gjermani, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar presin që, në një moment të së ardhmes, të jetojnë në një vend tjetër, zbuloi një sondazh i ri.
Sondazhi, i kryer në emër të kompanisë së sigurimeve digjitale Feather, tregoi se kriza e kostos së jetesës është arsyeja kryesore që i shtyn njerëzit të mendojnë për një jetë jashtë vendit. Kjo arsye u përmend nga 53 për qind e britanikëve, 48 për qind e francezëve, 43 për qind e gjermanëve dhe 32 për qind e italianëve.
Vetëm një në dhjetë europianë në secilin prej tregjeve të përfshira në sondazh — ku u pyetën nga 500 të rritur në çdo vend, deklaroi se nuk do të shpërngulej kurrsesi jashtë vendit.
Edhe pse destinacioni më i preferuar ndryshon nga njëri vend në tjetrin, Spanja del qartësisht fituese.
Si britanikët, ashtu edhe italianët e renditën Spanjën si zgjedhjen e tyre të preferuar, përkatësisht me 24 për qind dhe 20 për qind. Ndërkohë, vendi u rendit i dyti në Francë dhe Gjermani, ku 16 për qind dhe 12 për qind e të anketuarve e përmendën si zgjedhjen kryesore.
Për francezët, Kanadaja ishte zgjedhja numër një, me 17 për qind që thanë se do të dëshironin të jetonin atje në të ardhmen. Pas saj renditej Italia, e përzgjedhur nga 14 për qind e të anketuarve.
Gjermanët nuk duket se duan të largohen shumë nga vendi i tyre. Rreth 17 për qind zgjodhën Austrinë, ndërsa Spanja dhe Zvicra u renditën më pas, me nga 12 për qind secila.
Britanikët, nga ana tjetër, janë plotësisht të gatshëm të shpërngulen në destinacione të largëta: 19 për qind zgjodhën Australinë, 15 për qind Kanadanë dhe 10 për qind Zelandën e Re.
Megjithëse Dubai përmendet shpesh si një destinacion i preferuar për emigrantët, vetëm 3 për qind e britanikëve thanë se po e konsideronin atë. Megjithatë, sondazhi u zhvillua në fund të qershorit, ndaj përgjigjet pa dyshim janë ndikuar nga sulmet iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë muajve të fundit./Euronews Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

