Mes historive njerëzore që lanë pas zjarret shkatërruese në Psatha, në perëndim të Atikës, spikat edhe ajo e një emigranti shqiptar, Sokolit, i cili së bashku me tre banorë vendas u përball me flakët për të mbrojtur shtëpitë e komunitetit ku jeton.
Sokoli nuk është zjarrfikës dhe nuk kishte në dispozicion as pajisje profesionale. Megjithatë, kur zjarri nisi t’u afrohej banesave, ai dhe tre miqtë e tij, Andreas, Aris dhe Aleksandros, vendosën të mos qëndronin duarkryq.
Pasditen e 3 gushtit, ndryshimi i drejtimit të erës bëri që flakët të zbrisnin nga zona e pyllëzuar dhe ullishtet drejt banesave. Edhe pse policia kishte dhënë urdhër për evakuimin, katër burrat u kthyen në zonë pasi panë rrezikun që u kanosej shtëpive.
Me zorrët e ujit dhe çdo mjet që mund të përdornin, ata nisën të luftonin me zjarrin. Tymi kishte mbuluar gjithçka, ndërsa në disa momente flakët arrinin deri në 30 metra lartësi.
Për orë të tëra, katër banorët u përpoqën të ndalnin përhapjen e zjarrit dhe të mbronin banesat e lagjes. Përpjekjet e tyre ndihmuan në shpëtimin e disa shtëpive.
Pas përballjes së gjatë me flakët, Sokoli u rrëzua i rraskapitur. Në ato momente, ai kujtoi edhe ditët e para të emigrimit në Greqi, rreth tre dekada më parë.
“Erdhëm të lodhur dhe të uritur. Në fillim vendasit nuk na donin. Na përzinin. Sot, bashkë me miqtë e mi, luftuam si një ekip për të shpëtuar shtëpitë e fshatit”, rrëfeu ai.
Tre dekada pasi mbërriti në Greqi, Sokoli e gjeti veten duke rrezikuar jetën për të mbrojtur komunitetin ku ka ndërtuar jetën.
Sipas gazetës “Ethnos”, për Sokolin dëmet nga zjarri nuk lidhen vetëm me shtëpitë dhe pronat e prekura. “Pylli është shtëpia jonë e parë. Pastaj ndërtuam gjithçka tjetër”, tha ai.
Historia e Sokolit dhe tre miqve të tij është një nga ato rrëfime që tregojnë anën njerëzore të tragjedisë në Psatha: katër banorë të zakonshëm, pa uniforma, pa trajnim profesional dhe pa pajisje të specializuara, të cilët zgjodhën të ktheheshin në mes të flakëve për të mbrojtur shtëpitë dhe njerëzit e komunitetit të tyre.

