Një ndeshje plot emocione, raste dhe episode që në fund nuk ka prodhuar fitues. Sfida mes Skënderbeut dhe Tiranës, e vlefshme për javën e 4-t të “Abissnet Superiore”, është mbyllur në barazim 1-1 në Korçë, me të dyja skuadrat që ndajnë nga një pikë. Dueli nisi me ritëm të lartë që në shkelmimin e topit të parë. Vetëm në minutën e 4-t, arbitri Koçi akordoi një 11-metërsh në favor të bardhebluve. Megjithatë, pasi u thirr nga dhoma e VAR-it për të rishikuar pamjet në monitor, kryesori ndryshoi mendje duke anuluar vendimin e tij. Pavarësisht këtij episodi, Tirana gjeti avantazhin në minutën e 18-të me anë të një aksioni vrastar të finalizuar nga Ndong, duke e mbyllur pjesën e parë në shifrat 0-1.
Kliko këtu për të parë golin e Tiranës
Fraksioni i dytë i lojës foli me një tjetër gjuhë, me vendasit që u hodhën menjëherë në sulm. Skënderbeu dha sinjalin e parë që në minutën e 47-të me një goditje të fortë dënimi që iu afrua golit. Këmbëngulja e korçarëve u shpërblye në minutën e 73-të, kur Musa arriti të dërgojë topin në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën.
Situata u vështirësua edhe më shumë për kryeqytetasit në minutën e 82-të, kur Colley u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Tiranën me 10 lojtarë në fushë. Vendasit shfrytëzuan superioritetin numerik për të kërkuar fitoren dhe në minutat e fundit fati ishte me miqtë: një super goditje nga Bismark në minutën e 89-të u ndal vetëm nga shtylla. Shifrat mbetën të pandryshuara deri në vërshëllimën përfundimtare, duke vulosur një barazim 1-1 tepër të luftuar.
Kliko këtu për të parë golin e Skëndërbeut Top Channel

