Për hir të së vërtetës janë dy protesta të vogla, të çoroditura, plus nja dy dyzina vandalësh që tërheqin vetëm vëmendjen e mediave dhe të policisë, pa shtyrë që të dalë nga shtëpia asnjë qytetar i zakonshëm. Kjo turmë prej pak qindra personash me dy shpirtra, ish-flamengo dhe opozitarë veteranë, gjatë javës harxhon përditë disa orë përballë Kryeministrisë duke prishur vetëm trafikun e makinave që përdorin bulevardin, kurse në fundjavë fryhet pak dhe arrin të marrë vëmendje jo me prezencë, por me dhunën e molotovit dhe të maskave. Është thënë e stërthënë se me kaq njerëz në rrugë nuk shkarkon dot nga puna as drejtorin e një gjimnazi të Tiranës, e jo më qeverinë, opozitën dhe gjithçka tjetër rrotull tyre. E megjithatë protesta, më saktë dy mini-protestat vijojnë me kokëfortësi dhe nostalgji të evokojnë qershorin kur mbushej sheshi dhe trembej qeveria nëpër zyra. Një proces që u dogj shumë shpejt sepse ata që e krijuan nuk kishin menduar çdo të bënin pasi të hipnin majë bedenave të kalasë. Mungesa e një plani i la pa e pushtuar kalanë e pushtetit dhe tani po thartojnë dhëmbët pasi humbën një takim unikal me historinë. Po cilat janë dy protestat në fjalë? Nga vijnë e ku shkojnë? Po t’i referohesh një sherri vulgar në një studio televizive një javë më parë, opozita e vjetër zyrtare dhe partitë e reja, pa harruar shoqata, aktivistë e rini studentore në periferi, janë flukset që ende ushqejnë më së shumti këto dalje në bulevard me pak qindra, deri në dy apo tre mijë veta maksimumi ditëve të shtuna. LEXO EDHE:Ylli Pata: Pse djegia e Tiranës nuk ishte një mjet politik, por gjeopolitik? Marrëdhënia e Partisë Demokratike me protestat pesëmujore ka mbetur rregullisht kontradiktore dhe e pasinqertë. Berisha dhe të tijtë i sulmuan flamengot në ditët e para të protestave. Pasi panë se sheshi u fry tej çdo pritshmërie dhe se duhej hipur në karron e fitimtarëve të rinj, PD dhe satelitët e saj të vjetër vrapuan të deklarojnë se janë me studentët. Në horizont u shfaq një rast i artë për Sali Berishën, për të afruar dhe integruar tinëz publikun e paktë e të lodhur të opozitës së vjetër me një turmë të madhe energjike e plot ngjyra, tinguj e banderola si të rinjtë që parakalonin në bulevard çdo ditë. Kjo ndodhte në të hyrë të kësaj vere, kur PD pranoi kapitullimin total para studentëve, u shkri me ta duke duruar në heshtje edhe thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe duke ulur kokën e duke u dorëzuar para cinizmit të historisë që po i tundte simbolikisht prangat në fytyrë. Opozita kapitulloi edhe një herë në bulevard, kësaj radhe jo para Ramës po para ca “kalamajve” që donin revolucion dhe përmbysje. Muajt kanë rrjedhur e që nga ajo kohë flamengot janë dorëzuar edhe vetë ata para mosdijes e papjekurisë. Nuk i sabotoi as Rama, as Berisha, sa sabotuan veten. Nuk mundën të organizohen, nuk mundën të identifikojnë një panel drejtuesish dhe nuk mund të nxjerrin një program politik serioz. Mbetën një fanfarë njerëzish të revoltuar që thonë çfarë ju vjen në mend dhe që nuk dinë ç’të bëjnë me foshnjen e revolucionit që lindi i vdekur! Fillimi i sezonit të ri universitar nuk solli studentë por vandalë në skenën e protestës. Kalimi nga flamengot e paqta tek dhuna me maska, zjarr dhe molotov që dogji Tiranën, ka qenë akti falimentar i protestave masive rinore të verës dhe shënoi fundin e tyre zyrtar. Prej tre javësh në shesh ka dy grupime të vogla dhe një bandë fytyrmbuluarish që vandalizon Tiranën. Ky është trinomi qesharak i mosbindjes politike dhe qytetare në Shqipërinë e sotme. Studentët në njërën anë, opozita zyrtare në anën tjetër dhe në rreshtin e parë një bandë keqbërësish që kamuflohet nën emrin e studentëve por që në fakt ka si të vetmin synim që të mbjellë shkatërrim e djegie. Protesta e studentëve tashmë nuk egziston më. E ka pësuar nga kurthi që i ngriti Berisha, por edhe nga defektet e veta tashmë të njohura. Pasi ka mbajtur pezull me muaj axhendën politike shqiptare, protesta është kthyer në terren konkurrimi mes partive. Shfaqja vulgare e partiakëve opozitarë që shaheshin në studiot televizive një javë më parë e provon më së miri këtë degradim të protestës. Strategjia e Berishës për ta asfiksuar protestën “duke e përqafuar atë” ka funksionuar në mënyrë perfekte. Nëse nuk di të ndërtojë, Doktori është mjeshtër për të shmontuar e prishur. Kësisoj në të hyrë të nëntorit mund të themi se operacioni i sabotimit të protestës nga demokratët është një realitet i fortë në rrugët e Tiranës. PD nuk është më në gjendje të thërrasë protesta masive, të njëjtën gjë po kujdeset që t’jua imponojë edhe studentëve. Sot kemi një ish-protestë lara-lara që shahet e urrehet mes vetes, ku e reja është dorëzuar për mungesë idesh dhe qartësie, por edhe edhe për shkak të sabotimit që i bëri opozita e vjetër këtij projekti anti-sistem. Ata që e donin Berishën në burg po bien nën truket makiavelike të politikanit më të vjetër të tranzicionit shqiptar. Ironike por e vërtetë./ JavaNews R.Xh A.H Shqiptarja.com TAG: Skënder Minxhozi protestat kunder qeverise proteste Tirane PD qeveria Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
3 Nëntor, 11:50
Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap? Ramën 48.2% Veliajn 17.8% Asnjërin 34% Vota total: 2042 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 3 Nëntor, 11:50 Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?

