Zgjedhja e Andrea Pirlos si trajner i kombëtares së Italisë po ngjall debate të forta ende pa u bërë njoftimi zyrtar. A është e drejtë që një rol me një peshë kaq të madhe përfaqësuese për një shtet, të mund të bëjë propagandë për Rusinë e Putinit? Një trajner i kombëtares nuk është thjesht një trajner klubi; ai është një figurë institucionale, një fytyrë që përfaqëson Italinë në mbarë botën. Megjithatë, polemika pritet të shuhet në momentin e saktë kur Pirlo të zyrtarizohet në krye të pankinës. Së pari, sepse detyra e re do t’ia ndalonte me rregullore të ishte nën kontratë me një kompani bastesh. Së dyti, sepse roli i tij si ambasador global i kësaj marke është i lidhur ngushtë me faktin që ai drejton United FC, një ekip i Emirateve të Bashkuara Arabe, presidenti i të cilit, Sergey Lomakin, ka interesa të konsiderueshme në kompaninë ruse të basteve.
Çështja e papajtueshmërisë mes të qenit trajner i “Axurrëve” dhe përfshirjes në aktivitete promovuese për një kompani bastesh nga vendi i Putinit, thellohet në dy momente kyçe. Pirlo u bë ambasador global i Fonbet, kompanisë kryesore ruse të basteve, por ajo që ngjalli indinjatë ishte strategjia e komunikimit të kompanisë. Fonbet e prezantoi afrimin e yllit italian si një provë të prekshme se, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit politik ndaj Moskës, tërheqja e ikonave të sportit global ishte ende e mundur.
Më pas, ish-mesfushori u shfaq në kryeqytetin rus për të marrë pjesë në “Football Day”, një organizim i po kësaj marke. Prania e tij, e cila përkoi me një fazë tejet dramatike të konfliktit në Ukrainë, solli reagime të ashpra nga vëzhgues dhe sportistë ndërkombëtarë. Ndër ta ishte edhe atleti ukrainas i skeletonit, Vladyslav Heraskevych, i cili e kritikoi ashpër vendimin e Pirlos për të marrë pjesë në këtë event.
Është e detyrueshme të qartësohet tabloja: Andrea Pirlo nuk ka shkelur asnjë ligj dhe as nuk mund t’i mohohet e drejta që, si profesionist i lirë, të lidhë marrëveshje sponsorizimi apo të menaxhojë imazhin e tij. Megjithatë, në një epokë ku sporti është gjithnjë e më i gërshetuar me dinamikat gjeopolitike, reputacioni dhe simbolet kanë një peshë specifike të jashtëzakonshme. Ngërçi i ngritur nga kritikët fokusohet pikërisht te pajtueshmëria mes të qenit udhëheqësi simbolik i futbollit italian dhe të qenit, qoftë edhe vetëm për marketing, fytyra e një marke që e shfrytëzoi këtë marrëveshje si mesazh kundër izolimit ndërkombëtar të Rusisë.
Gjithsesi, ky problem pritet të zgjidhet vetvetiu, pasi marrëdhëniet e tij me Fonbet do të ndërpriten automatikisht me marrjen e detyrës si trajner i Italisë. Të drejtosh një ekip kërkon aftësi taktike, por të përfaqësosh një komb shpesh kërkon përballjen me një realitet shumë më kompleks. Kjo është polemika që po zien aktualisht në qarqet sportive. Top Channel

