Kompania amerikane Nvidia ka nisur një hetim të pavarur ndaj themeluesit dhe drejtorit ekzekutiv, Jensen Huang, pas raportimeve se ai kishte pasur një marrëdhënie me një biznesmene kineze, e dyshuar nga inteligjenca amerikane si spiune e Pekinit. Bordi drejtues i kompanisë ka bërë të ditur se hetimi synon të zbardhë të gjitha rrethanat e raportimeve, të cilat kanë ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe mbrojtjen e sekreteve të kompanisë. Megjithatë, Nvidia thekson se deri më tani nuk ka arsye të besojë se informacionet konfidenciale të saj apo siguria kombëtare janë komprometuar. Sipas një raportimi të NYT, agjencitë amerikane të inteligjencës kishin vënë nën vëzhgim biznesmenen kineze Alice Huang, e njohur gjithashtu si Huang Le, pasi dyshonin se ajo vepronte në emër të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit të Kinës. Nga përgjimet dhe mbikëqyrja e komunikimeve të saj me një shtetas amerikan, autoritetet dyshohet se identifikuan Jensen Huang si personin me të cilin ajo kishte pasur kontakte. Identiteti i tij u zbulua përmes një procedure të njohur në SHBA si “unmasking”. Deri më tani nuk dihet se çfarë informacioni mund t’i ketë përcjellë biznesmenia kineze Pekinit, sa i vlefshëm ishte ai apo kur ajo dyshohet se ka nisur mbledhjen e të dhënave. Alice Huang nuk iu përgjigj kërkesës së gazetës për koment. Ndërkohë, vetë drejtori ekzekutiv i Nvidia-s ka pranuar se ka qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij, duke kërkuar falje publike për lëndimin që u ka shkaktuar asaj dhe fëmijëve të tyre.
“Kam qenë i pabesë ndaj bashkëshortes sime. Veprimet e mia e kanë lënduar atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë justifikim për atë që kam bërë. Më vjen thellësisht keq”, deklaroi Huang, duke marrë përgjegjësinë për veprimet e tij.
Ai shtoi se mbështet plotësisht hetimin e nisur nga bordi i kompanisë dhe se do të bashkëpunojë me të gjitha procedurat. Huang theksoi gjithashtu angazhimin e tij për mbrojtjen e Nvidia-s dhe sigurinë kombëtare amerikane.
Nga ana tjetër, Kina i ka hedhur poshtë më herët akuzat për një operacion spiunazhi ndaj drejtuesit të Nvidia-s, duke i cilësuar ato si spekulime të pabazuara. Ndërsa bordi i kompanisë ka nënvizuar se hetimi do të shqyrtojë të gjitha informacionet e disponueshme, duke e cilësuar sigurinë kombëtare dhe ekonomike të SHBA-ve si prioritet. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: kina Nvidia SHBA

