Lajme Zone
SKANDALI/ Në Liqenin Artificial të Tiranës shkarkohen ujëra të ndotura urbane të patrajtuara
Të tjeraCNA

SKANDALI/ Në Liqenin Artificial të Tiranës shkarkohen ujëra të ndotura urbane të patrajtuara

Pas zbërthimit të raportit të KLSH-së për lumin Lana ku u ...

Pas zbërthimit të raportit të KLSH-së për lumin Lana ku u evidentua se niveli i ndotjes ishte i lartë dhe sipas klasifikimeve ishte në klasën V, që përkthehej gjendje e keqe, CNA zbardh një tjetër raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit që tregon ndotjen e Liqenit Artificial të Tiranës.

KLSH ka kryer auditimin Tematik të Përputhshmërisë “Ndotja e Liqenit Artificial të Tiranës” ku ngrihet alarmi për ndotjen e Liqenit Artificial të Tiranës në të cilin janë zhvilluar disa alga me ngjyrë të gjelbër dhe të verdhë duke mbuluar sipërfaqe të konsiderueshme dhe që emetojnë në ajër një aromë të pakëndshme dhe shqetësuese për qytetarët që e frekuentojnë.

Auditimi ka si objekt vlerësimin dhe analizimin e masave të marra nga institucionet përgjegjëse për problematikën e evidentuar mbi ndotjen ujore dhe dëmtimin e botës së gjallë, në basenin e Liqenit Artificial të Tiranës dhe mbuloi periudhën e viteve 2021-2024.

Në lidhje me ndotjen e Liqenit Artificial të Tiranës, një eksperti i fushës është shprehur se përmbajtja e rritur e nutrientëve (fosfateve etj.) si dhe saturimi i vogël me oksigjen, tregon se ky liqen është në gjendje eutrofike (“I sëmurë”). Përkeqësimi i kësaj gjendje do e bëjë të pamundur jetesën e gjallesave në këtë trup ujor. “Gjatë vrojtimit të liqenit, është vënë re një popullatë shumë e madhe e shpendëve, që tregon se në liqen shpendët kanë gjetur ushqim të bollshëm (biomasë e bollshme). Përmbajtja e rritur e nutrientëve (fosfateve etj.) si dhe saturimi i vogël me oksigjen, tregon se ky liqen është në gjendje eutrofike (“I sëmurë”). Përkeqësimi i kësaj gjendje do e bëjë të pamundur jetesën e gjallesave në këtë trup ujor. Dukuria e ngordhjes së peshqve në mënyrë masive, dalja e tyre në sipërfaqe për shkak të mungesës së oksigjenit e konfirmon gjendjen e degraduar dhe praninë masive të shpendëve. Përmbajtja e lartë e nutrientëve dhe e ulët e oksigjenit tregon se në liqen ka derdhje të shumta, qoftë të substancave të pasura me azot dhe fosfor, qoftë edhe të substancave reduktuese, të cilat konsumojnë oksigjenin. Gjithashtu, kur ka një akumulim të biomasës (bimësisë), pas “vdekjes” së bimëve ose algave, fillon procesi i dekompozimit, i cili kërkon oksigjen dhe çon në një ulje të përmbajtjes së oksigjenit të tretur në ujë, veçanërisht në orët e errësirës, kur fotosinteza ndalon dhe ndodh respiracioni. Kjo e bën ekuilibrin e oksigjenit një faktor delikat të cilin duhet ta monitorojmë në liqen”, ka deklaruar eksperti B.B. Në këtë raport ngrihet alarmi se, në liqen shkarkohen ujëra të ndotura urbane të patrajtuara.

KLSH thekson se për këtë fenomen Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk ka realizuar asnjëherë monitorime, si dhe nuk ka marrë asnjë masë konkrete për evidentimin e shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave ndaj tyre si dhe zgjidhjen e problematikës. “Për periudhën objekt auditimi 2021-2024, por edhe përtej kësaj periudhe (minimalisht që nga viti 2015), AKM nuk ka realizuar asnjëherë monitorime vjetore për Liqenin Artificial të Tiranës. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, pavarësisht se ka evidentuar dhe faktuar edhe nga rezultatet e analizave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, se në liqen shkarkohen ujëra të ndotura urbane të patrajtuara (që në muajin tetor 2024), përveç korrespondencave shkresore, nuk ka marrë asnjë masë konkrete për evidentimin e shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave ndaj tyre si dhe zgjidhjen e problematikës”, thuhet në raport. Nga inspektimi është zbuluar se janë konstatuar 8 pika aktive ku kryhej shkarkimi i ujërave në liqen nga subjektet me veprimtari ekonomike.

KLSH në raport evidenton se kemi të bëjmë me një situatë kritike mjedisore dhe se inspektimi i kryer nga Agjencia Rajonale Mjedisore Tiranë nuk ka qenë i plotë dhe nga ana e institucioneve nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret mbi identifikimin e ndotësve. “Pavarësisht se kemi pasur të bëjmë me një situatë kritike mjedisore, inspektimi i kryer nga ARM Tirana nuk ka qenë i plotë, si dhe nga ana e institucioneve nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për identifikimin e ndotësve, për të vlerësuar nëse ka edhe subjekte që disponojnë leje mjedisore, për të vijuar më tej me marrjen e masave për eliminimin e shkarkimeve të ujërave të patrajtuar/ të ndotur (urbane/ industriale, etj.) drejtpërdrejt në liqen”. LIQENI ARTIFICIAL NUK MBULOHET NGA NJE RRJET KANALIZIMESH PËR UJËRAT E NDOTURA URBANE, BASHKIA E TIRANËS ASNJË VERIFIKIM NË TERREN

Një tjetër problematikë që evdientohet në raportin e KLSH është sipas të dhënave të vendosura në dispozicion zona brenda Parkut të Madh të Liqenit Artificial nuk mbulohet nga rrjet kanalizimesh për ujërat e ndotura urbane.

Për këtë, KLSH thotë se Bashkia Tiranë dhe institucionet e varësisë nuk kanë asnjë informacion, si dhe nuk kanë kryer asnjë verifikim në terren, mbi metodat e trajtimit individual të ujërave të ndotura nga subjektet që operojnë brenda territorit të PMLAT. Po ashtu theksohet se institucionet në varësi të Bashkisë së Tiranës nuk kanë informacion mbi gropat septike të subjekteve që ndodhen në territorin e PMLAT, mbi vendndodhjen e tyre apo mbi menaxhimin/pastrimin e tyre.

KLSH thotë se gjithashtu nuk ka një numër të saktë të subjekteve që operojnë në këtë territor. “Institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë (APR, UKT Sh.a, etj.) nuk kanë informacion mbi gropat septike të subjekteve që ndodhen në territorin e PMLAT, mbi vendndodhjen e tyre apo mbi menaxhimin/pastrimin e tyre, në mospërputhje me funksionet e bashkisë të përcaktuar në Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, neni 23, pika 2 “Në fushën e 7 infrastrukturës dhe shërbimeve publike, bashkitë janë përgjegjëse në territorin e juridiksionit të tyre për mbledhjen, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura”, gjithashtu nuk ka një numër të saktë të subjekteve që operojnë në këtë territor”, nënvizon raporti./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.