Lajme Zone
SKANDAL NË ONKOLOGJIK! Errësirë dhe panik gjatë kimioterapisë
Të tjeraJOQ Albania

SKANDAL NË ONKOLOGJIK! Errësirë dhe panik gjatë kimioterapisë

Një tjetër episod i rëndë ka tronditur themelet e shërbimit onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), duke nxjerrë sërish në pah vulnerabilitetin e skajshëm të pacientëve që luftojnë me sëmundjet tumorale.

Një tjetër episod i rëndë ka tronditur themelet e shërbimit onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), duke nxjerrë sërish në pah vulnerabilitetin e skajshëm të pacientëve që luftojnë me sëmundjet tumorale.

Ambientet e këtij shërbimijetik janë zhytur në errësirë totale për rreth 15 minuta, pikërisht në momentin kur dhjetëra pacientë po i nënshtroheshin seancave të rënda të kimioterapisë. OSHEE kishte njoftuar ndërprerjen e energjisë por spitali më i madh në vend me tendera miliona lekë të zhvilluar për gjeneratorë ka dështuar duke i rrezikuar jetën pacientëve me kancer.

Ndërprerja e papritur e energjisë elektrike ka krijuar menjëherë një situatë paniku dhe ankthi si te pacientët, ashtu edhe te familjarët e pranishëm. Përballja me një trajtim kaq agresiv dhe jetik kërkon një mjedis klinikisht të kontrolluar dhe të qëndrueshëm, mungesa e të cilit cenon rëndë sigurinë shëndetësore.

Fakti që një spital i këtij niveli nuk garanton energji alternative të menjëhershme (gjeneratorë automatikë) për një repart kaq kritik, ngre dyshime të forta mbi keqmenaxhimin dhe mungesën e standardeve minimale të emergjencës.

Ky incident nuk është thjesht një defekt teknik i radhës, por maja e ajsbergut të një krize strukturore kronike që shoqëron Onkologjikun prej vitesh. Pacientët detyrohen çdo ditë të përballen me mungesa të theksuara dhe kronike të barnave jetike onkologjike, lista të gjata pritjeje dhe vështirësi burokratike për të siguruar trajtimin.

Tashmë, edhe cenueshmëri fizike dhe infrastrukturore gjatë kryerjes së procedurave mjekësore.

Deri më tani, drejtoria e QSUT-së dhe strukturat përgjegjëse kanë ruajtur një heshtje shurdhuese, duke mos dhënë shpjegime zyrtare rreth shkaqeve të këtij dështimi energjetik, apo nëse ndërprerja ka kompromentuar drejtpërdrejtë cilësinë e dozave të administruara të kimioterapisë.

Përtej mungesës së transparencës, ngjarja dëshmon dështimin e institucioneve për të garantuar sigurinë e jetës në një nga njësitë më të ndjeshme të sistemit shëndetësor publik, ku çdo sekondë dhe çdo detaj teknik ka peshën e jetës ose vdekjes.