Lajme Zone
Situatë e vështirë me zjarret, aktive vatrat në gjashtë qarqe të vendit. Dy banesa në rrezik në Shkodër
TeknologjiTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Situatë e vështirë me zjarret, aktive vatrat në gjashtë qarqe të vendit. Dy banesa në rrezik në Shkodër

43 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 13 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se 8 vatra janë nën mbikëqyrje dhe 22 janë shuar, ndërsa qindra forca zjarrfikëse dhe ushtarake vijojnë të jenë të angazhuara në terren.

43 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 13 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se 8 vatra janë nën mbikëqyrje dhe 22 janë shuar, ndërsa qindra forca zjarrfikëse dhe ushtarake vijojnë të jenë të angazhuara në terren. Në disa zona, veçanërisht në Shkodër, Dibër, Tiranë dhe Lezhë, operacionet për shuarjen e flakëve dhe mbrojtjen e zonave të banuara vijojnë edhe gjatë ditës së sotme.

“Ministria e Mbrojtjes – informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit. Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit (nga ora 09:00 e datës 8 shtator deri në orën 09:00 të datës 9 shtator 2026), janë raportuar në total 43 vatra zjarri, prej të cilave 13 mbeten aktive, 8 janë nën mbikëqyrje dhe 22 janë shuar.

Në operacione janë angazhuar 697 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 68 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 314 efektivë, 8 automjete zjarrfikëse, 1 autobot, 29 mjete, 5 autoambulanca dhe 1 dron. Janë realizuar gjithashtu 4 operacione me helikopterë.

Për ditën e sotme parashikohet vijimi i angazhimit të rreth 252 forcave ushtarake, 28 automjeteve, 2 autoambulancave dhe 1 droni.

QARKU TIRANË: Në Malin e Dajtit zjarri vijon aktiv në pyll ahu dhe shkurre, por pa rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës së djeshme u angazhuan 25 zjarrfikës, 7 forca të ADZM-së, 55 efektivë të FA-së dhe 1 helikopter; sot operacionit i shtohen rreth 50 forca ushtarake. Vatrat në Kryezi, Malin e Bërzhitës dhe Mali me Gropa janë nën mbikëqyrje.

QARKU DIBËR: Mbeten aktive vatrat në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Në Lundre–Madhesh operacioni është mbështetur edhe nga FA dhe sot do të angazhohen rreth 30 forca ushtarake. Për vatrat aktive të raportuara nuk ka rrezik për zonat e banuara.

QARKU LEZHË: Vatra në Gallatë të Kurbinit vijon aktive në një terren të vështirë, por pa rrezik për banesat. Më i konsiderueshëm është angazhimi në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku dje operuan rreth 100 forca vendore e vullnetare, 124 efektivë të FA-së, 16 mjete, 2 ambulanca dhe 1 helikopter. Sot do të vijojnë operacionet edhe me rreth 50 forca ushtarake. Aktualisht nuk raportohen zona të banuara në rrezik.

QARKU SHKODËR: Vatra mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz mbahet nën mbikëqyrje. Aktive mbeten Mnelë e Vogël, Bardhaj–Myselim dhe Mali i Tërbunit. Në Mnelë e Vogël janë raportuar 2 banesa në rrezik, të cilat po mbrohen nga forcat zjarrfikëse; dje operacioni u mbështet edhe nga 27 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse, 1 autobot dhe 1 helikopter. Në Bardhaj–Myselim dhe Tërbun nuk ka rrezik për zonat e banuara. Sot FA do të vijojë mbështetjen me rreth 80 efektivë gjithsej në këto tri vatra.

QARQET ELBASAN, VLORË DHE FIER: Në Elbasan vijon aktive vatra në Gurëshpatë të Librazhdit, pa rrezik për banesat, ndërsa Mali i Qukësit është nën mbikëqyrje. Në Vlorë, zjarri në Qesarat–Mali i Malinës, Finiq, mbetet aktiv dhe është ndërhyrë edhe me 1 helikopter, pa rrezik për zonat e banuara. Në Fier, Peshtani mbahet nën mbikëqyrje, ndërsa vatra në Çërrilë të Mallakastrës është aktive dhe sot do të mbështetet me rreth 30 forca ushtarake.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”, shkruan ministria. Top Channel