Situata e zjarreve në vend paraqitet përgjithësisht e stabilizuar dhe nën kontroll, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë punën për shuarjen e vatrave aktive dhe monitorimin e zonave të prekura.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa ndërhyrjet në terren do të vijojnë deri në eliminimin e plotë të çdo vatre zjarri.
Në qarkun Tiranë, në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit Selita, vijon monitorimi i një vatre zjarri. Në Cikallesh të Kavajës, zjarri i riaktivizuar një ditë më parë mbetet aktiv, por situata nuk paraqitet problematike dhe po menaxhohet nga strukturat zjarrfikëse, pas mbështetjes edhe me mjet ajror të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.
Në qarkun Fier, zjarri në zonën Riban–Ngraçan–Panahor–Ndrenie–Vlosht, në Mallakastër, është aktualisht nën kontroll. Po ashtu, edhe zjarri që ka avancuar nga Hekali drejt zonës Koilac–Greshicë është vënë nën kontroll.
Në qarkun Durrës, në Abaze të Krujës, situata është stabilizuar dhe zjarri është nën kontroll. Në zonë kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla me tym, ndërsa vijon ndërhyrja dhe monitorimi nga ajri dhe toka.
Në operacion janë angazhuar 2 helikopterë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura me 2 mjete zjarrfikëse, si dhe 12 efektivë dhe 3 mjete të MZSH Krujë.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet në terren, me qëllim eliminimin e plotë të vatrave dhe parandalimin e riaktivizimit të zjarreve. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet

