Me ligjin e ri, depozitat në banka do të sigurohen deri në nivelin e 6 milionë lekëve. Pas anëtarësimit në BE, niveli i sigurimit do të rritet në vlerën ekuivalente të 100 mijë eurove. Ndërkohë, kontributi që paguajnë bankat për fondin e sigurimit të depozitave nuk do të jetë më fiks dhe i barabartë, por do të llogaritet në bazë të vlerësimit të rrezikut për secilin institucion.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) ka përgatitur projektligjin e ri “Për sigurimin e depozitave”. Projektligji sjell risi të rëndësishme, duke filluar nga përafrimi gradual, për të arritur në një fazë të dytë në përputhjen e plotë, me nivelin e mbulimit të depozitave në Bashkimin Europian.
Me miratimin e ligjit të ri, shuma e sigurimit të depozitave në banka do të rritet në 6 milionë lekë, ndërsa në momentin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, shuma e siguruar do të rritet në vlerën e barasvlefshme të 100 mijë eurove.
Ligji i ri do të sjellë gjithashtu një ndryshim shumë të rëndësishëm në mënyrën e llogaritjes së primit të sigurimit për bankat anëtare të skemës. Primi i sigurimit nuk do të jetë më uniform dhe i barabartë për të gjitha bankat, por do të përcaktohet mbi bazën e një metodologjie të vlerësimit të rrezikut.
Kjo nënkupton se institucionet financiare që paraqesin rrezik më të lartë do të paguajnë një prim më të shtrenjtë sigurimi, ndërsa ato me rrezik më të ulët, një prim më të lirë.
Niveli i sigurimit të depozitave rritet në 6 milionë lekë
Me ligjin aktual, ASD siguron depozitat bankare deri në shumën e 2.5 milionë lekëve dhe depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit, deri në shumën e 2 milionë lekëve.
Projektligji i përgatitur nga ASD-ja parashikon që niveli i mbulimit, në rast të një ngjarje sigurimi do të jetë deri në 6 milionë lekë për depozitat e agreguara të çdo depozituesi në një institucion krediti anëtar të skemës.
Në një fazë të dytë, në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, niveli i mbulimit do të rritet në vlerën ekuivalente në lek e shumës deri në 100 mijë euro për depozitat e agreguara të çdo depozituesi në një anëtar të skemës.
Direktiva e Bashkimit Europian 49/2014 kërkon që vlera e sigurimit të depozitave bankare në vendet anëtare të jetë të paktën 100 mijë euro dhe projektligji i propozuar nga ASD-ja është në funksion të përafrimit të plotë të legjislacionit.
Projektligji ruan shumicën e përjashtimeve nga skema e sigurimit të depozitave që parashikohen edhe në ligjin ekzistues.
Këto përjashtime lidhen me depozitat e vetë bankave, depozitat e institucioneve të tjera financiare, si shoqëri sigurimi, fonde investimi apo fonde pensioni, depozitat e institucioneve shtetërore (përveç depozitave të njësive të drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve), depozitat që rrjedhin nga veprimtari për të cilat është dhënë vendim gjyqësor i formës së prerë për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, ose të financimit të terrorizmit.
Në listën e depozitave të përjashtuara, me projektligjin e ri, përfshihen edhe depozitat që plotësojnë kushtet për njohjen si instrumente që përmbushin kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara, sipas legjislacionit për ndërhyrjen e jashtëzakonshme, përfshirë rastin kur këto depozita kanë një maturim të mbetur më pak se një vit.
Por, në ndryshim nga ligji ekzistues, projektligji nuk i përjashton më nga sigurimi depozitat e drejtorit, administratorit në bankë dhe familjarëve të tyre, si dhe depozitat e çdo personi që zotëron 5% ose më shumë në kapitalin e subjektit anëtar ose të aksioneve me të drejtë vote në këtë subjekt.
Me ligjin e ri, depozitat e administratorëve dhe aksionerëve me pjesëmarrje influencuese në banka do të sigurohen në të njëjtën masë si depozitat e subjekteve të tjera që përfitojnë nga ligji.
Llogaritë e përkohshme sigurohen deri në 15 milionë lekë
Një risi e projektligjit është edhe kompensimi i depozitave me balancë të përkohshme deri në kufirin e 15 milionë lekëve, nëse fondet janë transferuar në llogari, ose nga momenti kur janë bërë ligjërisht të transferueshme, gjatë një periudhe jo më shumë se gjashtë muaj përpara datës së ngjarjes së sigurimit.
Depozitat me balancë të përkohshme janë depozitat të cilat burojnë nga transaksionet për pasuri të paluajtshme për banim, me kusht që depozituesi individ të paraqesë dokumentacionin që vërteton këto transaksione; nga përfitimet sociale të përcaktuara në legjislacionin në lidhje me ngjarje të tilla si martesa, divorci, pensioni, pushimi nga puna, largimi nga puna, lindja, paaftësia, trashëgimia ose vdekja, me kusht që depozituesi individ të paraqesë dokumentacionin që vërteton këto ngjarje dhe të drejtën e përfitimit të miratuar nga institucioni përkatës; nga përfitimet e sigurimit dhe risigurimit, me kusht që depozituesi individ të dorëzojë
dokumentacionin nga shoqëritë e sigurimit dhe risigurimit që vërtetojnë këto përfitime; nga
dëmshpërblimi i marrë për shkak të dënimeve të padrejta penale, me kusht që depozituesi individ të paraqesë vendimin përkatës gjyqësor.
Shuma e kompensimit për depozitat me balancë të përkohshme nuk agregohet me shumën e kompensimit të depozituesit përfitues, në rast ngjarje sigurimi.
Në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kufiri i kësaj shume do të rritet dhe ASD-ja do të kompensojë depozitat e individëve me balancë të përkohshme në vlerën ekuivalente në lekë të shumës prej 500 mijë eurosh.
Shuma e kompensimit për depozitat me balancë të përkohshme përfitohet vetëm nëse depozituesi individ paraqet në Agjenci kërkesën të shoqëruar me dokumentet justifikues, jo më vonë se tre muaj nga data e ngjarjes së sigurimit.
Kërkesat e depozituesve individë, sipas kësaj pike, do të konfirmohen nga likuidatori i anëtarit të skemës të vendosur në likuidim të detyruar ose vetë anëtari i skemës, depozitat e të cilit janë të padisponueshme.
Kompensimi i këtyre depozitave bëhet në përputhje me kriteret dhe procedurat e miratuara me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë.
Primet për bankat llogariten mbi bazë rreziku
Projektligji i ri sjell risi të rëndësishme edhe për bankat pjesëmarrëse të skemës. Kontributi i tyre nuk do të llogaritet më me bazë uniforme fikse, siç ndodh me ligjin aktual, por do të jetë i ndryshueshëm, në bazë të profilit të rrezikut.
Projektligji parashikon se institucionet e kreditit anëtare të skemës do të paguajnë kontributet vjetore të primit të bazuar në rrezik, të llogaritura në përpjesëtim me shumën e depozitave të siguruara të mbajtura në çdo institucion të kreditit anëtar, dhe me shkallën e rrezikut të marrë përsipër nga secili institucion i kreditit anëtar i skemës.
Me propozimin e Këshillit Drejtues të ASD-së, Banka e Shqipërisë do të miratojë metodologjinë për llogaritjen e kontributeve vjetore të primeve të bazuara në rrezik për institucionet e kreditit anëtare të skemës. ASD-ja duhet të vlerësojë të paktën një herë në pesë vjet, nëse kjo metodologji do të ketë nevojë për rishikim.
Këshilli Drejtues i ASD-së do të miratojë nivelin e synuar të fondit të sigurimit të depozitave në institucionet e kreditit dhe afatin për arritjen e tij. Megjithatë, ligji parashikon që niveli i synuar i fondit të sigurimit të depozitave në institucionet e kreditit, në çdo rast, nuk duhet të jetë më pak se 0.8% e shumës së depozitave të siguruara në institucionet e kreditit anëtare të skemës.
Në rast se niveli i synuar i fondit të sigurimit të depozitave në institucionet e kreditit bie nën dy të tretat e nivelit të synuar, të miratuar nga Këshilli Drejtues i Agjencisë, si pasojë e rritjes së depozitave të siguruara ose të një ngjarje sigurimi, atëherë kontributet vjetore të primit që do të paguhen, duhet të mundësojnë që ky nivel të arrihet maksimumi brenda 6 viteve.
Gjithashtu, nëse mjetet financiare të disponueshme të Agjencisë nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet e Agjencisë ndaj depozituesve në rast ngjarje sigurimi, me propozimin e Këshillit Drejtues të Agjencisë dhe miratimin e Bankës së Shqipërisë, anëtarët e skemës mund të detyrohen të paguajnë një kontribut të jashtëzakonshëm, shuma e të cilit për një vit kalendarik nuk kalon 0.5 për qind të depozitave të siguruara të këtij anëtari.
Në raste të jashtëzakonshme, gjithmonë me propozim të Këshillit Drejtues të Agjencisë dhe me miratim të Bankës së Shqipërisë, anëtarët mund të paguajnë kontribute të jashtëzakonshme edhe më të larta se niveli i mësipërm.
Me kërkesë të një anëtari, Banka e Shqipërisë mund të shtyjë, tërësisht ose pjesërisht, pagesën e kontributit të jashtëzakonshëm, për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj, në rast se kjo pagesë do të rrezikonte likuiditetin ose aftësinë paguese të anëtarit përkatës.
Projektligji parashikon gjithashtu që, në rastet kur mjetet financiare të disponueshme të fondit të sigurimit të depozitave në institucionet e kreditit tejkalojnë nivelin e synuar të këtij fondi, të miratuar me vendim të Këshillit Drejtues të Agjencisë, Këshilli Drejtues mund të vendosë uljen e kontributit vjetor të primit, vazhdimin e pagesës së kontributeve vjetore të primit me qëllim ruajtjen e nivelit të synuar të fondit, ose ndërprerjen e përkohshme të pagesës së tij.
Kur mjetet financiare të disponueshme të fondit të sigurimit të depozitave në institucionet e kreditit bien nën nivelin e synuar, pagesa e kontributeve vjetore të primit duhet të rifillojë me vendim të Këshillit Drejtues të Agjencisë, të paktën derisa të arrihet përsëri niveli i synuar i fondit
Ashtu siç parashikohet edhe në ligjin ekzistues, çdo subjekt i ri, që kërkon anëtarësimin në skemën e sigurimit të depozitave duhet të paguajë një kontribut fillestar në masën 0.5% të kapitalit fillestar, të konvertuar në lekë, në llogarinë e Agjencisë pranë Bankës së Shqipërisë, përpara marrjes së certifikatës së anëtarësimit në skemë. Në fund të vitit të parë të anëtarësimit, subjekti duhet të paguajë gjithashtu shtesën e kontributit fillestar që llogaritet në masën 0.5% të kapitalit të shtuar gjatë atij viti.
Këshilli Drejtues i Agjencisë mund të vendosë përjashtimin nga detyrimi për të paguar kontributin fillestar për anëtarët e rinj të skemës, të cilët krijohen duke marrë përsipër depozitat dhe detyrimet e një subjekti anëtar ekzistues.
Nëse mjetet financiare të disponueshme të fondit të sigurimit të depozitave në institucionet e
kreditit ose të fondit të sigurimit të depozitave në SHKK janë të pamjaftueshme për të përmbushur detyrimet e Agjencisë ndaj depozituesve, në rast ngjarje sigurimi, Agjencia mund të plotësojë fondet nëpërmjet disa mekanizmash.
Kjo mund të bëhet nga pagesa e kontributit vjetor ose tremujor të primit përpara afatit nga anëtarët e skemës, nga pagesa e kontributeve të jashtëzakonshme nga anëtarët e skemës, me huamarrje nga anëtarët e skemës, ose nga burime të tjera të tregut, huamarrje midis fondeve të menaxhuara nga ASD-ja, ose me hua apo garanci nga buxheti i shtetit. Huaja nga buxheti i shtetit mund të përdoret vetëm në rast të ndodhjes së një ngjarje sigurimi dhe vetëm pasi të jenë ezauruar burimet e tjera të parashikuara.
Ligji i ri nuk parashikon ndryshime thelbësore në politikën e investimit të mjeteve financiare.
Fondet e sigurimit të depozitave mund të investohen në depozita në Bankën e Shqipërisë, tituj, të emetuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë ose Banka e Shqipërisë, si dhe tituj të emetuara nga qeveritë dhe bankat qendrore, institucione financiare dhe shoqëri aksionere ndërkombëtare të cilat vlerësohen si të investueshme nga agjenci për vlerësimin e rrezikut, të njohura ndërkombëtarisht.
Rritet primi i sigurimit për SHKK-të
Projektligji parashikon që niveli i mbulimit, në rast të një ngjarje sigurimi, do të jetë deri në 2 milionë lekë për depozitat e agreguara të çdo depozituesi në një Shoqëri Kursim-Krediti (SHKK) anëtare të skemës. Kufiri i sigurimit të depozitave në SHKK-të ngelet i njëjtë me atë të parashikuar në ligjin ekzistues.
Gjithashtu, ndryshe nga bankat, SHKK-të do të vazhdojnë të paguajnë prim sigurimi fiks dhe uniform për të gjithë anëtarët e kësaj kategorie. Megjithatë, kontributi tremujor i primit do të rritet në nivelin 0,125 për qind e mesatares të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në SHKK në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.
Ligji aktual përcakton se primi tremujor i sigurimit është në nivelin e 0.075% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara.
Depozita e siguruar për çdo depozitues llogaritet duke agreguar depozitat e pranueshme për sigurim, përfshirë edhe interesin e llogaritur deri në datën e raportimit.
Megjithatë, edhe për SHKK-të parashikohet që të kalohet në llogaritje të kontributit me bazë rreziku në momentin që Shqipëria do të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian.
Pas anëtarësimit në BE, edhe SHKK-të anëtare të skemës do të paguajnë kontributet vjetore të primit të bazuara në rrezik, të llogaritura në përpjesëtim me shumën e depozitave të siguruara të mbajtura në çdo institucion të kreditit ose SHKK anëtare dhe me shkallën e rrezikut të marrë përsipër nga secili institucion i kreditit ose SHKK anëtare e skemës.
Hiqet kufizimi prej dy mandatesh për Drejtorin e Përgjithshëm
Projektligji i ri nuk sjell ndryshime shumë të rëndësishme në organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Një element shtesë do të jetë kompetenca për të administruar fondin e kompensimit të investitorëve në përputhje me legjislacionin për tregjet e kapitalit në Republikën e Shqipërisë dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
Megjithatë, ky fond nuk është krijuar ende dhe është një proces që duhet të udhëhiqet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Një risi në të drejtat ligjore të agjencisë do të jetë përjashtimi si subjekt i dispozitave të ligjit për prokurimin publik dhe akteve nënligjore në fuqi për zbatimin e tij, por vetëm për qëllime të përgatitjes dhe kryerjes së funksioneve të Agjencisë në rast ngjarje sigurimi.
Banka e Shqipërisë do të miratojë me akt nënligjor rregullat dhe procedurat për kontraktim për përgatitjen dhe kryerjen e funksioneve të Agjencisë, në rast ngjarje sigurimi.
Edhe në ligjin e ri, organet kryesore drejtuese do të jenë Këshilli Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm.
Këshilli Drejtues do të ketë pesë anëtarë dhe formula e emërimit dhe propozimit të tyre është e njëjtë si në ligjin aktual. Anëtarët do të emërohen nga Banka e Shqipërisë.
Dy anëtarë do të propozohen nga Banka e Shqipërisë, dy anëtarë nga Ministria përgjegjëse për Financat dhe një anëtar nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar. Mandati i tyre do të jetë pesëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.
Kriteret kryesore që duhet të përmbushë kandidati për anëtar i Këshillit Drejtues, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm, janë të njëjta me ligjin e ekzistues.
Ai duhet të jetë shtetas shqiptar, të jetë diplomuar në nivel master në shkencat ekonomike ose juridike; të ketë jo më pak se 7 vjet përvojë profesionale në fushën e sistemit bankar, financiar ose institucionet publike shtetërore; të ketë mbajtur një pozicion drejtues për të paktën 3 vjet në institucione financiare ose të kontrollit financiar që veprojnë në tregun financiar të brendshëm ose të jashtëm ose në institucionet publike shtetërore, si dhe të përmbushë kërkesat e lidhura me konfliktin e interesit.
Drejtori i përgjithshëm duhet të jetë një nga anëtarët e Këshillit Drejtues që përfaqëson Bankën e Shqipërisë. Ai emërohet dhe shkarkohet nga Banka e Shqipërisë, me propozim të Këshillit Drejtues.
Megjithatë, projektligji i ri heq kufizimin e ligjit ekzistues, që nuk e lejon Drejtorin e Përgjithshëm të rizgjidhet më shumë se një herë. Në ligjin e ri, nuk përcaktohen kufizime dhe rregulli do të jetë i njëjtë si për anëtarët e tjerë të Këshillit Drejtues, pra, mandati pesëvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje të pakufizuar specifikisht.
Drejtori i Përgjithshëm vepron si drejtor ekzekutiv i Agjencisë, ndërsa ligji i ri jep përcaktime për pozicionin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, pozicion që nuk përcaktohet në ligjin aktual.
Në rast se Drejtori i Përgjithshëm mungon, është në pamundësi për të vepruar, ose pozicioni i tij i punës është i lirë, zëvendësdrejtori i përgjithshëm vepron në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.
Drejtori i Përgjithshëm, me miratim të Këshillit Drejtues, mund t’i delegojë disa nga kompetencat e tij zëvendësdrejtorit të përgjithshëm.
Një dispozitë shtesë e ligjit të ri lidhur me funksionet e Drejtorit të Përgjithshëm është se pas largimit nga kjo detyrë me përfundimin e mandatit, ai nuk duhet të punësohet në një nga anëtarët e skemës, gjatë një periudhe prej një viti nga data e largimit nga detyra. Gjatë kësaj periudhe, ai përfiton një vit nga e drejta për shpërblim në vlerën e pagës që ka pasur, kur ka qenë në detyrë.
Lirimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues nga detyra, përfshi Drejtorin e Përgjithshëm, do të bëhet nga Banka e Shqipërisë, por në projektligjin e ri përcaktohet se kjo mund të bëhet vetëm me propozim të Këshillit Drejtues.
Kriteret kryesore për shkarkimin janë që anëtari të ketë munguar tri ose më shumë herë, në vazhdimësi, në mbledhjet e radhës së Këshillit Drejtues, pa shkak të arsyeshëm; të bëhet fizikisht ose mendërisht i paaftë për të përmbushur detyrën për të cilën është emëruar; të shkelë rëndë etikën, ose të cenojë interesat e Agjencisë; gjatë ushtrimit të funksioneve të veprojë në kundërshtim me detyrimin për ruajtjen e konfidencialitetit.
Propozimi i Këshillit Drejtues të Agjencisë për shkarkimin e anëtarit të Këshillit Drejtues ose të Drejtorit të Përgjithshëm merret me shumicë të kualifikuar të votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues. /Monitor Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

