Kombëtarja shqiptare ka dhuruar dje një mbrëmje të bukur futbolli në stadiumin “Air Albania”, pasi mposhti Finlandën me rezultatin 2-0. Kuqezinjtë zhvilluan një paraqitje pozitive, duke marrë tri pikët dhe duke mbajtur gjallë objektivin për ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Ernest Muçi dhe Rey Manaj ishin autorët e dy golave, ndërsa atmosfera në shkallët e stadiumit ishte elektrizuese. Përtej rezultatit sportiv, takimi u shoqërua edhe me thirrje dhe protesta të tifozëve kundër kryeministrit Edi Rama.
Përpjekjet e skuadrës u konkretizuan në minutën e 35-të, kur Ernest Muçi realizoi golin e avantazhit me një goditje spektakolare, duke ndezur festën në shkallët e stadiumit.
Goli i parë i dha më shumë besim skuadrës shqiptare, e cila vazhdoi të kërkonte hapësira për të dyfishuar rezultatin. Kjo do të vinte në minutën e 50-të, kur një krosim i Elseid Hysajt u shfrytëzua në mënyrë perfekte nga Rey Manaj, i cili me një goditje me kokë dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 2-0.
Situata u bë edhe më e vështirë për Finlandën në minutën e 67-të, kur futbollisti Tenho u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën e tij me dhjetë lojtarë. Asllani lojtari më i vlerësuar, Muçi dhe Hysaj në ndjekjePas përfundimit të ndeshjes, platforma statistikore “Sofascore” publikoi vlerësimet për futbollistët e të dyja skuadrave.
Kristjan Asllani u vlerësua si lojtari më i mirë i takimit, duke marrë notën 8.1. Pas tij u renditën Ernest Muçi dhe Elseid Hysaj, të dy me notën 7.9, duke reflektuar kontributin e tyre në fitoren e kuqezinjve.
Në krahun tjetër, një mbrëmje për t'u harruar pati Tenho, i cili pas kartonit të kuq u vlerësua me notën 5.9.
Maran: Ishte një festë për të gjithë, tifozët u kthyen në shtëpi të lumturPas përfundimit të sfidës, trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, nuk e fshehu kënaqësinë për rezultatin dhe paraqitjen e skuadrës. Tekniku italian vlerësoi veçanërisht atmosferën e krijuar në stadium, duke theksuar se kjo fitore ishte një moment i bukur për të gjithë tifozët shqiptarë.
“I lumtur? Si të mos jem! Përtej rezultatit, ishte një festë për të gjithë. Tifozët u argëtuan, u kthyen në shtëpi me buzëqeshje dhe të lumtur për këtë fitore. Në këto orë do t'i gëzohemi kësaj fitoreje, sepse që nga nesër do të mendojmë për Bjellorusinë”, u shpreh Maran.
Pavarësisht kënaqësisë për fitoren, tekniku italian evidentoi edhe disa momente që skuadra duhet të përmirësojë. Sipas tij, në fund të pjesës së parë Shqipëria u tërhoq më shumë seç duhej, duke i dhënë Finlandës mundësi të gjente hapësira.
“Në fund të pjesës së parë u tërhoqëm dhe nuk ushtruam presion. Ne nuk duhet të bëhemi ekip pasiv, sepse kur ndodh kjo, kundërshtarët gjejnë hapësira dhe bëjnë lëvizjet e tyre. Duhet të kemi presionin e duhur. Kur e ulim atë, siç ndodhi në fund, shihet se nuk jemi aty ku duhet”, analizoi Maran.
Fris: Ndeshja ishte e barabartë deri në kartonin e kuqNë kampin finlandez, humbja la padyshim zhgënjim. Trajneri Jakob Fris, në prononcimin e tij pas ndeshjes, u shpreh se nuk kishte arsye për të fajësuar futbollistët për mungesë përpjekjesh apo për qasjen e tyre në fushën e lojës.
Sipas tij, Finlanda kishte pasur momentet e veta të mira dhe kishte krijuar mundësi për të shënuar, ndërsa ndeshja kishte qenë e ekuilibruar deri në momentin kur skuadra mbeti me dhjetë lojtarë.
“Nuk mund të fajësoj lojtarët që nuk u munduan apo që kishim qasjen e gabuar në fushë. Mendoj se ndeshja ishte në përgjithësi e barabartë. Ne kishim disa momente të mira presioni dhe mundësi shënimi në zonë. Kishim po aq raste sa Shqipëria deri në momentin e kartonit të kuq”, deklaroi Fris.
Tekniku finlandez pranoi se rezultati ishte zhgënjyes, sidomos duke pasur parasysh objektivin që skuadra kishte vendosur për këtë përballje.
“Është me të vërtetë e vështirë të fajësosh lojtarët për çdo gjë tjetër përtej eficencës së njëjtë me kundërshtarët. Kur vendos një objektiv dhe nuk e arrin, është padyshim zhgënjyese. Zhgënjim është fjala e duhur”, përfi ai.
Air Albania në festë, por tifozët nuk harrojnë protestën kundër RamësPërveç futbollit dhe rezultatit të arritur në fushë, vëmendje të veçantë mori edhe atmosfera e krijuar nga tifozët shqiptarë në stadiumin “Air Albania”. Shkallët e stadiumit kombëtar ishin të mbushura me tifozë kuqezi, të cilët mbështetën kombëtaren gjatë gjithë takimit. Një moment veçanërisht emocionues ishte ekzekutimi i himnit kombëtar, kur i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë dhe këndoi njëzëri, ndërsa tribunat u mbuluan nga ngjyrat kuqezi.
Koreografia e “Tifozave Kuqezi” i kushtohej gjithashtu Erjon Vishkullit, i plagosur në sy gjatë protestës studentore, duke përcjellë një mesazh solidariteti nga tribunat. Por, krahas mbështetjes për kombëtaren, tifozët nuk hoqën dorë as nga protestat kundër kryeministrit Edi Rama. Gjatë ndeshjes, në disa momente stadiumi u përfshi nga thirrjet në kor: “Rama, jep dorëheqjen!”.
Thirrjet kundër kryeministrit janë bërë pjesë e reagimeve të tifozëve në ndeshjet e kombëtares prej muajsh. Këtë herë ato u dëgjuan sërish në një stadium të mbushur, duke ndërthurur festën sportive me një mesazh të qartë proteste qytetare.
Balla ofendon tifozët
Në rrjetet sociale u shpërndanë gjithashtu pamje ku pretendohet se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagon ndaj tifozëve gjatë kohës kur ata këndonin thirrjen kundër Ramës. Sipas materialeve të publikuara, Balla shihet duke bërë një gjest me krahun në drejtim të tribunave, ndërsa situata është shoqëruar me reagime dhe komente të shumta. Rama reagon nga Dublini: Na dhanë një fitore fantastikeFitorja e Shqipërisë mori vëmendje edhe në arenën politike. Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale, ndërsa ndodhej në Dublin për takimin e Komunitetit Politik Europian.
Rama tregoi se gjatë mbrëmjes kishte qenë në darkën e liderëve europianë, ku në të njëjtën tryezë ndodhej edhe kryeministri finlandez, së bashku me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Berisha përgëzon kombëtaren: Fitore fantastike dhe e merituarEdhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi pas triumfit të Shqipërisë, duke përgëzuar futbollistët, stafin teknik dhe tifozët kuqezi.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha vlerësoi autorët e golave, kapitenin Berat Gjimshiti dhe trajnerin Rolando Maran, ndërsa një mesazh të veçantë ia kushtoi edhe mbështetësve në stadium.
“Urime zemre Kombëtares sonë për këtë fitore fantastike dhe të merituar!
Golshënuesve Muçi dhe Manaj faleminderit për emocionet dhe golat vendimtarë!
Kapitenit Gjimshiti: Lider i vërtetë që e udhëhoqi skuadrën me grintë e dinjitet.
Trajneri Maran: Strategji perfekte dhe fitore e merituar e përgatitur në detaje.
Tifozët (Kuqezinjtë): Zëri dhe zemra që nuk u ndalën asnjë sekondë!
Krenarë për këtë skuadër! Forca Shqipëri!”, shkroi Berisha.
Gjithçka vendoset ndaj BjellorusisëPas fitores ndaj Finlandës, vëmendja e kombëtares shqiptare përqendrohet tashmë te sfida e radhës ndaj Bjellorusisë. Kuqezinjtë kanë përpara një përballje vendimtare për objektivin e tyre në Ligën e Kombeve, ku një pikë do të mjaftonte për të siguruar ngjitjen në Ligën B.
Fitorja në “Air Albania” i ka dhënë skuadrës besimin dhe qetësinë e nevojshme për të përgatitur takimin e radhës. Megjithatë, siç theksoi edhe trajneri Maran, festimet për triumfin ndaj Finlandës duhet të lihen pas, pasi tashmë e gjithë vëmendja është te Bjellorusia.
Shqipëria kërkon ta mbyllë me sukses këtë rrugëtim në grup dhe të shpërblejë mbështetjen e tifozëve, të cilët edhe një herë treguan se janë pranë kombëtares në çdo moment.
Një fitore 2-0, një stadium që këndoi në kor, dy gola që ndezën festën kuqezi dhe një sfidë e fundit që mund të vulosë objektivin e madh: Shqipëria është vetëm një hap larg Ligës B. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

