Koktejet mund të duken mbresëlënëse, por nëse i përgatitni vetë këta shurupe, mund të bëni vetë në shtëpi pije po aq elegante dhe të shijshme. Barmenia Lydia Raaf-Dahaldian nga Dorothy Bar në Mynih betohet për shurupet e bëra në shtëpi. "Është një mënyrë për të përdorur mbetjet dhe thjesht për të qenë kreativë“, thotë ajo.Lexo edhe:Nesër eklipsi i plotë diellor, ja ku mund të shihet Shurupi është i njohur dhe ruan e përcjell shijet, thotë ajo. Për ta përgatitur shurupin e saj, Raaf-Dahaldian përdor një raport 1:1 të sheqerit me ujin domethënë, një pjesë sheqer me një pjesë ujë. Në industrinë e pijeve kjo njihet si shurup i thjeshtë. Përgatitni aq sa ju nevojitet. Filloni duke vendosur ujin dhe sheqerin të ziejnë, duke i përzier herë pas here derisa kristalet e sheqerit të jenë tretur plotësisht. Më pas lëreni të ziejë ngadalë për disa minuta në zjarr të ulët, në mënyrë që shurupi të trashet. Barmeni britanik Owen Williams rekomandon përdorimin e shurupit të thjeshtë, për shembull, për një Lemon Spritz pa alkool. Ai hedh lëng limoni të shtrydhur të freskët, shurup, ujë sodë dhe verë të gazuar pa alkool në një gotë vere të mbushur me kube akulli. Më pas e zbukuron gotën me një degëz të freskët rozmarine. Jepini shije me barishte ose erëza Mund t’i jepni shije tretësirës së sheqerit me barishte, si rozmarinë, trumzë ose livando, si edhe me erëza, fruta, vanilje ose limon. Hidhni shurupin e nxehtë të sheqerit mbi barishtet dhe erëzat, më pas lëreni të qëndrojë gjatë natës që të marrë shijen e tyre. Ruajeni përzierjen në një shishe të pastër, në një vend të freskët; shurupi ruhet deri në 4 javë. Për të bërë shurup rozmarine, Raaf-Dahaldian vendos një degëz rozmarine në tretësirën e sheqerit. Përndryshe, ajo i jep shije shurupit me lule të thata livandoje ose lëkurë limoni të grirë. Mund të shtypni fruta, si luleshtrydhe, në një gotë dhe t’u hidhni sipër shurupin. Lëreni këtë përzierje të marrë shije për 24 orë në frigorifer dhe më pas kullojeni në një kavanoz të pastër. Shurupi i luleshtrydheve do të ruhet në frigorifer për 3 javë. Williams, një barmen uellsian që përqendrohet te pijet pa alkool, shërben një tonic me luleshtrydhe dhe borzilok, me limon dhe ujë tonik, në një gotë të lartë highball, me borzilok dhe akull të grimcuar. Sipas tij, kjo është një pije e shijshme verore. Shurup Earl Grey Ky shurup është një përbërës kryesor i Earl of Bramble të Williams, të cilin ai e përgatit me manaferra, shurup çaji, xhin pa alkool dhe lëng limoni të shtrydhur të freskët. Shërbejeni pijen mbi akull të grimcuar në një gotë tumbler, të zbukuruar me manaferra dhe nenexhik. Për të bërë 350 ml shurup Earl Grey, ai merr 240 ml çaj Earl Grey të fortë, të sapozier, dhe e vendos të ziejë në një tenxhere me 200 gramë sheqer. Më pas e lë të ziejë ngadalë në zjarr të ulët, duke e përzier vazhdimisht, derisa sheqeri të tretet. Më pas e heq shurupin nga zjarri, e lë të ftohet dhe e hedh në një kavanoz me kapak me vidhosje. Përzierja mund të ruhet në frigorifer deri në 3 javë./DPA News

