Sot do të rikujtojmë një denoncim të bërë më 21 shtator 2021, kur në qendër të vëmendjes vendosëm Shpresa Joanidhin dhe kompaninë DION-AL, ish-SHPRESA SHPK, për përfitimet nga tenderat publikë. Në atë kohë denoncuam një procedurë të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, nën Bashkinë Tiranë, me objekt “Tirana Akademi e Çiklizmit (Ndërtim Montim)”, me vlerë rreth 106 milionë lekë pa TVSH. Në procedurë kishte vetëm një ofertues, DION-AL, çka ngriti pikëpyetje serioze mbi konkurrencën dhe mënyrën e përdorimit të parave publike. Në shkrimin e atëhershëm ngrinim gjithashtu pyetje mbi kriteret ligjore të pjesëmarrjes në tendera, duke iu referuar edhe nenit 76 të Ligjit për Prokurimin Publik.
Emrat dhe shifrat e asaj kohe sot marrin një tjetër kuptim, pasi DION-AL ka vijuar të shfaqet në kontrata dhe pagesa nga institucionet publike. Kompania, me NIPT K67917301H, lidhet publikisht me emrin e Shpresa Joanidhit, ndërsa të dhënat e disponueshme për prokurimet dhe pagesat publike tregojnë një aktivitet të konsiderueshëm me institucione shtetërore dhe vendore. Kjo ngre një pyetje të drejtpërdrejtë për Bashkinë Tiranë: si janë kontrolluar ndër vite procedurat, konkurrenca dhe kriteret e kualifikimit për kompanitë që marrin kontrata me paratë e qytetarëve? Nëse gjithçka është bërë sipas ligjit, atëherë transparenca duhet të jetë e plotë dhe dokumentet duhet të flasin vetë.
Pesë vite më pas, pyetjet që ngrinim më 21 shtator 2021 mbeten ende të rëndësishme. Shpresa Joanidhi, DION-AL, ish-SHPRESA SHPK dhe institucionet që kanë kontraktuar me këto kompani janë pjesë e një historie që kërkon transparencë mbi tenderat, fondet limit, ofertat, konkurrencën dhe zbatimin e kontratave. Dhe mbi të gjitha, Bashkia Tiranë me kryetar Erion Veliajn duhet t’u japë qytetarëve përgjigje se si dhe pse janë dhënë këto kontrata, ndërsa çdo pretendim për shkelje duhet të vlerësohet mbi bazën e dokumenteve dhe vendimeve zyrtare. Pesë vite pas denoncimit tonë të parë, paratë janë ende publike dhe pyetja mbetet po ajo: kush kontrollon se ku përfjnë?

