Gazeta italiane “Il Gazzettino” i ka kushtuar një artikull zgjerimit të aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare në rajonin e Venetos, duke ngritur shqetësimin se ndikimi i tyre nuk kufizohet më vetëm te trafiku i drogës, por po shtrihet edhe në ekonominë e ligjshme. Sipas gazetës, rrjetet shqiptare prej vitesh janë të përfshira në trafikun e kokainës dhe marijuanës në Venecia, Mestre, Padova dhe Verona, ndërsa operojnë kryesisht përmes klaneve familjare, me drejtues që në shumë raste qëndrojnë jashtë Italisë. Artikulli përmend edhe disa operacione gjatë vitit 2026, ku janë arrestuar në Tiranë dhe Dubai persona të dyshuar si drejtues të këtyre rrjeteve.
Duke iu referuar raporteve të Drejtorisë Italiane të Antimafias (DIA) dhe strukturave hetimore antimafia, “Il Gazzettino” i përshkruan grupet shqiptare si ndër organizatat e fuqishme kriminale të huaja në rajon. Sipas hetimeve të cituara nga media, këto rrjete karakterizohen nga lidhjet e forta familjare, besnikëria ndaj klanit dhe përdorimi i komunikimeve të koduara, elemente që vështirësojnë depërtimin e policisë. Një tjetër shqetësim lidhet me dyshimet për pastrimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës, përmes blerjes së bareve, restoranteve dhe pasurive të paluajtshme në Venecia. Hetimet në Verona kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e kompanive fiktive për blerjen e pronave dhe bizneseve tregtare.
Artikulli ngre edhe çështjen e bashkëpunimit të dyshuar mes grupeve shqiptare dhe organizatave mafioze italiane, veçanërisht ‘Ndranghetës, nëpërmjet marrëveshjeve për furnizimin me narkotikë dhe mbështetjes logjistike. Sipas gazetës, investimet e dyshuara me para me origjinë kriminale përbëjnë një shqetësim për ekonominë lokale, pasi mund të krijojnë konkurrencë të pandershme dhe të deformojnë tregun. “Il Gazzettino” thekson se sfida për autoritetet italiane tashmë nuk është vetëm goditja e trafikut të drogës, por edhe identifikimi i parave të paligjshme që dyshohet se po investohen në sektorët e biznesit dhe pasurive të paluajtshme.

