Arrestimi i Bojun He në 4 Nëntor në Mexico City. / Rrjetet financiare kineze janë kthyer në ndërmjetës të rëndësishëm për organizatat kriminale në Meksikë, duke u mundësuar atyre të pastrojnë fitimet e narkotrafikut përmes tregtisë ndërkombëtare, bankave informale dhe kriptomonedhave. Arrestimi i një prej drejtuesve të dyshuar të këtyre rrjeteve në Mexico City ka nxjerrë në pah përmasat e një biznesi që po lulëzon në prapaskenë. Arrestimi i Bojun He, i njohur me nofkën “El Chino”, më 4 nëntor në Mexico City, ka rikthyer vëmendjen te bashkëpunimi gjithnjë e më i ngushtë mes karteleve meksikane të drogës dhe rrjeteve kineze të pastrimit të parave.
Gjatë operacionit në lagjen Miguel Hidalgo, autoritetet sekuestruan rreth 2 milionë dollarë dhe 43 milionë pesos meksikane, në monedha vendase dhe të huaja. He dyshohet se drejtonte një rrjet financiar që pastronte paratë e organizatave kriminale, mes tyre edhe të kartelit Unión Tepito, një prej grupeve më të njohura të krimit të organizuar në kryeqytetin meksikan.
Sipas hetimeve, aktiviteti i tij lidhej gjithashtu me trafikun e armëve dhe të qenieve njerëzore, me shtrirje në Mexico City, Tijuana dhe Cancún. Rasti ka nxjerrë në pah rolin e ndërmjetësve financiarë, të njohur si “broker” (ndërmjetës), të cilët shërbejnë si krahu ekonomik i karteleve dhe u mundësojnë atyre të fusin fitimet kriminale në ekonominë e ligjshme.
Arrestimi i “El Chino”, sjell në kujtesë një sërë rastesh të mëparshme. Në vitin 2007, autoritetet meksikane arrestuan Tomoiyi Yu në banesën e tij në Lomas de Chapultepec, në Mexico City, ku sekuestruan më shumë se 200 milionë dollarë.
Një tjetër rast ishte ai i Zhen Li Ye Gon, biznesmen meksikan me origjinë kineze, i akuzuar në Meksikë dhe SHBA për tregti të paligjshme të lëndëve kimike që përdoreshin për prodhimin e metamfetaminës. Bashkëshortja e tij, u dënua me 15 vjet burg për pjesëmarrje në krim të organizuar, pastrim parash dhe posedim armësh e municionesh të kategorisë ushtarake.
Në vitet e fundit janë regjistruar edhe raste të tjera, si ai i Zhi Dong Zhang, i njohur si “Brother Wang” dhe i konsideruar një prej figurave kryesore kineze në trafikun e fentanilit, si dhe i holandezit Marco Ebben, i cili dyshohej se ndërmjetësonte financiarisht për Ismael “El Mayo” Zambada. Ebben u vra në Atizapán në vitin 2025.
Ajo që i bashkon këto raste,, është roli i ndërmjetësve në lidhjen e organizatave kriminale në kontinente të ndryshme dhe në shndërrimin e parave të pista në pasuri që mund të përdoren lirisht.
Víctor Sánchez, studiues në Universitetin Autonom të Coahuila-s, thotë se individë me origjinë kineze dhe rrjete që veprojnë nga Kina, disa prej të cilave dyshohet se kanë lidhje me organizatat kriminale të njohura si triada, po integrohen gjithnjë e më shumë në aktivitetin e karteleve meksikane.
Sipas tij, këto rrjete mund të jenë, së bashku me mafiet shqiptare, ndër burimet kryesore të shërbimeve të pastrimit të parave për narkotrafikantët. Arsyeja e parë lidhet me vëllimin e jashtëzakonshëm të tregtisë mes Kinës dhe Meksikës.
Fluksi i vazhdueshëm i mallrave që mbërrijnë në portet meksikane, krijon mundësi për të maskuar transaksionet e paligjshme si veprimtari të zakonshme tregtare. Teksa mijëra ngarkesa hyjnë në vend, kontrolli i plotë i çdo transaksioni bëhet jashtëzakonisht i vështirë.
“Çdo ngarkesë mallrash kineze që mbërrin në portet e ndryshme të Meksikës mund të shndërrohet në një mundësi për pastrimin e parave. Kur bëhet fjalë për një fluks kaq të madh dhe të shpeshtë, është pothuajse e pamundur të kontrollohen të gjitha”, shpjegon Sánchez.
Avantazhi i dytë është kostoja. Ndërsa ndërmjetësit e tjerë financiarë kërkojnë zakonisht komisione prej 10-15 për qind të shumës që pastrohet, rrjetet kineze ofrojnë shërbime me tarifa shumë më të ulëta, rreth 3-5 për qind. Kjo i bën ato veçanërisht tërheqëse për organizatat kriminale, të cilat kërkojnë të rikthejnë në qarkullim sa më shumë nga fitimet e tyre.
Pablo Pérez, ekspert ndërkombëtar për pastrimin e parave dhe rikuperimin e aseteve, shpjegon se një prej mekanizmave kryesorë të këtyre rrjeteve është transferimi i fondeve përmes një trekëndëshi financiar mes Kinës, Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara.
Kina ka në fuqi kufizime të forta për qytetarët që duan të transferojnë valutë jashtë vendit, me një kufi vjetor prej 50.000 dollarësh për blerjen e valutës së huaj. Ndërkohë, shumë biznesmenë dhe individë kërkojnë të transferojnë kapitalin e tyre në renminbi, monedha zyrtare kineze, për të investuar jashtë vendit, veçanërisht në pasuri të paluajtshme në SHBA.
Nga ana tjetër, kartelet meksikane shesin drogë në tregun amerikan dhe grumbullojnë dollarë në para të gatshme, të cilat më pas duhet t'i kthejnë në Meksikë dhe t'i konvertojnë në pesos. Për të bashkuar këto dy nevoja, ndërmjetësit përdorin sistemin informal bankar kinez të njohur si “Fei Qian”, një mekanizëm transferimi vlerash që funksionon në mënyrë të ngjashme me sistemin tradicional Hawala.
Në praktikë, një investitor në Kinë i dorëzon renminbi një ndërmjetësi informal, ndërsa rrjeti i siguron shumën përkatëse në dollarë në SHBA, duke përdorur paratë e fituara nga karteli përmes trafikut të drogës.
Për të balancuar llogaritë mes Kinës dhe Meksikës, përdoren kompani importuese, për shembull në sektorin e pajisjeve elektroshtëpiake apo të telekomunikacionit. Një kompani meksikane mund të marrë mallra të deklaruara me vlerë 10 milionë dollarë, por të paguajë vetëm 8 milionë.
Diferenca prej 2 milionësh shlyhet përmes rrjetit informal, duke mundësuar transferimin e vlerës pa një lëvizje të drejtpërdrejtë të parave. Në këtë skemë përdoren edhe kriptomonedhat, veçanërisht Bitcoin, për të transferuar fonde përtej kufijve.
Në SHBA, paratë e paligjshme futen në sistemin bankar përmes depozitave të ndara në shuma të vogla. Sipas Pérez, rrjetet rekrutojnë edhe studentë kinezë, të cilët depozitojnë para në bankomate në këmbim të pagesave për shpenzimet e jetesës.
Një tjetër metodë është përdorimi i bizneseve të komunitetit kinez, si restorantet, dyqanet, pikat e këmbimit valutor dhe agjencitë e transfertave, ku paratë kriminale përzihen me të ardhurat e ligjshme.
Komisionet për këto shërbime mund të arrijnë nga 5-10 për qind. Po ashtu, përdoren fatura të falsifikuara për shërbime konsulence apo furnizime që nuk kanë ekzistuar, me qëllim justifikimin e blerjeve të pasurive luksoze, përfshirë apartamentet në Miami.
Një shembull i përmasave që mund të marrë ky fenomen, është gjoba prej 500 milionë dollarësh e vendosur nga autoritetet amerikane ndaj Bank of America, për mangësi në kontrollet e brendshme që, sipas raportimit, lejuan kalimin e transaksioneve të lidhura me rrjete kineze.
Sipas Pérez, vlerësohet se më shumë se 5 miliardë dollarë kanë kaluar përmes bankës pa kontrollet e duhura. Ai thekson se kjo çështje është kthyer në një përparësi për qeveritë e Meksikës dhe SHBA-së, si dhe pjesë e vlerësimeve të rrezikut të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar kundër Pastrimit të Parave (FATF).
Deri para disa vitesh, klientët kryesorë të këtyre ndërmjetësve ishin karteli Jalisco Neë Generation dhe ai i Sinaloas. Shërbimet e tyre, përdoreshin për të siguruar lëndë kimike që shërbejnë si pararendëse në prodhimin e fentanilit, por edhe për pastrimin e parave në bashkëpunim me mafien shqiptare, me qëllim blerjen e pronave luksoze në Evropë.
Megjithatë, Sánchez thekson se këto shërbime nuk janë të rezervuara vetëm për organizatat më të fuqishme kriminale. Edhe grupe më të vogla, si Unión Tepito, mund të përfitojnë prej tyre. Në qytete të mëdha dhe me lidhje të forta ndërkombëtare, si Mexico City, kontaktet mes organizatave kriminale dhe biznesmenëve të huaj krijohen më lehtë sesa në zonat më të izoluara.
Për ekspertin, zgjerimi i rolit të brokerëve të narkotrafikut nuk është një rastësi, por një zhvillim logjik i ekonomisë kriminale. Krimi i organizuar, është shndërruar në një biznes që gjeneron shuma të jashtëzakonshme parash, të cilat nuk mund të mbeten përgjithmonë jashtë ekonomisë formale.
Ato duhet të investohen, të qarkullojnë dhe të shndërrohen në pasuri që nuk ngjallin dyshime. Sa më e madhe të jetë ekonomia e një qyteti, aq më lehtë mund të fshihen shumat e paligjshme mes transaksioneve të ligjshme.
Një milion dollarë në një qytet të vogël malor në Durango mund të tërheqë menjëherë vëmendjen e autoriteteve. Në Meksiko Siti, Kankun, Hong Kong, Shangai, Londër apo Nju Jork, e njëjta shumë mund të humbasë mes miliarda dollarëve që qarkullojnë çdo ditë.
Kjo është arsyeja pse ndërmjetësit financiarë janë bërë hallkë gjithnjë e më e rëndësishme e krimit të organizuar. Ata nuk merren domosdoshmërisht me drogën, armët apo dhunën në rrugë, por me atë që u jep mundësi karteleve të mbijetojnë dhe të zgjerohen: shndërrimin e fitimeve kriminale në para që duken të ligjshme.
Në këtë pikë, narkotrafiku nuk është më thjesht një biznes i rrugës, por një ekonomi ndërkombëtare që mbështetet te tregtia, financat dhe rrjetet e ndërmjetësimit./Pamfleti nga “El País”pastrimi i parave kinezët Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Lufta Rusi-Ukrainë/ BE i thotë “Po” përpjekjeve të Trump për paqen, dy vendet e propozuara për zhvillimit e samitit 16 Nëntor 2026, 08:5208:52Rajoni dhe Bota Papa Leoni XIV apel nga Peruja: Të mbrojmë natyrën dhe më të varfrit 16 Nëntor 2026, 08:5508:55Rajoni dhe Bota Nga “shef” në “gjysh”, miliarderët rusë përgatiten për fundin e Putinit; nis loja për ndarjen e pushtetit në Kremlin 16 Nëntor 2026, 08:2508:25Rajoni dhe Bota Estonia në alert, mbyll të gjitha pikat kufitare me Rusinë 16 Nëntor 2026, 08:2308:23Rajoni dhe Bota Irani kërcënon SHBA-në: Edhe ushtria më e fuqishme mund të mposhtet! 16 Nëntor 2026, 08:0708:07Rajoni dhe Bota Sinjal i ri për Teheranin, SHBA dislokon tre aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme 16 Nëntor 2026, 08:0608:06Rajoni dhe Bota

