Miratohet në parim buxheti historik. Parlamenti i dha me 80 vota pro, dritën jeshile buxhetit 10 miliardë euro të vitit 2027.
Ky buxhet u miratua pas 14 orësh debati normal, veç duelit Rama-Berisha nuk pati asnjë gjë tjetër të jashtëzakonshme.
Sfilata e radhës e Spiropalit, e cila u rikthye e vetmuar pas përjashtimit nga PS, për t’u ulur përsëri mes socialistëve, por kësaj radhe gjeti vetëm injorimin e kolegëve të saj. Braçe, i vetmi zë kritik nga socialistët për buxhetin, sërish bëri piruetat e tij, votoi pro. Kurse nga opozita asnjë surprizë, gjysma votoi kundër, e gjysma nuk votoi fare.
Momenti më interesant ishte i rikthyeri pas 2 muajsh përjashtim Agron Shehaj. Të cilin PD e fton, PS e sulmon. Pas Veliajt, Shehaj rrezikon të jetë viktima e dytë e dyshes Rama-Berisha.
Shehaj është opozitari që për momentin kërcënon më shumë votat dhe vendin e dytë të PD, ndaj edhe këtë herë doktorit i erdhi në ndihmë PS. Për momentin Shehaj, duhet të mjaftohet me vendin që i dha PS në Komisionin e dytë të Reformës Territoriale, aty mundet vetëm të zëvendësojë përkohësisht Berishën dhe PD.
Pas 14 orësh buxheti i vitit 2027 u miratua për herë të parë në kushte normale. Socialistët votuan me 80 vota pro, përfshirë dhe Braçen. Rama dhe Balluku munguan, me sigurinë e një shumice që ktheu të pavlerë dhe të panevojshme mungesën e votës së Spiropalit. Më i shqetësuar duhet të jetë Agron Shehaj, i cili nuk duhet të marrë me shaka paralajmërimin e socialistëve, se do të jetë ai që shumë shpejt do të ketë probleme me drejtësinë. Për ABC News, Andon Kello, nga Kuvendi në mesnatë./abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! -Politikë*Fokus*KryesoreAktualitet

