Lajme Zone
Shtyhet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës! Kurti nuk propozon kandidat për kryeparlamentar: Duam kohë për bisedime për presidentin (VIDEO)
PolitikëReport TV

Shtyhet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës! Kurti nuk propozon kandidat për kryeparlamentar: Duam kohë për bisedime për presidentin (VIDEO)

KOSOVË- U duk se nisi një seancë normale që po shkonte drejt formimit institucional me konstituimin. Deputetët e rinj të Kosovës, kryen betimin dhe i hapën rrugë rendit të ditës për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. E drejta për propozimin e një kryeparlamentari i takon LVV por kjo zgjodhi një rrugë tjetër. Në foltoren e parlamentit u ngjit vetë kreu i saj Albin Kurti. Ai foli në kontekstin e k

KOSOVË- U duk se nisi një seancë normale që po shkonte drejt formimit institucional me konstituimin. Deputetët e rinj të Kosovës, kryen betimin dhe i hapën rrugë rendit të ditës për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. E drejta për propozimin e një kryeparlamentari i takon LVV por kjo zgjodhi një rrugë tjetër. Në foltoren e parlamentit u ngjit vetë kreu i saj Albin Kurti. Ai foli në kontekstin e krizës politike kur tha se partia e tij synon që të mos e çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme. Për këtë arsye Kurti nuk propozoi një emër për kryetar të ri të kuvendit për të vijuar përpjekjet për një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. LEXO edhe...Ngërçi në formimin e institucioneve, SHBA thirrje liderëve politikë në Kosovë: Ka ardhur koha për progres dhe stabilitet “Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot”, deklaroi Kurti në Kuvend. Seanca në këtë moment u mbyll, por i hapi derën akuzave nga opozita. Kreu i PDK Bedri Hamza e cilësoi veprimin e Kurtit mungesë serioziteti për shkak se hodhi një hap tjetër që lë Kosovën në vakum institucional. Pafytyrësi e cilësoi kreu i AAK Ardian Gjini veprimin e Kurtit në rrjetet sociale, ndërsa deputeti Besnik Tahiri e quajti një papërgjegjshmëri duke marrë parasysh 30 ditët që kishte në dispozicion për negociata. Me PDK-në dhe AAK-në që janë tërhequr nga bisedimet për zgjedhjen e presidentit, Kurti e zhvilloi takimin e fundit me Lumir Abdixhikunn ë 4 gusht. Një marrëveshje nuk e arritën edhe pse theksuan se ka vullnet për bashkëpunim. LDK sipas deklaratave të eksponentëve të saj ka ambicie për postin e presidentit. Kurti pas takimit me Abdixhikun përmendi profilin e një kandidati, i cili duhet të jetë unifikues, e siç tha të mos përfshihet në politikën e ditës në Kosovë.Vetëvendosje nuk mbështeti Vjosa Osmanin në fillim të marsit për një mandat të dytë, ngërç që çoi vendin në zgjedhjet e parakoshme të 7 qershorit. Ora 18:00 Ngërçi në formimin e institucioneve, SHBA thirrje liderëve politikë në Kosovë: Ka ardhur koha për progres dhe stabilitet Ambasada e SHBA-së në Prishtinë u bëri thirrje liderëve politikë në Kosovë të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Reagimi vjen pasi dështoi edhe përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit.Në reagimin e saj, Ambasada amerikane tha se qytetarët presin që udhëheqësit të veprojnë në interesin më të mirë të vendit, duke paralajmëruar se ngërçi politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura.“Udhëheqja politike e Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tij që të përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në reagimin e Ambasadës.Mesazhi erdhi pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi shtyrjen e konstituimit të Kuvendit për të vijuar bisedimet për zgjedhjen e presidentit. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për konstituimin e Kuvendit përfn më 7 gusht. Share Ora 17:32 Kosovë/ Kurti kushtëzon konstituimin e Kuvendit: Na duhet marrëveshje për presidentin, vetëm kështu shmangim zgjedhjet e reja Në konferencën për mediat pas ndërprerjes së seancës, Albin Kurti tha se nevojitet më shumë kohë për diskutime dhe se Kuvendi duhet të vazhdojë punimet vetëm pasi të ketë një marrëveshje për presidentin. Ai shtoi se është i gatshëm të vijojë bisedimet me LDK-në, ndërsa u bëri thirrje edhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kreut të AAK-së, Ardian Gjini, të ulen në negociata. Sipas Kurtit, nëse kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese dhe qeveria formohet nga shumica parlamentare, atëherë zgjedhja e presidentit është përgjegjësi që duhet të ndahet edhe me PDK-në dhe AAK-në."Përballë kësaj situate, e cila ka nevojë për trashëgimi dhe konsideroj se është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimit para se të lëvizim me konstituimin e Kuvendit, gjë që do ta vështirësonte evitimin e zgjedhjeve. Na duhet shtesë kohe për diskutime dhe vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e presidentit të vazhdojmë me çështje tjera. Jam i interesuar të vazhdoj diskutimin me LDK-në për një marrëveshje. Por i bëj thirrje edhe kryetarit të AAK-së dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të takohen, të bisedojnë. Nëse kryetari i Kuvendit i takon subjektit fitues që është LVV dhe nëse qeverinë e formon mazhoranca që jemi ne, nëse këto dyja janë përgjegjësi e jona, zgjedhja e presidentit është përgjegjësi edhe e PDK-së edhe e AAK-së” tha Kurti Share Ora 14:31 Kurti kërkon konsensus për Presidentin, ftesë publike për Hamzën dhe Gjinin: Jam i interesuar për bisedime Teksa po zhvillon negociata me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u bëri thirrje edhe liderëve të PDK-së dhe Aleancës, Bedri Hamzës dhe Ardian Gjinit, të ulen në bisedime për zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar se dështimi i këtij procesi do ta çonte vendin në zgjedhje të reja.Në një konferencë për mediat, Kurti tha se zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese, por siguroi se kërkon dakordësi më të gjerë politike. Sipas tij dështimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do ta çonte Kosovën në zgjedhje të reja."I bëj thirrje edhe një herë kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjinit, kryetar i Gjakovës, së voni tash edhe kryetar i AAK’së, por edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili dikur ka qenë guvernator i BQK’së, ka qenë ministër i financave, kryetar i komunës Jugore të Mitrovicës, njeri me përvojë profesionale e institucionale, që të takohemi e të bisedojmë, sepse nëse kryetari i Kuvendit i takon subjektit fitues dhe nëse qeverinë e formon mazhoranca që jemi ne, atëherë zgjedhja e presidentit, e cila në rast të dështimit na qon në zgjedhje të reja, është përgjegjësi edhe e PDK-së edhe e Aleancës. Pra konstituimi i institucioneve nuk është përgjegjësi ekskluzive e fituesit na duhet na duhet diskutim, e komunikim dhe unë jam i vullnetshëm dhe i interesuar”, ka thënë Kurti. Share Ora 12:18 Ngërçi për Kuvendin e Kosovës, deputeti i Aleancës akuzon Kurtin: Po zvarrit procesin për pazare politike Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po zvarrit konstituimin e Kuvendit për të fituar kohë dhe për të siguruar, sipas tij, kontrollin mbi presidentin, qeverinë dhe Kuvendin. Tahiri tha se Kurti kishte pasur 30 ditë në dispozicion për të negociuar me partitë politike dhe se nuk ka arsye për shtyrje të reja. Sipas tij, situata nuk është krizë kushtetuese, por një taktikë politike për të vonuar funksionalizimin e institucioneve."“Kjo është papërgjegjësi totale e partisë që i ka fituar zgjedhjet. Është shkurt edhe shqip taktike me marrë në pazar politik, me marrë edhe pak kohë, me blerë edhe pak kohë në mënyrë që me u marrë të tria institucionet. Nuk kemi të bëjmë me një problem kushtetues. Këtu ka problem me një logjikë autoritare për me mundur me i marrë të tri pushtetet: presidentin, qeverinë dhe kuvendin. Kjo nuk ka të bëjë me krizë kushtetuese, kjo ka të bëjë me tendencë të vazhdimit, të lodhjes, por ne nuk do të lodhemi”, tha ai. Share Ora 12:11 Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Zemaj akuzon Kurtin: Po sillet sikur është mbi Kushtetutën, çdo shtyrje na fut në krizë! Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po kërkon shtyrje të konstituimit të Kuvendit përtej afatit që, sipas tij, përcakton Kushtetuta.“Ky është Albin Kurti, ai di edhe të debatojë, edhe të hapë fushata elektorale, edhe të kërkojë shtesë duke menduar që është edhe i vetmi mbi Kushtetutën edhe mbi vullnetin politik të dalë nga zgjedhjet e fundit”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.Zemaj tha se sot skadon afati 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, ndërsa paralajmëroi se çdo vonesë do ta fuste Kosovën në krizë kushtetuese.“Brenda 30 ditëve duhet që Kuvendi i Kosovës të jetë i konstituar, që nënkupton zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Çdo interpretim tjetër na fut në krizë kushtetuese, ose çdo shtyrje nga 30-ditëshi që nga data e certifikimit të rezultatit zgjedhor. E gjithë koha kushtetuese është në ditën e sotme sipas interpretimit dhe gjykimit tim. Nëse hyjmë në një fazë tjetër që nuk ka interpretim shtesë të vendimit të Kushtetueses ose nuk ka edhe sanksion, shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive”, tha ai pwr mediat. I pyetur nëse LDK-ja është pjesë e një skenari për ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit, Zemaj tha se partia e tij nuk ka qenë e informuar për një gjë të tillë.“Jo, ne nuk kemi qenë as të njoftuar, nuk kemi qenë as të informuar. Krejt çka ka rrjedhur e patët edhe vetë nga seanca kuvendore, ku ishte e pritshme vetëm deklarimi i emrit, sepse nuk ka edhe debat në seancën konstituive”, tha Zemaj. Share Ora 12:06 Betohen 120 deputetët e legjislaturës së 11-të në Kuvendin e Kosovës 120 deputetët e legjislaturës së 11-të janë betuar në Kuvendin e Kosovës, duke marrë zyrtarisht mandatin e tyre të ri. Para betimit, Kuvendi miratoi me 120 vota pro raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve."“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, shkruan në tekstin e Betimit, siç raportohet nga mediat kosovare. Share Ora 10:04 Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Haziri: Po punojmë 24 orë për marrëveshjen me Vetëvendosjen, presidenti mbetet kërkesë e jona Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, para se të nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ka folur për negociatat që ky subjekt politik po i zhvillon me Lëvizjen Vetëvendosje për një marrëveshje qeverisëse.Ndonëse tri takime kanë përfunduar pa marrëveshje, Haziri ka deklaruar se takimet do të vazhdojnë në çdo kohë dhe do të punohet 24/7 për të arritur një marrëveshje.“Duhet të normalizohet jeta në Kosovë, të punohet në mënyrë më agresive, në një agjendë më zhvillimore dhe që Kosovës i jep mundësi. Takimet janë të hapura, do të vazhdojnë në çdo kohë. Nuk ka orar determinues dhe 24/7 do të punohet për të arritur këtë qëllim. Krejt në fund është vullnet politik”, ka thënë Haziri.Kurti dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë takuar disa herë deri tani, por nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për formimin e institucioneve të vendit.Haziri nguli këmbë se dallimet mes palëve nuk janë të mëdha.“Nuk ka çështje që në këtë fazë na dallojnë shumë. Sa i përket politikave sektoriale, agjendës, proceseve politike, nuk është biseduar shumë, nuk është biseduar në hollësi. Jemi në nivelin e diskutimit të parimeve bazë. Ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit. Më rëndësi është të ketë vullnet të mirë”, shtoi Haziri.Një ditë më herët, deputetë të zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës kishin deklaruar se partia e tyre kërkon postin e presidentit. Share Ora 10:03 Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, Bedri Hamza: Nuk ndryshojmë qëndrim për çështjen e presidentit, nuk negociojmë poste Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, deklaroi se nuk sheh asnjë arsye që seanca e sotme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të mos përfjë me sukses, ndërsa theksoi se përgjegjësia për krijimin e institucioneve i takon partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje.I pyetur për negociatat mes Vetëvendosjes dhe LDK-së lidhur me postin e presidentit, Hamza tha se PDK nuk ka qenë pjesë e asnjë diskutimi për ndarjen e posteve institucionale."Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është konsistent, do të thotë ne kemi shkuar në takim, nuk kemi pasur, nuk kemi garuar ne kush të bëhet, kush në cilën pozitë të bëhet. Kemi garuar edhe kemi kërkuar votat e qytetarëve të Kosovës me një program çka për ekonominë, çka për drejtësinë, çka për energjinë, çka për infrastrukturën, çka për anëtarësimet, këto kanë qenë temat", u shpreh ai. Share Ora 09:59 Kosovë/ Abdixhiku para seancës konstituive të Kuvendit: Balanca demokratike, çelësi i marrëveshjes me LVV-në Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se çelësi i marrëveshjes mes partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është pajtueshmëria për “balancë demokratike”.Abdixhiku, i cili është takuar tri herë me Kurtin në përpjekje për të arritur një marrëveshje tejet të nevojshme për formimin e institucioneve dhe përfundimin e krizës politike, tha se mes palëve ka ende dallime të mëdha për çështjen e presidentit.“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore, që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet sot, nuk ka arsye për të mos u konstituuar”, tha Abdixhiku.Abdixhiku tha se nuk dëshiron të flasë për emra për postin e presidentit, duke ngulur këmbë se partia e tij meriton postin.“Ne kërkojmë balancë demokratike, e cila kërkon që LDK-ja të jetë e përfaqësuar. Nuk po flasim për emrat individësh, por për balanca demokratike që do të ishte e mirë edhe për Kosovën”, tha ai.“Kemi edhe 25 ditë për formimin e Qeverisë. Nëse merremi vesh më herët për të gjitha institucionet, më mirë, nëse nuk merremi vesh, duhet të jemi transparent me ju dhe popullin se kaq kemi mundur dhe fatkeqësisht nuk mund të bëjmë më shumë. Përderisa po takohemi, është lajm i mirë”, shtoi ai. Share R.Xh/U.D/ReportTv.al kosove Kuvendi i kosoves Albin Kurti Lumir Abdixhiku LVV LDK kriza politike ne kosove Komento Komente Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord? Po 35.6% Jo 59.3% Nuk e di 5.1% Vota total: 1643 Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord?