Është shtyrë këtë të martë seanca në GJKKO ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Mësohet se seanca u shty për shkak të bojkotit të avokatëve. Gjithashtu GJKKO ka vendosur që të gjobisë me nga 100 mijë lekë të reja avokatët e Veliajt për bojkotimin e seancës. Mësohet se seanca e radhës është vendosur më 27 tetor teksa në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm kryebashkiaku Veliaj. Gjykata vendosi që radhën tjetër të përfaqësohen nga ndihma juridike e Ministrisë së Drejtësisë ndërkohë që Veliajt i pezullohen afatet e paraburgimit. Ndërkohë, mësohet se një nga prokurorët e çështjes Altin Dumani ka deklaruar gjatë seancës, se ka praktika të vijimit të gjyqit pa mbrojtës. “Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat. Gjykata e Apelit e ka një precedent të tillë, ku ka shqyrtuar çështje pa avokat”, është shprehur prokurori. E ndërsa rregullorja e re e GJKKO parashikon ndalimin e telefonave në sallën e gjyqit, prokurorit Ols Dado i ra zilja e telefonit. Ai nxori telefonin nga xhepi dhe e fiku gjë e cila nuk u komentua. Për kërkesën e Dumanit gjykata tha se do të shprehet moment tjetër.
