JOQ Albania ka siguruar pamjet e momentit kur policia arreston Kristjan Sterjon, autorin e dyshuar për vrasjen e 21-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. Në videon e regjistruar nga një kamerë sigurie, i riu shihet teksa efektivët i afrohen me vrap dhe i bërtasin të shtrihet në tokë. Sterjo nuk bën rezistencë dhe, ndërsa policët e rrethojnë, dëgjohet duke thënë me zë të ulët: “Në rregull”.
Më pas, efektivët e shtrijnë në tokë dhe i vendosin prangat, ndërsa situata zhvillohet brenda pak sekondash. Pamjet tregojnë momentet e tensionuara të operacionit për kapjen e të dyshuarit, i cili kishte qëndruar për rreth 6 orë në arrati pas vrasjes së 21-vjeçarit.
Në videon e siguruar nga JOQ dëgjohen gjithashtu efektivët teksa e pyesin Sterjon se ku e kishte fshehur armën e krimit. Detaji pritet të jetë pjesë e rëndësishme e hetimeve për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, ndërsa autoritetet vijojnë punën për dokumentimin e rrethanave.

