Lajme Zone
“Shteti i ka duart me gjak”/ Protesta e pestë në Prishtinë për vrasjen e Arlinda Zekajt, kërkohen dorëheqjet e dy ministrave
PolitikëTop Channel

“Shteti i ka duart me gjak”/ Protesta e pestë në Prishtinë për vrasjen e Arlinda Zekajt, kërkohen dorëheqjet e dy ministrave

Për të pestën ditë radhazi, qytetarë kanë protestuar në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa urgjente kundër dhunës ndaj grave.

Për të pestën ditë radhazi, qytetarë kanë protestuar në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa urgjente kundër dhunës ndaj grave. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Marshi protestues nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe vazhdoi drejt ndërtesës së Qeverisë, ku pjesëmarrësit mbanin pankarta me mbishkrimet “Ultimatumi i popullit” dhe “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje kundër institucioneve, mes tyre “Burrat vrasin gratë, shteti iu ndihmon” dhe “Shteti i ka duart me gjak”. Protestuesit kërkuan që institucionet të marrin përgjegjësi për rastet e dhunës dhe vrasjeve të grave.

Një nga momentet e marshimit ishte leximi i letrës që Arlinda Zekaj i kishte dërguar kryeprokurores para se të ndodhte tragjedia. Përmes këtij veprimi, protestuesit rikthyen në vëmendje kërkesat për reagim dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë gjithë marshimit drejt Qeverisë, në rrugët përgjatë itinerarit kishte prani të Policisë së Kosovës për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, nga kunati i saj. Pas rastit tragjik, 11 zyrtarë policorë janë suspenduar, ndërsa masa suspendimi janë marrë edhe ndaj kryeprokurores dhe prokurores së Pejës.

Ndërkohë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje pas ngjarjes. Top Channel