Rruga e re arktike e Kinës mund të shkurtojë ndjeshëm transportin drejt Evropës dhe të ulë varësinë nga korridoret e Lindjes së Mesme, por kufizimet sezonale dhe kontrolli rus e pengojnë të zëvendësojë Kanalin e Suezit. Kina po zgjeron alternativat e saj tregtare me një rrugë të re detare përmes Oqeanit Arktik, ndërsa konfliktet në Lindjen e Mesme kanë vështirësuar lundrimin në disa prej korridoreve më të rëndësishme të tregtisë botërore.
Itinerari, i quajtur “Rruga e Mëndafshit të Akullit”, nis nga Ningbo, në bregun lindor të Kinës, kalon përgjatë Rrugës Detare Veriore të Rusisë dhe përfn në Felixstowe, në lindje të Anglisë.
Kompania kineze e transportit Sea Legend e prezantoi zyrtarisht linjën pas një udhëtimi provë të kryer në tetor 2025. Sipas agjencisë kineze Xinhua, udhëtimi zgjati vetëm 20 ditë. Për krahasim, rruga përmes Kanalit të Suezit kërkon rreth 40 ditë, ndërsa ajo rreth Kepit të Shpresës së Mirë afërsisht 50 ditë.
Li Xiaobin, drejtues operativ i Sea Legend, tha se korridori është veçanërisht i përshtatshëm për ngarkesa që kërkojnë transport të shpejtë dhe temperatura të ulëta, përfshirë bateritë litium-jon dhe produktet fotovoltaike.
Arktiku, alternativë ndaj Suezit?
Shkrirja e akullit për shkak të ndryshimeve klimatike po krijon mundësi të reja lundrimi në Arktik. Një studim i Universitetit të Southamptonit tregoi se sipërfaqja e akullit detar gjatë kulmit të dimrit ra me 5.8 për qind mes viteve 2024 dhe 2025, rënia më e madhe e regjistruar.
Megjithatë, itinerari kinez mund të përdoret kryesisht gjatë muajve më të ngrohtë, kur akulli tërhiqet.
Dylan Loh, profesor i asociuar në Universitetin Teknologjik Nanyang të Singaporit, tha për Al Jazeera se rruga duhet parë si një plotësim sezonal dhe jo si zëvendësim i korridoreve tradicionale.
“Rruga varet nga koha kur shkrihet akulli, gjë që shton pasigurinë”, tha Loh.
Krahas kufizimeve sezonale, shtimi i transportit në Arktik ka ngritur edhe shqetësime për ndikimin mbi një ekosistem tashmë të prekur nga ngrohja globale.
Kontrolli rus, një tjetër kufizim
Një element vendimtar është fakti se pjesa kryesore e itinerarit kalon nëpër Rrugën Detare Veriore (NSR), të kontrolluar nga Rusia. Autoritetet ruse japin lejet për anijet që kalojnë në këtë korridor.
Në vitin 2025, vetëm 23 anije kontejnerësh përdorën NSR-në, nga 15 një vit më parë, sipas të dhënave të Allianz Commercial.
William Yang, analist i lartë në International Crisis Group, vlerëson se marrëdhëniet e Pekinit me Moskën i japin Kinës një avantazh të veçantë.
“Meqenëse Rusia kontrollon transportin përmes NSR-së, Kina është, deri tani, i vetmi vend që mund ta përdorë realisht këtë rrugë si alternativë ndaj ngushticës së Hormuzit ose Kanalit të Suezit”, tha Yang për Al Jazeera.
Megjithatë, sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë dhe përdorimi i korridorit nga anije ruse të lidhura me të ashtuquajturën “flotë hije” mund të krijojnë rreziqe politike për kompani dhe vende të tjera.
Çfarë fiton Kina?
Për Pekinin, rëndësia e rrugës shkon përtej kursimit të kohës. Një korridor funksional përmes Arktikut mund të zvogëlojë varësinë e Kinës nga Kanali i Suezit, ngushtica e Hormuzit dhe ngushtica e Malakës.
Ai gjithashtu mund t'i japë Kinës një prani më të madhe ekonomike dhe strategjike në Arktik. Pekini ka statusin e vëzhguesit në Këshillin e Arktikut që prej vitit 2013 dhe prej vitesh kërkon të zgjerojë aktivitetin në rajon.
Rusia, nga ana tjetër, synon të rrisë tregtinë përmes NSR-së në bashkëpunim me Kinën, ndërsa sanksionet perëndimore e kanë orientuar një pjesë më të madhe të tregtisë ruse drejt Azisë.
Kriza në Lindjen e Mesme rrit interesin për alternativa
Rëndësia e rrugëve alternative është shtuar pas ndërprerjeve në dy korridore kyçe të Lindjes së Mesme.
Sipas Al Jazeera-s, lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, e nisur më 28 shkurt, bëri që Teherani të kufizonte ndjeshëm kalimin e cisternave përmes ngushticës së Hormuzit. Në kushte normale, rreth 20 për qind e eksporteve globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm kalojnë nëpër këtë ngushticë.
Situata është përkeqësuar edhe në Bab al-Mandeb, hyrja jugore e Detit të Kuq. Houthit në Jemen kanë goditur anije të lidhura me Arabinë Saudite, duke ndikuar edhe trafikun drejt Kanalit të Suezit.
Një rrugë e re, por jo zëvendësuese e Suezit
Analistët nuk presin që korridori arktik ta zëvendësojë së shpejti Suezin.
Loh e përshkruan strategjinë kineze si një mënyrë për të diversifikuar rrezikun dhe jo si një zhvendosje të plotë nga rrugët tradicionale. Itinerari ende nuk ofron të njëjtën parashikueshmëri dhe duhen vlerësuar më tej kostot, besueshmëria dhe ndikimi mjedisor.
Alejandro Reyes, profesor në Universitetin e Hong Kongut, thekson edhe dimensionin gjeopolitik. Sipas tij, një prani më e madhe tregtare e Kinës dhe Rusisë në Arktik pritet të tërheqë më shumë vëmendjen e SHBA-së dhe NATO-s.
Evropa, sipas Reyes, mund të përfitojë nga një lidhje më e shkurtër me Azinë, por njëkohësisht do të mbështetej te një korridor i kontrolluar nga Rusia.
“Është vetëm një rrugë tjetër që lidh Azinë me Evropën dhe një tjetër arenë në konkurrencën mes Kinës dhe Rusisë, nga njëra anë, dhe SHBA-së, aleatëve dhe partnerëve të saj, nga ana tjetër”, tha Reyes.
Për momentin, “Rruga e Mëndafshit të Akullit” përbën një alternativë shtesë dhe sezonale, jo një zëvendësim të Kanalit të Suezit. Megjithatë, zgjerimi i saj mund t'i japë Arktikut një rol më të madh si në tregtinë ndërkombëtare, ashtu edhe në rivalitetin mes fuqive të mëdha./ Përshtati "Pamfleti" nga "Aljazeera". Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Alarm në Moskë/ Qindra dronë ukrainas drejt kryeqytetit, Rusia aktivizon mbrojtjen ajrore 18 Gusht 2026, 21:5021:50Rajoni dhe Bota Tensione në Egje/ Athina akuzon Ankaranë për 25 shkelje të hapësirës ajrore, në aksion edhe F-16 18 Gusht 2026, 19:3019:30Rajoni dhe Bota Armët bërthamore, skenari ogurzi që po trondit Lindjen e Mesme! 18 Gusht 2026, 19:1519:15Rajoni dhe Bota “Do hap zjarr mbi ju”/ Publikohen përgjimet, si kërcënohen ushtarët rusë që refuzojnë të sulmojnë 18 Gusht 2026, 18:5818:58Rajoni dhe Bota Deklarata e frikshme: SHBA mund të përdorë armë bërthamore kundër Iranit! 18 Gusht 2026, 18:4118:41Rajoni dhe Bota Shpërthime të fuqishme në Dubai, Emiratet aktivizojnë mbrojtjen ajrore! 18 Gusht 2026, 18:1718:17Rajoni dhe Bota

