Në nisje të fjalimeve përpara godinës së Kryeministrisë, aktivistja Luçiana Kokaj ka renditur arsyet kryesore që mbajnë qytetarët në shesh, duke bërë thirrje për reformim të plotë të arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes së pronës dhe vendosjes së meritokracisë në vend. Gjatë fjalës së saj, Kokaj nënvizoi se modeli aktual po detyron prindërit të largojnë fëmijët nga Shqipëria, ndërsa kërkoi një sistem social që mbron familjet në nevojë. “Në një Shqipëri të re dhe të lirë duhet të kemi një sistem arsimor ku fëmijët tanë të arsimohen me krenari dhe jo ku prindërit të shohin ku t’i dërgojnë jashtë shtetit. Na duhet një sistem meritokracie ku ai që e meriton të marrë vendin e punës. Duhet të kemi sistem shëndetësor ku mjekët të mos i shohin pacientët nga xhepat dhe pacientët të mos tmerrohen kur janë sëmurë,” – u shpreh ajo. Kokaj u ndal edhe te çështja e pronësisë dhe shtetit të së drejtës: “Duhet një Shqipëri ku e drejta të triumfojë dhe ku prona të shkojë te ai që i takon, e të mos jetë haraç për nderet e radhës së qeverisë.” Në përmbyllje të fjalës së saj, aktivistja u shpreh se rezistenca qytetare do të marrë një tjetër hov në muajin e ardhshëm.
“Këto e shumë të tjera janë arsyet që na mbledhin në shesh. Shtatori do të na gjejë më të bashkuar, më të shumtë në numër dhe gati për aksionin e radhës derisa qeveria të largohet,” – deklaroi Kokaj. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
