Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën Ndërparlamentare mes përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve europiane. Në fjalën e tij, Rama u ndal te procesi i integrimit europian dhe nevoja për një qasje më të shpejtë politike ndaj zgjerimit të BE-së. Ai argumentoi se vendimet politike nuk duhet të lihen për momentin e fundit, por të merren tani, ndërsa proceset dhe reformat të vijojnë sipas meritave të secilit vend. Duke iu referuar rënies së Murit të Berlinit, Rama tha se Europa ka nevojë për një sinjal të fortë që vendet e kontinentit janë bashkë.
Kryeministri përdori edhe metaforën e “shtatë fëmijëve” të Ursula von der Leyen, duke nënvizuar se shtatë vendet kandidate duhet të jenë në të njëjtën tryezë europiane. Në fund, Rama e përmblodhi mesazhin e tij me sloganin e Nike: “Bëjeni!”.
“Shpresoj që të gjithë, pavarësisht zellit apo ngurrimit, të gjejnë rrugën për t’i dhënë botës dhe Europës një sinjal shumë të fortë. Nuk është e vështirë një rrugë e tillë, është e thjeshtë, është si veza e Kolombit apo ajo e Helmut Kolnit kur ra muri. Ai nuk i shkoi Lindorëve t;i tregonte kapituj e shumtë për të plotësuar, por i tha: Ne jemi bashkë. Ende mund të shohësh dallime, ama çfarë mund të ndryshojë dhe lehtësojë është që vendimet politike të mos lihen në momentin e fundit.
Të merren tani dhe më pas të plotësohen proceset sipas meritave. Shtatë fëmijë ka Ursula dhe Europa ka shtatë kandidatë. Fëmijët e Ursulës u rritën në tavolinë, ajo nuk i tha vajzës shko rri me atë gangsterin rus apo vajzës të luajë me ato lodrat kineze. Ata ishin të gjithë në atë tavolinë, pavarësisht se fjala nuk i peshon te gjithëve njësoj, apo të gjithë hanë diçka.
Prandaj të gjithë duhet të jenë aty, siç thotë Helmut Koln. Nëse ti plotëson një kapitull, je anëtar për atë kapitull. Nëse nuk ke plotësuar një tjetër kapitull, je si fëmija i Ursulës. Ne shumë gjëra i kemi të përbashkëta. Nuk duhet të kujtohemi se jemi një kur kemi vetëm ndonjë sulm, a valë emigracioni. Është si veza e Kolmbit, shumë e thjeshtë, siç thotë kompania Nike: Bëjeni!”, tha Rama mes të tjerash. Top Channel

