Shqipëria kryeson Europën për përdorimin e rrjeteve sociale, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2025. Statistikat tregojnë se 95% e qytetarëve të moshës 16-65 vjeç janë përdorues aktivë të platformave sociale, duke e renditur vendin në krye të listës europiane.
Prania e fortë në rrjetet sociale reflektohet edhe te bizneset shqiptare. Rreth 86% e tyre e zhvillojnë komunikimin dhe aktivitetin e tyre kryesisht përmes platformave sociale, duke u mbështetur më shumë tek ato sesa te kanalet tradicionale apo faqet zyrtare në internet.
Sipas të dhënave të DataReportal, Instagram mbetet platforma më e përdorur në Shqipëri, me rreth 1.35 milionë përdorues, që përfaqësojnë afërsisht 58% të popullsisë. Pas tij renditet Facebook me 1.3 milionë përdorues, ndërsa TikTok numëron rreth 1.23 milionë përdorues.
Ekspertët e lidhin këtë nivel të lartë përdorimi me zgjerimin e aksesit në internet, por edhe me rritjen e investimeve në marketingun dhe reklamimin digjital. Rrjetet sociale janë shndërruar tashmë në mjetin kryesor të komunikimit dhe promovimit, si për individët ashtu edhe për bizneset.
Pas Shqipërisë, vendet me nivelin më të lartë të përdorimit të rrjeteve sociale janë shtetet e Europës Veriore, si Danimarka dhe Norvegjia, të cilat vijojnë të dominojnë aktivitetin digjital në kontinent.
Eurostat thekson se sektori i informimit dhe komunikimit ka përqindjen më të lartë të bizneseve aktive në rrjetet sociale, me 83%. Në vijim renditen bizneset e bareve, restoranteve dhe turizmit me 78%, si edhe sektori i tregtisë me shumicë e pakicë, përfshirë tregtinë e automjeteve.

