Protesta e qytetarëve kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama hyn sot në ditën e 110-të. Prej 110 ditësh, qytetarë dhe aktivistë mblidhen në Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, ndërsa tubimet janë shoqëruar me marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe ndalesa para institucioneve. Protesta e sotme vjen pas tubimit të 109-të, kur qytetarët nisën marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Përpara godinës së qeverisë u përsëritën kërkesat për largimin e Ramës dhe u shfaqën pankarta me mesazhe kritike ndaj qeverisë. Gjatë protestës së një dite më parë morën fjalën qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm, të cilët artikuluan kritika ndaj qeverisë dhe kërkuan vijimin e protestave. Profesori Lush Susaj bëri thirrje që tubimet të vijojnë në mënyrë paqësore, duke theksuar se protesta duhet të mbështetet te “durimi, rezistenca dhe qëndrueshmëria”. Një pjesë e diskutimeve të protestës së 109-të u përqendrua gjithashtu te zhvillimet në Hagë lidhur me ish-krerët e UÇK-së, ndërsa protestues të ndryshëm shprehën qëndrimet e tyre për këtë çështje. Protestat e ditëve të fundit nuk janë kufizuar vetëm në qëndrimin para Kryeministrisë. Qytetarët kanë zhvilluar marshime në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa një prej kërkesave të përsëritura ka qenë edhe lirimi i protestuesve të ndaluar gjatë tubimeve të mëparshme. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

