Shqipëria ka humbur vendin e parë në Europë për rritjen e net-qëndrimeve turistike, duke u renditur këtë vit e treta pas Irlandës dhe Maltës. Në vendin e katërt pozicionohet Kosova, e cila vijon të shënojë rritje të ndjeshme të aktivitetit turistik. Pas tre vitesh me rritje dyshifrore dhe rezultate rekord në nivel europian, Shqipëria këtë vit ka regjistruar një ritëm më të moderuar të rritjes së net-qëndrimeve. Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, net-qëndrimet në Shqipëri u rritën me 9.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja ishte 10.2% për turistët vendas dhe 8.7% për turistët e huaj. Në total, gjatë periudhës janar-qershor, Shqipëria regjistroi 3.38 milionë net-qëndrime turistike, nga të cilat 2.45 milionë i përkasin turistëve të huaj. Në krye të renditjes europiane për rritjen e net-qëndrimeve këtë vit është Irlanda me 15%, e ndjekur nga Malta me 10%, ndërsa Shqipëria renditet e treta me 9.1%. Edhe Kosova vijon të shfaqë një tendencë pozitive, duke u renditur e katërta me një rritje prej 6%. Në tremujorin e dytë, net-qëndrimet e turistëve të huaj në Kosovë u rritën me 18%, ndërsa në Shqipëri rritja për të njëjtën kategori ishte 8.5%. Në Bashkimin Europian, rritja e net-qëndrimeve gjatë gjysmës së parë të vitit ishte vetëm 1.7%. Në terma absolute, numrin më të madh të net-qëndrimeve turistike e regjistruan Spanja, Italia dhe Franca.
