Foto Ilustruese / Hendeku i thellë mes Shqipërisë së idealizuar që Edi Rama u paraqet të huajve dhe realitetit të ashpër të një vendi të zhytur në korrupsion, klientelizëm dhe shpopullim... Ekziston një Shqipëri imagjinare, të cilën Edi Rama e promovon me këmbëngulje. Ekziston edhe një Shqipëri reale, për të cilën denoncojnë vetë qytetarët. Dhe ekziston një vend që ndodhet në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që brenda kufijve të tij përjeton të gjitha kontradiktat karakteristike të kësaj faze politike, të cilat meritojnë të njihen më mirë.
Shqipëria po kalon një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Kjo mund të tingëllojë ironike, pasi 114 vitet e shtetit shqiptar nuk kanë qenë kurrë një rrugëtim i lehtë. Pas Luftës së Dytë Botërore, vendi u ndërtua mbi bazën e një komunizmi periferik, të mbërthyer pas Enver Hoxhës, një diktatori mediokër dhe gjakatar, por të vendosur të mos lejonte askënd që t’ia zinte vendin.
Pas vitit 1989, hapja drejt Perëndimit u shoqërua me paligjshmëri të gjithfarëllojshme dhe emigrim masiv, ndërsa në vitin 1997 shpërtheu një luftë civile, nga e cila presidenti Sali Berisha arriti të mbijetonte politikisht vetëm për shkak të mungesës së alternativave.
Më pas, në vitin 2013, në krye erdhi Edi Rama, i cili u paraqit si mishërimi i ndryshimit përballë sistemit të kalbur të pushtetit të Berishës. Ai shfrytëzoi pakënaqësinë brenda kampit kundërshtar dhe u premtoi të huajve tri gjëra që priteshin prej kohësh: ligjshmëri, zhvillim dhe Evropë.
Por gjatë 4 mandateve dhe 13viteve në pushtet, Rama nuk e ka përmirësuar vendin në asnjërin prej këtyre tri drejtimeve. Megjithatë, ka shkëlqyer në marketingun e markës “Albania”. Për bregdetin, detin dhe turizmin ka përdorur modelin kroat; për joshjen e Tiranës postkomuniste, modelin e Berlinit Lindor, duke e shndërruar kryeqytetin në një galeri personale; për ndërtimet pa kriter, modelin turk, ku politika nxit dhe favorizon betonizimin; ndërsa për evropianizmin me ngjyra mesdhetare ka zgjedhur modelin italian.
Nga njëra anë, retorika është “jemi evropianë, rroftë Evropa”; nga ana tjetër, mbizotëron viktimizimi: “Asnjëherë nuk ju mjaftojnë përpjekjet tona fisnike!”. Ashtu si mbreti Zog, Enver Hoxha dhe Sali Berisha para tij, edhe Edi Rama ka ditur të mishërojë gjithçka që të huajt me ndikim dëshirojnë të shohin kur vizitojnë periferinë shqiptare.
Në prag të Luftës së Dytë Botërore, Zogu, mik i Italisë fashiste për aq kohë sa i leverdiste, i dha mundësi Romës të demonstronte fuqinë e saj në Ballkan. Gjatë Luftës së Ftohtë, Hoxha i dha mundësi Kinës maoiste, e cila ende nuk njihej nga Kombet e Bashkuara, të mburrej se kishte aleatin e saj të parë evropian.
Gjatë tranzicionit drejt demokracisë, Berisha u dha amerikanëve mundësinë të përfshinin një ish-vend komunist në NATO. Në fund, Rama i dha Bashkimit Evropian mundësinë që në vitin 2014 të shpallte se kishte një tjetër vend kandidat për anëtarësim, në një proces që Brukseli dëshironte ta zhvillonte paralelisht me atë të Serbisë, me synim zgjidhjen edhe të çështjes së Kosovës.
Sot e dimë se në atë rotacion pushteti mes Berishës dhe Ramës nuk fshihej fara e demokracisë shqiptare, por një tjetër shfaqje e vënë në skenë për të huajt, e cila në shumicën e rasteve nuk u sillte asnjë dobi shqiptarëve. Pikërisht kundër kësaj gjendjeje janë ngritur protestat e një brezi të ri.
Ngjashëm me atë që ndodhi në Serbi, edhe në Shqipëri pakënaqësia shpërtheu përmes një preteksti simbolik: mbrojtjes së një zone të mbrojtur në veri të Vlorës nga një projekt luksoz imobiliar, i promovuar nga kompania në pronësi të Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.
Por kërkesa e vërtetë shkon shumë më larg: ndryshimin e sistemit. Mjaft me gënjeshtrat, korrupsionin, kujdesuni për ne! Kjo është ajo që kërkojnë studentët dhe qytetarët që kanë dalë në rrugë gjatë muajve të fundit. Janë njerëz që duan të çlirohen nga logjika klienteliste, por që ende nuk kanë një orientim të qartë politik.
Ashtu si Hoxha, i cili për të ruajtur pushtetin kujdesej me imtësi për imazhin ndërkombëtar të vendit, duke e përshtatur atë me ndryshimet në komunizmin botëror (mes Titos dhe Stalinit zgjodhi Stalinin, ndërsa mes Hrushovit dhe Maos zgjodhi këtë të fundit, duke ndryshuar mbrojtësit e jashtëm në momentin e duhur, por duke ruajtur gjithmonë narrativën e pastërtisë komuniste), edhe Rama i ka shitur botës pas vitit 1989 përrallën e një Shqipërie evropiane, me qëllimin e qartë për të qëndruar sa më gjatë në pushtet.
Bashkëpunëtorët e huaj të propagandës së Ramës janë të shumtë, por në krye të listës qëndron pa dyshim edhe makineria mediatike italiane: gazetat, televizionet dhe të ashtuquajturit intelektualë publikë. Të gjithë, pa përjashtim, janë entuziastë të Shqipërisë.
Le të rikujtojmë disa episode thuajse surreale. Ishte koha kur gazetat italiane shkruanin për luftëtarët e huaj që largoheshin nga periferitë evropiane për t’iu bashkuar radhëve të Shtetit Islamik. Dhe ja ku shfaqet Rama paqedashës, duke pritur në Tiranë Papa Françeskun, në vizitën e tij të parë evropiane, nën parullën e dialogut ndërfetar.
Në Shqipëri, fetë ishin zhdukur pothuajse tërësisht nga jeta publike gjatë regjimit komunist.
Sot, ringjallja e Krishterimit dhe e Islamit është kthyer në një fushë ku fuqitë rajonale zhvillojnë lojërat e tyre gjeopolitike. Kjo është shumë larg konceptit të dialogut ndërfetar që kemi në Itali.
Kur terroristët islamikë sulmuan redaksinë e revistës “Charlie Hebdo”, u shfaq Rama artisti, në marshimin e Parisit, me lapsat me ngjyra në xhepin e xhaketës, duke u rreshtuar në mbrojtje të lirisë së shprehjes. E kush nuk do ta dëshironte në atë marshim një udhëheqës të një “vendi mysliman”?
Kur anija “Diciotti” mbeti e bllokuar në portin e Katanias, u shfaq Rama evropiani. Ai ndërhyri në debatin mbi emigracionin, duke ofruar mikpritje për emigrantët, e cila ishte e rreme. “Dikur emigrantë ishim edhe ne!”, deklaroi ai, duke marrë duartrokitjet e së majtës.
Njëkohësisht, foli për “rishpërndarje të përgjegjshme” të emigrantëve, duke fituar edhe duartrokitjet e së djathtës dhe të ministrit të atëhershëm të Brendshëm, Matteo Salvini. Të njëjtat duartrokitje, që do të dëgjonim më vonë pas marrëveshjes propagandistike për qendrat e ndalimit të emigrantëve në Gjadër, të nënshkruar me Giorgia Melonin.
Kur shpërtheu pandemia e Covid-19, u shfaq Rama italiani, duke dërguar në Lombardi mjekë të rinj shqiptarë për të ndihmuar në repartet e terapisë intensive. Më vonë u zbulua se bëhej fjalë për një grup të rinjsh të dërguar për praktikë profesionale. Por, ndërkohë, kryeministri shqiptar ishte ftuar tashmë në edicionin informativ të televizionit La7.
Me pak fjalë, Rama socialisti, Rama artisti, Rama poligloti, Rama solidari, Rama mbrojtësi i shqiptarëve jashtë vendit. Në fund të fundit, siç thuhet ende sot në qarqet diplomatike të Tiranës: “Kush mund ta drejtojë Shqipërinë më mirë se ai?”.
Pikërisht, sepse filmi i Ramës ka qenë kaq i bukur, Shqipëria reale po kalon një periudhë kaq të vështirë. Kontrasti mes imazhit dhe realitetit ka arritur pikën e shpërthimit. Shqiptarët e viteve 1990, kishin të paktën magjepsjen e një të ardhmeje të panjohur. Të rinjtë e sotëm, e njohin “botën përtej kufijve” përmes internetit dhe të afërmve që vizitojnë në Evropë.
Ata që ende nuk kanë arritur të emigrojnë, ndiejnë zemërim ndaj atyre që u premtuan se një ditë nuk do të kishin më nevojë të largoheshin nga vendi. Ndërsa gjithnjë e më shumë të huaj e zbulojnë Shqipërinë me entuziazmin e një destinacioni sezonal (12 milionë turistë në vitin 2025), shqiptarët që jetojnë këtu përballen me Shqipërinë reale gjatë gjithë vitit.
Shqipëria reale është një vend ku dërgesat e emigrantëve, që sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kaluan 1 miliard euro në vitin 2025, përbëjnë rreth 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili arriti në 27 miliardë euro.
Është një vend ku bujqësia punëson 30-40 për qind të fuqisë punëtore, por prodhon vetëm 20 për qind të PBB-së dhe nuk arrin të përmbushë nevojat e tregut të brendshëm. Ku nuk ka industri të mirëfilltë, përveç disa aktiviteteve të sektorit tekstil të zhvendosur nga vende të tjera, të cilat sot po goditen në eksportet e tyre nga forcimi i lekut kundrejt euros.
Rreth 18 për qind e fuqisë punëtore, më shumë se 180 mijë persona, janë të punësuar në administratën publike dhe të lidhur me politikën përmes marrëdhënieve klienteliste. Ndërtimi është i vetmi sektor që shënon rritje të dukshme, por shpesh shërben si mbulesë për pastrimin e parave të pista që burojnë nga veprimtari të paligjshme.
Dhe e gjithë kjo ndodh pa një planifikim urbanistik dhe pa asnjë kujdes për peizazhin, ndërkohë që shpopullimi vazhdon pa u ndalur. Çdo vit largohen nga Shqipëria 40-50 mijë banorë, 60 për qind e të cilëve janë të rinj nën moshën 35 vjeç.
Sot, në vend jetojnë vetëm 2.5 milionë njerëz, ndërsa po aq shtetas shqiptarë ndodhen jashtë tij, pa llogaritur shqiptarët etnikë, numri i të cilëve arrin në 12 milionë. Ata që largohen, edhe pse përballen me vështirësi, nuk pendohen për vendimin e tyre.
Shqipëria e sotme, është një vend ku pagat nuk mjaftojnë për të krijuar një shtresë të mesme me standarde të qëndrueshme jetese. Por edhe më shqetësues se këta tregues është realiteti institucional. Mjaftojnë tri të dhëna domethënëse për të kuptuar sistemin e pushtetit që ekziston sot dhe kundër të cilit janë ngritur studentët.
Së pari, edhe falë vendimit katastrofik të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet vendore dy palë më parë, Partia Socialiste e Edi Ramës nuk ka vetëm shumicën absolute në Kuvend, me 83 nga 140 mandate, të fituara me një pjesëmarrje prej 46 për qind të zgjedhësve, por drejton edhe 53 nga 61 bashkitë e vendit (pikërisht këto ditë, një reformë po synon t’i reduktojë në 46).
Kjo nuk do të thotë se shqiptarët janë bindshëm socialdemokratë. Do të thotë se rrjeti klientelist i Ramës ka shtrirë kontrollin në të gjithë vendin, duke zotëruar mekanizmat e blerjes së votës, favorizimeve dhe praktikave të tjera korruptive.
Së dyti, presidenti i Republikës, i cili sipas Kushtetutës ka kompetencën formale për të emëruar kryeministrin, që më pas kërkon votëbesimin e Kuvendit, është Bajram Begaj. Një ish-ushtarak pak i njohur dhe me profil të ulët, të cilin shumica e Ramës e zgjodhi në vitin 2022 për ta mbajtur të dobët institucionin më të lartë të shtetit.
Kjo ndodhi pasi në vitin 2017 vetë Rama kishte vendosur në atë post Ilir Metën, kreun e një partie klienteliste që sapo ishte bërë pjesë e shumicës qeverisëse dhe që sot ndodhet në paraburgim, në pritje të gjykimit për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Pra në Shqipëri institucioni i Presidentit të Republikës praktikisht nuk ekziston, për shkak të vullnetit të qartë të kryeministrave për ta dobësuar atë.
Së treti, edhe Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndodhet në burg në pritje të gjykimit, pasi është dërguar për gjykim së bashku me bashkëshorten, nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Posti i kryetarit të bashkisë së kryeqytetit ka pasur historikisht një rëndësi të veçantë në politikën shqiptare.
Edhe Rama ishte kryebashkiak i Tiranës gjatë periudhës së Berishës dhe pikërisht aty ndërtoi kredibilitetin e tij politik. Ndoshta kujtesa e kësaj historie ka ndikuar edhe në largimin nga skena të Veliajt, i cili ishte pasardhësi i përzgjedhur i Ramës, por i ngjante aq shumë babait të tij politik, saqë rrezikonte t’i bënte hije.
Veliaj u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2015, gjatë mandatit të parë të Ramës. Një kryebashkiak, i cilësuar si socialist, që duhej të simbolizonte ndryshimin e vendit: po aq poliglot, po aq i hapur ndaj të huajve dhe po aq i aftë në propagandën politike. Por ndoshta më i aftë sesa duhej.
Dhe kështu, sot ai nuk është më në krye të kryeqytetit, ndërsa bashkia është vënë nën kontrollin e pushtetit qendror. Ndërkohë që pushtetet duhet të ndahen, drejtësia duket se funksionon me selektivitet politik.
Gjatë viteve të fundit, hetimet e strukturave të reja kundër korrupsionit, të krijuara me mbështetjen e Bashkimit Evropian, mbi të gjitha të SPAK-ut, organit të pavarur të drejtësisë shqiptare të ngritur për të hetuar korrupsionin në administratën publike, kanë përfshirë thuajse të gjithë spektrin politik shqiptar.
Berisha dhe Meta janë emrat më të rëndësishëm në kampin opozitar, por në radhët e qeverisë janë përfshirë edhe disa nga bashkëpunëtorët më të afërt të Edi Ramës, protagonistë të periudhës së tij të gjatë në pushtet. Pa pretenduar se kjo listë është shteruese, ia vlen të ndalemi te disa prej figurave më të rëndësishme.
Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë, është në paraburgim në kuadër të një procesi për shpërdorim detyre dhe mashtrim në administrimin e fondeve dhe tenderëve të shëndetësisë publike.
Lista përfshin edhe Vlorën Hyseni, ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), e emëruar në krye të institucionit me vullnetin e Ramës, e cila është bërë objekt i një hetimi për zbulim të sekreteve shtetërore dhe përkrahje të autorit të krimit.
Në fund është edhe Olta Xhaçka, ish-ministre e Mbrojtjes dhe e Jashtme, e cila po hetohet në kuadër të një procedimi për korrupsion dhe pastrim parash. Me pak fjalë, rrethi po i ngushtohet gjithnjë e më shumë kryeministrit, por deri më tani Rama ka ndjekur sistematikisht të njëjtën strategji: çdo përgjegjësi, ia ka atribuar sjelljes individuale të bashkëpunëtorëve të tij, duke ua faturuar atyre të gjitha shkeljet dhe duke mohuar çdo përgjegjësi politike.
Siç është tashmë e qartë, problemi nuk qëndron te krijimi i një drejtësie të pavarur. Përkundrazi, kjo është një kusht i domosdoshëm për vendosjen e shtetit të së drejtës dhe anëtarësimin në BE. Është pozitive që SPAK ka nisur të funksionojë.
Problemi qëndron te përdorimi selektiv që qeveria u bën hetimeve të prokurorisë në këtë fazë të transformimit institucional: i lë ato të ecin përpara kur në shënjestër janë figura që janë kthyer në pengesë ose janë bërë të padëshiruara, si kryebashkiaku Erion Veliaj, dhe ofron mburojë politike atyre që vazhdojnë të kenë një rol strategjik në ekuilibrat e shumicës qeverisëse.
Kjo është një tjetër karakteristikë e vendeve që ndodhen në procesin e anëtarësimit në BE. Ndërsa me kërkesë të Brukselit pushtetet ndahen dhe institucionet reformohen, rritet njëkohësisht edhe hapësira e veprimit arbitrar të atyre që qeverisin. Arsyeja është se BE-ja nuk mund ta ndërtojë shtetin e së drejtës në një boshllëk institucional.
Ajo duhet të bashkëpunojë me pushtetin që është në detyrë, duke përfunduar kështu në praktikë, në mbrojtje të strukturave ekzistuese të pushtetit. Në literaturën e specializuar, ky fenomen njihet si “stabilitokraci”. Për shqiptarët e zakonshëm, ai përkthehet në detyrimin për të duruar kontradiktat e një kure që ndoshta një ditë do të jetë e dobishme, por që sot i lë përballë një realiteti ku Rama sn i vetëm.
Kjo panoramë e Shqipërisë reale, mjafton për të kuptuar se ajo që është në lojë për të rinjtë shqiptarë nuk mund të krahasohet me kërkesat e të rinjve në Paris apo Milano. Një gjë është të protestosh kundër rritjes së kostos së jetesës dhe për të drejtën e arsimimit brenda një demokracie liberale funksionale, në shtete që mund të shfaqin edhe anën e tyre autoritare, por ku ekzistojnë mekanizma kushtetues realë për ta kufizuar pushtetin.
Dhe krejt tjetër është të protestosh në rrugët e Tiranës. Këtu përballesh me një polici të keqpaguar dhe të korruptueshme, në shërbim të pushtetit të radhës, e cila mund të marrë edhe vendime të papërgjegjshme pa pasur frikë nga pasojat penale.
Këtu, nëse përfn në spital, mund të të duhet të blesh vetë garzat në farmacinë përballë. Këtu partitë, të organizuara si fraksione pushteti, përpiqen të depërtojnë në protesta për të përfituar politikisht prej tyre. Dhe këtu, siç e kemi parë, shteti i së drejtës ende nuk funksionon plotësisht, ndërsa drejtësia po hedh hapat e saj të parë mes një hapësire tepër të madhe arbitrariteti.
Përballë një realiteti kaq të ashpër, bëhen të dukshme edhe dobësitë e protestës. Sipas mendimit tim, ato janë tri. E para është mungesa e një lidershipi. Kjo veçori paraqitet si një formë organizimi horizontal dhe si risi në një vend që historikisht ka qenë nën hijen e udhëheqësve autoritarë.
Por, në mungesë të një figure që mund të sfidojë pushtetin, protestuesit kufizohen te kërkesa abstrakte për një “qeveri teknike”. Pa marrë parasysh se edhe një qeveri teknike ka nevojë për një shumicë parlamentare që ta votojë, dhe se asnjë nga deputetët aktualë nuk duket i gatshëm të largohet nga shumica ekzistuese për të krijuar një tjetër.
Dobësia e dytë është mungesa e një platforme politike. Protestuesit denoncojnë gjendjen e Shqipërisë reale, por nuk kanë një program alternativ, të ndërtuar mbi disa pika të përbashkëta për çështjet kryesore të vendit. Nuk ka zëdhënës, sepse nuk ka as një përmbledhje të kërkesave dhe as një program të përbashkët.
Dobësia e tretë, që në fakt është shfaqur tashmë, lidhet me mosnjohjen dhe mungesën e interesit të protestuesve për demokracinë formale, e cila megjithatë mbetet i vetmi standard që merr parasysh Bashkimi Evropian.
Mjafton të shohim rastin e Serbisë. Lista e studentëve fitoi zgjedhjet dhe Aleksandar Vuçiçi, i cili për vite me radhë kishte qenë një nga shtyllat e stabilitokracisë së Brukselit, pushoi menjëherë së qeni një partner i besueshëm për të.
Në thelb, protestuesit shqiptarë do të dëshironin mbështetjen e drejtpërdrejtë të BE-së, edhe pa marrë një mandat përmes votës popullore. Por Bashkimi Evropian, i cili synon ndërtimin e një demokracie funksionale në Shqipëri, me pushtete të ndara, nuk mund të lehtësojë zëvendësimin e një kryeministri që mbështetet nga shumica parlamentare.
Pavarësisht nëse kjo na pëlqen apo jo, për të fituar mbështetjen e BE-së duhet ndjekur shembulli serb: të hysh në garën e demokracisë formale, të kandidosh në zgjedhje me një program alternativ dhe të kërkosh votën e qytetarëve. Nuk është aspak e sigurt se të rinjtë shqiptarë do të duan ose do të arrijnë ta bëjnë këtë.
Një gjë është e sigurt: nëse shqiptarët duan të rifitojnë shpresën, nuk duhet të kopjojnë fjalimet politike të shesheve të Evropës. Ndjesia e lidhjes globale që rrjetet sociale u krijojnë protestuesve në të gjithë botën mund të jetë armiku më i madh i protestuesit shqiptar.
Ai nuk mund t’i lejojë vetes slogane të lehta antikapitaliste dhe as të kthehet kundër Bashkimit Evropian, i cili mban në dorë të gjithë procesin e reformimit të sistemit institucional shqiptar. Kushdo që në Shqipëri mobilizohet për ndryshim, duhet para së gjithash ta mbajë vështrimin te rajoni ku jeton.
Vetëm duke kuptuar tërësinë e nevojave të tij dhe duke lënë pas nacionalizmat e shekullit XX, në kuadër të integrimit evropian, Ballkani mund të çlirohet nga margjinalizimi që karakterizon zakonisht periferitë./Pamfleti nga “Il Mulino”shqipëria e ramës shqipëria reale anatomia e një krize 3 Komente D Davida Miska 11 Nëntor 2026, 15:41 Papa Françesku u lidh me me te korruptuarit ne Bote dhe rrjedhimisht edhe ne Shqiperi e Kosove.
Francesku kerkoj shkaterrimin Kishës Katolike. Ai ishte Anti Krishti.
Kisha Katolike ka Jezu Krishtin. Ai ishte BEQAR.
NUK KA DY KRISHTA.
PO TE MARTOHET PRIFTI KATOLIK KORRUPTOHET, NUK ESHTE " BARIU I MIRE"
PRIFTI KATOLIK NUK MARTOHET. BESON DHE UDHEHEQ POPUJT NE RRUGEN E JEZU KRISHTIT. JETE TE GJATE PAPA LEONI I XIV, SHPETOI KISHEN KATOLIKE DHE BOTEN Përgjigjjuni Q Qytetar 11 Nëntor 2026, 17:34 Me vjen të qesh ,me komente qe duket qe nuk e ka lexuar fare..dhe i shkon shprehja: une e kuptoj qe eshte mulli me erë,por nuk di nga i kalon uji!? Kaq Shkrimi nga gazetari Nicola Pedrazzi eshte jo vetëm i sakte në detajet, por nëse Shqiptaret do kishin kapaciet ta kuptonin do të kishin mbushur sheshet dhe rruget...ehhh!!! Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum A është lufta në ADN-në tonë? 11 Nëntor 2026, 10:2010:20Forum Pse aktorët politikë pro protestës nuk distancohen nga djegia e Tiranës? 10 Nëntor 2026, 20:3220:32Forum Ben Blushi: Nga vjen emri i Tiranës? 10 Nëntor 2026, 19:5019:50Forum Nga Blloku në Britani: Perandoria e drogës e bandave shqiptare që po trondit qytetet britanike! 10 Nëntor 2026, 18:1118:11Forum Jetimi që nxori zbuluar shtetin… 10 Nëntor 2026, 15:4615:46Forum Finalja paranojake e Erdoganit: Lufta për pasardhësin është në prag! 10 Nëntor 2026, 13:0013:00Forum

