Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Konjufca shpreh keqardhje për deklaratat e Zelenskyt në lidhje me mosnjohjen e Kosovës nga Ukraina.
Ministri i Jashtëm i Kosovës shprehet se Kosova ka qenë në krah të ukrainës që në fillim të agresionit rus dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Më tej në reagimine bërë, Konjufca thotë se Kosova kontribuoi me ndihmë ushtarake dhe trajnime në mbështetje të Ukrainës pavarësisht mosnjohjes së shtetit.
Konjufca deklaron se Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin e Ukrainës dhe përpjekjet e Rusisë për të përdorur si justfikim Kosovën për pushtimin ukrianas janë të pavërteta dhe një paralelizëm i tillë nuk ekziston. Më tej, ministri shkruan se njohja e Kosovës nga Ukraina do të forconte më tej parimet e lirisë dhe demokracisë të cilat Ukraina po i mbron. Reagimi i Konjufcës Shprehim keqardhje për deklaratat e Presidentit Zelenskyy në Beograd, ku ai rikonfirmoi mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Që nga dita e parë e agresionit të plotë të Rusisë, Kosova ka qëndruar pa asnjë mëdyshje në krah të Ukrainës. Ne e dënuam pushtimin, u rreshtuam plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), vendosëm sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ofruam ndihmë humanitare dhe strehim për gazetarët ukrainas, si dhe kontribuuam me ndihmë ushtarake dhe trajnime në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës. Këtë e bëmë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial është çështje parimi.
Po aq e rëndësishme është të theksohet një dallim i qartë: ndërsa Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk është rreshtuar me sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Republika e Kosovës është një shtet sovran dhe i pavarur, i lindur nga lufta e popullit të saj për liri dhe nga çlirimi në vitin 1999, pas viteve të represionit sistematik dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviçit. Ajo që pasoi nuk ishte një akt aneksimi, okupimi apo pushtimi territorial, por një proces gjithëpërfshirës ndërkombëtar nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe vite negociatash të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për statusin përfundimtar të Kosovës. Kur këto negociata shteruan çdo mundësi për një marrëveshje të përbashkët, i dërguari special i OKB-së, Martti Ahtisaari, rekomandoi pavarësinë si statusin përfundimtar të Kosovës dhe paraqiti një kornizë gjithëpërfshirëse për shtetin e ri, duke përfshirë disa nga garancitë kushtetuese më të gjera për komunitetet jo-shumicë në Evropë. Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 si kulmin e këtij procesi politik dhe historik, mori përgjegjësitë e saj si një shtet demokratik dhe multietnik dhe hyri në një periudhë të pavarësisë së mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare, ndërsa mbikëqyrja ndërkombëtare përfi zyrtarisht në vitin 2012.
Sot, Republika e Kosovës njihet nga shumica dërrmuese e shteteve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe e ka ndërtuar shtetësinë e saj mbi parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut, paqes dhe integrimit euroatlantik.
Pikërisht për këto arsye, përpjekjet e Rusisë për të përdorur Kosovën si precedent apo justifikim për pushtimin, okupimin apo tentativat e aneksimit të territorit ukrainas janë historikisht dhe juridikisht të pavërteta. Një paralelizëm i tillë nuk ekziston.
Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne refuzojmë me respekt, por me vendosmëri, çdo përpjekje për ta paraqitur Republikën e Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë.
Ne do ta mirëprisnim njohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Një vendim i tillë do të forconte pikërisht parimet e lirisë, demokracisë dhe së drejtës ndërkombëtare që Ukraina po mbron sot. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

