Hetuesit vijojnë të mos kenë një konkluzion të qartë mbi shkakun e shpërthimit dhe shembjes së pjesshme të godinës në stacionin e karburantit “EIDA”, në zonën e Brrylit në Tiranë. Grupi hetimor ka marrë në pyetje tre punonjësit e lënduar, dëshmitë e të cilëve kanë ndihmuar në përcaktimin e tre pistave kryesore të hetimit. Sipas tyre, në momentin e incidentit po furnizonin me gaz një automjet, ndërsa shpërthimi ndodhi brenda pak sekondash.
Një prej elementeve që ka ngritur dyshime te ekspertët është prania e një bombole gazi pranë godinës së dëmtuar rëndë. Hetuesit po verifikojnë mundësinë e një rrjedhjeje gazi apo defekti në pajisjet ndihmëse, ndërsa tre punonjësit kanë deklaruar se nuk e kanë të qartë se si nisi incidenti. Për momentin, asnjë prej pistave nuk është konfirmuar zyrtarisht si shkaku i shpërthimit.
Hetimet janë përqendruar në tri pista teknike: një defekt të mundshëm në sistemin e gazit të automjetit që po furnizohej, një avari në pompën e furnizimit të stacionit “EIDA” dhe një rrjedhje të mundshme nga bombola e gazit pranë godinës. Ekspertët po verifikojnë nëse gazi mund të jetë ndezur nga ndonjë shkëndijë elektrike apo burim tjetër nxehtësie, për të përcaktuar origjinën e saktë të zjarrit dhe shpërthimit.

