Shpërthimi i një bombole gazi në një pikë karburanti në zonën e Bërrylit në Tiranë shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe plagosjen e tre punonjësve. Drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, bëri me dije se shërbimi zjarrfikës u njoftua menjëherë dhe në vendngjarje u aktivizuan dy stacionet më të afërta. Forcat mbërritën brenda pak minutash dhe konstatuan se pika e karburantit dhe ambientet e zyrave ishin shembur nga shpërthimi, ndërsa kishte edhe flakë.
Sipas Goxhajt, shpërthimi ndodhi brenda ambienteve të zyrave të karburantit, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur vënien nën kontroll të situatës brenda pak minutash. “Kemi pasur shpërthim gazi. Në pak minuta gjithçka është vënë në kontroll. Shpërthimi ndodhi brenda zyrave të karburantit”, deklaroi drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës.
Tre punonjësit e karburantit që mbetën të plagosur nga shpërthimi u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe, sipas Policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar shkakun e shpërthimit.

