Shpërthimi i një bombole gazi në një karburant në zonën e Bërrylit në Tiranë shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe plagosjen e tre punonjësve. Drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, ka dhënë detaje për ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës pas alarmit për ngjarjen. Goxhaj tha se shërbimi zjarrfikës është njoftuar menjëherë në sallën operative, ndërsa në vendngjarje janë aktivizuar dy stacionet më të afërta. Sipas tij, forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në pak minuta dhe kanë konstatuar se si pika e karburantit, ashtu edhe ambientet e zyrave ishin shembur si pasojë e shpërthimit. Në momentin e mbërritjes së tyre kishte edhe flakë. “Kemi pasur shpërthim gazi. Është lajmëruar shërbimi zjarrfikës në sallën operative dhe janë aktivizuar dy stacionet që janë më afër. Në pak minuta kanë arritur në vendngjarje dhe është konstatuar se pika e karburantit dhe ambientet e zyrave ishin shembur për shkak të shpërthimit, si dhe kishte flakë. Në pak minuta gjithçka është vënë në kontroll. Shpërthimi ndodhi brenda zyrave të karburantit”, deklaroi drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj. Ndërkohë, tre punonjësit e karburantit që mbetën të dëmtuar nga shpërthimi janë transportuar në spital dhe, sipas Policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të shpërthimit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
